Pasioni kundër familjes
14/04/2019 Shpërndaje

Pasioni kundër familjes

Pas kësaj vajze të vogël në trup dhe të thjeshtë, që në dukje të jep pamjen e një vajze të qetë, fshihet një talent i vërtetë. Ajo quhet Elsuida Locaj dhe është 17 vjeç. Prej 3 vitesh merret me sport dhe studion në gjimnazin ‘Benardina Qeraxhia’. Me origjinë është nga Mirdita por e lindur në Durrës. Që e vogël ka qenë tepër aktive. I pëlqente sporti, prandaj vendosi që pasionin ta kthejë në profesion me kalimin e viteve. Ka marrë pjesë në aktivitetet e shkollës që kur ishte në 9 vjeçe.

Elsuida gjithmonë ka ëndërruar të bëhet sportiste, por jo prindërit e saj. Megjithatë me talentin dhe punën e palodhur arriti ti bindë familjarët. Sporti është kthyer në gjithçka për të. Një nga sportet që e tërheq më shumë është padyshim atletika. Vrapon në garat 1500 m, 3000 m dhe 5000 m. Ka marrë pjesë në çdo garë që është zhvilluar në Shqipëri, më pas edhe në Rumani, Bullgari e Turqi. Në Rumani ka qenë në vitin e parë të gjimnazit dhe emocionet ishin të mëdha, pasi ishte për herë të parë në një garë vrapimi 3 mijë metra.

Talenti që ka e veçon nga të gjitha atletet e tjera në shkollë dhe jo më kot shkolla vendosi ta nderojë Elsuidën me çmimin atletja më e mirë. Pas gjimnazit studimet dëshiron ti kryejë në fushën e sportit. Edhe pse familja u përpoq ta largojë nga sporti me insistim për disa kohë, tashmë ata janë kthyer në mbështetjen më të madhe për të. Motra dhe vëllai i saj s’kanë lidhje me sportin. Ata kanë studiuar degë shkencore si matematika, por kanë shumë gjëra të tjera të përbashkëta me motrën atlete. Me qetësinë dhe përkushtimin që e karakterizon, 17 vjeçarja e nis çdo mëngjes duke u ushtruar, për rreth 4-5 orë në ditë.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.