Pas autoambulancës, mjeku humanist shqiptar dhuron shtretër për spitalin e Fierit
31/10/2018 Shpërndaje

Pas autoambulancës, mjeku humanist shqiptar dhuron shtretër për spitalin e Fierit

Mjeku shqiptar Nuredin Sadikaj, që prej vitesh e ushtron profesionin në Itali, dhuron 60 shtretër, 60 dyshekë e 60 komodina për Spitalin Civil Rajonal Fier. Kujtojmë se në gusht të 2017, Sadikaj ka dhuruar një autoambulancë edhe në spitalin “Et’hem Kapllanaj”, e cila mungonte. Që atëherë pasi pa gjendjen e spitaleve premtoi se do të kthehej sërish dhe ia ka dalë ta mbajë premtimin.

Ai ka lindur në Cekran të Fierit dhe aty ka dhënë kontributin si mjek për 21 vite. Gëzon respektin e të gjithë banorëve, për të cilët ka shërbyer me humanizëm dhe ndershmëri. Në 1998 u largua në Itali me familjen. Shkolla që kishte mbaruar në vendin tonë nuk i njihej, ndaj konkuroi për t’u pranuar në universitet në Itali. Në konkurim ishin 35 mjekë nga të gjitha vendet e botës, por testin e kaluan vetëm pesë, dhe njëri prej tyre ishte Nuredin Sadikaj.

Vendosi të përballojë këtë sfide dhe arriti të diplomohet në moshën 50 vjeçare, në 2003, për herë të dytë në mjekësi. Me vështirësi të mëdha ka marrë një diplomë që i jep mundësinë të punojë në vende tjera europiane. Pavarësisht eksperiencës së gjatë që ka fituar edhe në spitale të ndryshme në Itali, sërish nuk e harron vendlindjen. Në Itali së fundmi punon në një nga spitalet e moshës së tretë. Pas gjestit të fundit human ëndrra për të përmirësuar kushtet në spitalet e vendlindjes nuk ka mbaruar. Ka dëshirë dhe po punon që së shpejti të sjellë një sallë operacioni për spitalin e Fierit dhe të mundësojë një rezidence sanitare për moshat e treta.

“Vendi ynë është në zhvillim dhe kontrastet midis privates e shtetërores janë të medha ndaj siç e kam theksuar dhe ne intervistën e meparshme sikur secili nga ne të vendosë edhe një gur për ta bërë vendin tonë të lulëzojë dhe në shërbim të shëndetit me kushte sa me te mira: kjo është kënaqësia ime”, kështu shprehet ai gjatë një interviste për pozitivi.org për kontributin human që ka dhene.

Mjeku Nuredin Sadikaj për pozitivi.org:

1.Edhe pse jeni larguar prej vitesh dhe punoni si mjek ne Itali, sytë i keni ende në Shqipëri. E them këtë bazuar në dhuratën e fundit që i keni bërë spitalit të Fierit. Më tregoni çfarë keni dhuruar konkretisht dhe a ishte një iniciative e juaja personale?

Nuredin Sadikaj: Mbas 21 vitesh pune ne Shqipëri (në Cakran, Kukës, në Grezalli të Fierit dhe në Rroskovec) jam larguar me 1998 në Milano ku e nisa gjithçka nga zero. Me vështirësi u diplomova për herë të dytë në universitetin shtetëror të Milanos me të drejtë ushtrimi të profesionit mjek në gjithë komunitetin europian. Punoj me moshat e treta Fillova punë menjëherë, e kam punuar në spitale të ndryshme. Në spitalin Maggiore të Milanos, në spitalin “San Paolo”, klinika “Castelli” di Bergamo, mjek roje për ASL N°2, e në RSA të ndryshme si: Trezo “Anna Sironi”, Arluno, Magenta, Vittuone, Rivolta D’Adda, Cassano D’Adda e “San Camillo”  Carugate -Milano deri me 31/08//2018.

