Një shoqëri e zhvilluar, “merr frymë” nga të rinjtë
16/11/2018
0 komente
Shpërndaje

Një shoqëri e zhvilluar, “merr frymë” nga të rinjtë

Neraida Halili

Një shoqëri e zhvilluar, mirëfilli, “merr frymë” nga të rinjtë. Të rinjtë janë mundësia për të ecur përpara. Ato janë zhvillimi, përparimi, progresi. Të rinjtë janë motivimi i një të ardhmeje të suksesshme, i një kombi të zhvilluar, i një historie të lavdishme. Pikërisht jemi ne të rinjtë, sepse ne zotërojmë të gjithë potencialin e duhur për progres, ndryshim e revolucion. Dhe kjo, kur shoqëria në fjalë na mundëson ne të rinjve kushte të favorshme për zhvillimin dhe evoluimin e këtij potenciali.
Realiteti i një shoqërie të “mjegullt”, e dini ç’ndikim ka te i riu, i cili me ëndrra, me objektiva, me qëllime e synime, endet t’i bëjë ballë një realiteti të egër? Gjithë dëshira për të ecur përpara, për të arritur suksesin e qëllimet e paravendosura, fillon e zbehet e venitet. Përpjekjet e sfilitura për të luftuar kundër një realiteti që të gjithë e dinë si është, e askush s’bën asgjë për t’ia ndryshuar. Madje sytë mbyllen dhe veshët nuk dëgjojnë. A thua vallë se kjo gjendje është e pandryshueshme? Jo, kjo nuk është e pandryshueshme! Pavarësisht asaj se çfarë ekziston realitetin e tanishëm, gjithçka mund të ndryshojë. Dhe shembuj kemi sa të duash, madje më tipiku është edhe ai se çka arritën të rinjtë tanë në vendin tonë, me shembjen e “murit” të komunizmit dhe sjelljes së “erës” së pluralizmit në Shqipëri.
Në të gjitha vendet post-komuniste, rinia ka luajtur një rol të rëndësishëm në ndryshimin e sistemit, nga ai mono-partiak drejt sistemit pluri-partiak. Në tre dekadat e fundit çështjet e të rinjve janë parë nën këndvështrimin e problemit, ku rinia është përballur me sfida që erdhën bashkë me demokracinë, si papunësia, pabarazitë, përjashtimi social, problemet e varësisë, etj. Edhe në vendin tonë post-komunist e me demokraci të brishtë, situata e të rinjve, paraqitet problematike, sidomos kur vjen fjala për pjesëmarrje dhe vendim-marrje të vërtetë, si pranë partive politike, ashtu edhe në radhët e shoqërisë civile.
Edhe pse të rinjtë kanë qenë në vëmendjen e qeverive shqiptare, përsëri ata përballen me sfida të ndryshme, të tilla si përfshirja e tyre në proceset vendimmarrëse dhe proceset demokratike, punësimin, edukimin, kujdesin shëndetësor dhe përfshirjen sociale, e të tjera.
Rinia, si pjesa më e madhe e shoqërisë shqiptare vuan shkallën më të lartë të papunësisë nga të gjithë grupmoshat. Gjithashtu, karakteristikë mbetet përfshirja e ulët e të rinjve në praktika/stazhe gjatë studimeve edhe pse vlerësohet si një ndër mekanizmat kryesorë për kalimin nga shkolla në punë. Sfidat në këtë sektor lidhen me fuqizimin ekonomik të të rinjve përmes programeve nxitëse të punësimit, arsimimit, shëndetit dhe mbrojtjes sociale; krijimin e hapësirave publike në shërbim të të rinjve; forcimin e kapaciteteve të organizatave rinore dhe krijmin e rrjeteve rinore, krijimin e këshillave rajonale dhe komiteteve kombëtare këshillues për çështje që lidhen me të rinjtë; rritjen e pjesëmarrjes aktive të të rinjve në programe komunitare dhe ndër-rajonale.
Të rinjtë në Shqipëri rriten dhe jetojnë në një kontekst social, politik dhe ekonomik të gjymtuar dhe me shumë problematika. Problematikat social-ekonomike më kryesore që ndikojnë si pasojë edhe në përfshirjen e të rinjve në vendim-marrje sipas tyre janë: Mungesa e mundësive për punësim: mungesa e alternativave të denja të punësimit në përputhje me kualifikimet e të rinjve është një faktor që perceptohet si mbytës për çdo aspiratë për përfshirje në politikë dhe kthehet në burim të vazhdueshëm stresi për të rinjtë. Mospërputhja e alternativave për arsimim me tregun e punës: mungesa e studimeve lidhur me tregun e punës, mbingopja e tregut të punës për disa profesione, si dhe mospërputhja e kërkesave të tregut të punës me kualifikimet që ofron sistemi arsimor zvogëlojnë gjithnjë e më shumë shanset për punësim të të rinjve e të rejave.
Që diçka të marrë jetë duhet të ketë edhe “terren të përshtatshëm”, apo jo? Por, realisht ç’ndodh me të rininë shqiptare? Ky realitet që unë njoh më mirë, që e përjetoj, që përballem me të, që e sfidoj, apo mos është vallë ai që më sfidon mua?
Zëri i një të riu për sukses e arritje është më i fuqishëm se zëri i kujtdo qoftë! Të gjitha arsyet se përse njerëzit, e kryesisht të rinjtë, demoralizohen e demotivohen mund dhe janë të justifikueshme. Por, mospërpjekjen dhe dështimin e ardhur nga kjo, asgjë nuk e justifikon. Ndonjëherë mjafton fare pak për të arritur shumë.
Është fakt që po jetojmë në një rreth struktura e të cilit është drejtpërsëdrejti e instaluar në kornizat e kriminalitetit, nuk funksionon as ligji e as ndëshkimi, përkundrazi të kesh problem me ligjin nuk ndodhesh prapa grilave, por fiton autoritet.
E si ta bëj veten të heshtë?
Si të duroj, kur më buçet si jehonë uturima e mijëra studentëve që i bashkohet zhgënjimit tim?!
Ushqehemi çdo ditë me të keqen. Nuk ka më ideal drejt të ardhmes. Jetë që bëhet normë e përditshmërisë sonë.
Gjendja e rëndë e moralit shoqëror duket qartë, ajo serviret në forma të ndryshme: nëpërmjet mediumeve të censuruara, arsimit të falsifikuar, politikës devijuese. Shpresat për një të ardhme më të mirë, përpara se t’i mbysim ne, po i shkel vetë koha!
Alternativat për shpresa të reja janë tretur e copëtuar për të mos u bashkuar kurrë në një shpresë të përbashkët, në një të ardhme më të ndritur.Unë nuk kërkoj idealen, as që e synoj të mirën absolute. Dua thjesht të rrëzojmë murin që kemi ngritur rreth vetes, sepse jeta e secilit nga ne është betonizuar , ndërkaq egoizmi është i përhapur edhe jashtë kufijve të tij. Është e rëndë të thuhet se numri i studentëve që largohen nga ky vend rritet çdo ditë e më shumë, sepse dëshirat e tyre nuk përputhen me atë se çfarë ky vend ofron. Largohen sepse këtu mungon kultura e mirëfilltë politike, parimet intelektuale e moralizuese, shoqëria e mirëfilltë demokratike dhe rruga civilizuese me parime të sigurta.
Dita-ditës kuptojmë se jeta nuk është plot dritë dhe neon, egozimi ka mbyllur gjithkënd në vetvete dhe nuk dimë më se çfarë kërkojmë, nuk dimë të dallojmë çfarë është e bukur dhe nuk bëjmë asgjë me ideal e pasion.
Për të dalë prej “botës së errësuar” drejt një bote më të civilizuar, drejt botës së artit, drejt asaj bote ku kultivohet dija, duhet rikthyer vullneti dhe dinjiteti i rinisë universitare. Përderisa ajo paraqet fortifikatën bazë të dijes dhe zhvillimit, ndaj duhet vënë në ballë të proceseve të një kombi.Ne si studentë do të duhej të bartim mbi supe pjesë të peshës së rëndë të një kombi, ndaj duhet shfrytëzuar energjia dinamike që kemi, për të krijuar vlera kulturore dhe shkencore, të cilat do jenë shtysë e përparmit dhe barazimit me kombet e zhvilluara të botës.
Ne kemi nevojë për përkrahje dhe besim që të krijojmë një intelekt sa më të kthjellët e më të shëndoshë. Pra, ne kemi nevojë për një ideal të përbashkët mbi të cilin do derdhim tru për ta arritur dhe jetësuar.Të krijojmë një profil sa më përfaqësues i cili do personofikojë çdo student shqiptar, për ta mbrojtur, mbështetur dhe mbi të gjitha për t’i dhënë forcën e këmbëngulësisë. Marrë nga Student Economic Forum.

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.

Komentet

Asnjë Koment Ju mund të jeni i pari që të komentoni!

Shkruani një Koment

Të dhënat tuaja janë të sigurta! Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet dhe të dhënat tuaja nuk do të shpërndahen me persona të tretë. *