Gjatë kësaj periudhe kam njohur shumë kolegë me të cilët kam bashkëpunuar, dhe mësuar prej tyre. Kemi shkëmbyer experiencat me njëri-tjetrin dhe së fundi jemi miqësuar me specialistë të ndryshëm dhe me Ortopedë.

Autoambulanca që i dhurova fshatit tim Cakranit kohë më parë (vlerësuar si akt human nga shokët dhe shtypi edhe në Martezane – zonë e Lombardis), u bë shkak që të bisedonim me një nga miqtë e mi Ortoped doktor Giuseppe Bonfiglio për të ofruar eksperiencën e tij në vendin tonë (aktualisht nga 1/09/2018 kemi filluar të punojmë në Spiralin Amerikan numër 1 në Tiranë). Edhe pse punoja në Itali mendja më rrinte gjithmonë në Shqipëri, mendoja se çfarë mund të bëja për të ndihmuar sadopak në fushën e shëndetësisë. Vitin e kaluar kur solla ambulancën bëra një vizitë në Spitalin e Fierit dhe pashë me sytë e mi që shtretërit ekzistues ishin shumë të amortizuar dhe në bisedë me sekretarin e prefekturës Arben Velaj e me doktor Berti Meten u thashë se do mundohem të siguroj shtretër për t’i zëvendësuar.

Kështu mbas një viti punë e përpjekje duke shfrytëzuar njohjet e mia arrita të marr pjesë në tender e t’i blej 60 shtretër, 60 dyshekë e 60 komodina, të cilat ja solla Spitalit të Fierit. Për transportin e tyre nga Milano, Bashkia e Fierit kishte organizuar tender me Agjenci transport por procedurat ishin të gjata ndaj m’u desh të bashkëpunoja me një agjenci transporti të z. Pjetër Doda i cili kontribuoi edhe ekonomikisht. Kështu arritëm t’i sjellim në Spitalin e Fierit. Iniciatiava ishte e imja dhe e gruas time Natasha, infermiere në pension.

2.Sa e kanë ndihmuar këto shtretër, komodina dhe dyshekë spitalin?

Nuredin Sadikaj: Mendoj që e kanë ndihmuar sepse shumë prej tyre e di që janë venë menjëherë në përdorim për të sëmurët.

3.Vazhdoni të kontribuoni vullnetarisht për spitalin e Fierit për shkak të lidhjes që keni me vendlindjen, sepse keni punuar 21 vite aty apo mendoni se nuk janë kushtet e mira?

Nuredin Sadikaj: Unë jam Fierak dhe mendova t’ja sjell Spitalit të Fierit kur pashë që ishin të domosdoshme. Por po te kisha mundësi me shumë do të kontribuoja edhe per spitale të tjera të vendit tim.

4.Çfarë kënaqësie merrni kur bëni gjeste të tilla?

Nuredin Sadikaj: Vendi ynë është në zhvillim dhe kontrastet midis privates e shtetërores janë të medha ndaj siç e kam theksuar dhe ne intervistën e meparshme sikur secili nga ne të vendosë edhe një gur për ta bërë vendin tonë të lulëzojë dhe në shërbim të shëndetit me kushte sa me te mira: kjo është kënaqësia ime.

5.A kemi ndërmend të merrni ndonjë angazhim të ri ne Shqipëri?

Nuredin Sadikaj: Po punoj për të sjellë një sallë operacioni për spitalin e Fierit dhe për mundësinë e një rezidence sanitare për moshat e treta.

Gjatë këtyrë dy muajve në Tiranë po njihem me realitetin e shërbimit shendetësor gjithmonë në rritje e nëpërmjet pacientëve dhe vedhtirësive të tyre ekonomike. Duke biseduar dhe me bashkëshorten time Natashën që ka qenë dhe është gjithmonë krahu im i djathtë por dhe një konsulente e shkëlqyer, po mendonim që për këta pacientë me probleme (duke bërë lidhje edhe me shërbimin në itali) do të ishte mirë të kishin të drejtë të trajtoheshin. Në këto spitale private në Shqipëri duke mbuluar një pjesë të shpenzimeve shteti.

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.