Një qëndrestar si Rigelsi: Sfidat që kapërceva për të bërë karrierë në kryeqytet dhe prapaskenat e skandalit të universiteteve
15/03/2019 Shpërndaje

Një qëndrestar si Rigelsi: Sfidat që kapërceva për të bërë karrierë në kryeqytet dhe prapaskenat e skandalit të universiteteve

Rigels Xhemollari është një shembull suksesi i të riut që vjen nga rrethinat për të ndërtuar karrierën në kryeqytet. Ka lindur dhe është rritur në qytetin e Pogradecit, ndërsa studimet për drejtësi i ka ndjekur në Universitetin e Shkodrës. Gjatë një interviste të dhënë për pozitivi.org ai thotë se për çdo të ri që vjen nga rrethinat mundësia për të bërë karrierë në kryeqytet është thuajse e pamundur, sepse ashtu si Rigelsi, ata përballen me shumë sfida: Fenomene demotivuese si pabarazia, nepotizmi apo favorizimi i fëmijëve të politikanëve. Fatkeqësisht modeli i suksesit i servirur në Shqipërinë e tranzicionit ka qënë i lidhur me fatin e një politikani të suksesshëm, pikërisht këtë synojmë të ndryshojmë, ta kërkojmë suksesin brenda vetes dhe të sfidojmë me qytetari dhe guxim.

Por mund t’ja dalësh nëse dobësite i kthen në forcë. “Suksesi shpesh buron nga qëndrueshmëria dhe vendosmëria në rrugën që nis dhe jo më kot ne sot jemi përkrah qëndrestarëve”, thotë ndër të tjera aktivisti gjatë intervistës. Xhemollari, nga periudha e studimeve dhe deri më tani nuk ka hequr dorë për asnjë ditë nga aktivizmi dhe reagimi qytetar, herë si përfaqësues i shoqërisë civile e herë si pedagog. Ka punuar si lektor pranë Universitetit “Aleksandër Moisiu” në Durrës, si ekspert i jashtëm në disa organizata ndërkombëtare dhe vendase, ndërsa sot është drejtor ekzekutiv i organizatës “Qëndresa Qytetare”, që ka në fokus fuqizimin e qytetarit në shoqëri. Kujtojmë se në 2018 Qëndresa publikoi një monitorim që tregonte se niveli i korrupsionit në universitetet publike është në nivele alarmante, ku një arsye kryesore është keqmenaxhimi i fondeve.

Sipas raportit, gjetjet në Universitetin e Tiranës, atë të Elbasanit dhe të Durrësit flasin për shkelje të rënda ligjore: ‘150 milion ka shpenzuar Universiteti i Durrësit për zyra dhe pajisje luksi. 400 mln ka shpenzuar Universiteti i Tiranës për të likujduar ata që ka hequr padrejtësisht pa puna. Universiteti i Elbasanit ka lidhur kontratë për abonim TV për zyrat, ndërkohë që s’ka wifi dhe internet për studentët. Godina e Universitetit të Durrësit dhe e Elbasanit ruhet me 140 mln lekë të vjetra. Në Universitetin e Elbasanit i janë kaluar 1.5 miliardë lekë i janë kaluar personit me inicialet F.Q paga bazë për punonjësit’.

Pasi abuzimet u bënë mediatike, drejtuesi i Qëndresës tregon se drejtuesit e universiteteve janë përpjekur të justifikojnë veten për të hedhur poshtë përfundimet e monitorimit, por kjo e ka thelluar dhe më tej këtë skandal. Këtu përmend rastin e Administratorit të Universitetit të Elbasanit, ku thotë se ka qenë vetë ai që u ka dhënë një dokument përgënjeshtrues mbi të dhënat e monitorimit, në të cilin zbulonte blerjen e 2 makinave ‘Hyndai’. “Drejtuesit e universiteteve kanë tentuar me të gjitha mënyrat ndikimin në vleresimet tona objektive mbi univeristetet por nuk ja kanë dalë. Rasti me flagrant që më shkon ndërmend është ai i Administratorit të U. ELBASANIT ku më telefonoi personalisht për të kundërshtuar provat tona dhe kjo telefonatë na rezultoi pozitive se nga dokumenti përgënjeshtrues qe na dergoi zbuluam blerjen e dy makinave të markës Hyndai nga universiteti për shkak se ato të vjetrat nuk ishin të denja për stafin akademik”, thotë Xhemollari për Pozitivin.

Intervista me Rigels Xhemollari ekskluzive për pozitivi.org:

Pozitivi: Para disa kohësh Qëndresa publikoi një monitorim, ku denoncuat nivele të larta të korrupsionit në universitete. Sa i efektshëm ka qenë denoncimi, çfarë ka ndryshuar pas publikimit të këtij rasti për të cilin u përfol shumë, në gjykimin tuaj? A kanë lëvizur institucionet, Studentët, qytetarët?

Rigels Xhemollari: Publikimet tona gjatë vitit 2018 në lidhje me nivelin e perceptimit të korrupsionit dhe menaxhimin financiar në universitetet publike mendoj se shërbyen si provë e vetme e pakundërshtueshme për të legjitimuar kërkesat e studentëve dhe për të mbajtur ngritur frymën e revoltës ndaj sistemit dhe qeverisë. Nuk po flas për një lidhje të drejtpërdejtë shkak – pasojë por për nxitjen e studentëve dhe dramaticitetin që ofronin shifrat që ne publikuam. Menjëherë pasi ndodhi protesta e studentëve edhe më skeptiku ndaj organizatës sonë hodhi sytë në raportet tona duke filluar nga kryeministri i vendit i cili i përdori për të akuzuar rektorët se shpenzonin shumë para për rojet dhe luksin, nga përfaqësuesit e MASR të cilët na kërkuan zyrtarisht të dhënat për të hartuar Paktin për Universitetin si përgjigje e problematikave studentore, nga, studentë, pedagogë, ndërkombëtarë, gazetarë dhe politikanë të tjerë të opozitës të cilëve u shërbenin për të argumentuar rrëzimin e ligjit 80/2015.

Pozitivi: A jeni përplasur ndonjëherë vetë me drejtuesit e universiteteve?

Rigels Xhemollari: Drejtuesit e universiteteve kanë tentuar me të gjitha mënyrat ndikimin në vleresimet tona objektive mbi univeristetet por nuk ja kanë dalë. Rasti me flagrant që më shkon ndërmend është ai i Administratorit të U. ELBASANIT ku më telefonoi personalisht për të kundërshtuar provat tona dhe kjo telefonatë na rezultoi pozitive se nga dokumenti përgënjeshtrues qe na dergoi zbuluam blerjen e dy makinave të markës Hyndai nga universiteti për shkak se ato të vjetrat nuk ishin të denja për stafin akademik. Rastet e tjera kanë qënë komunikime me rektorë për të saktësuar tëe dhënat që ne kemi publikuar. Kam pasur edhe perballje me ish-ministren dhe ministren aktuale por këto kanë qenë në prani të medias ose personave të tretë.

Pozitivi: Pas kësaj, çfarë po bën qëndresa për të ndihmuar në uljen e nivelit të korrupsionit, a keni në plan të ndërmerrni (ose a keni ndërmarrë) ndonjë fushatë që ndihmon në uljen e nivelit të korrupsionit?

Rigels Xhemollari: Qëndresa Qytetare ka themeluar Rrjetin e Studentëve “Arsimi në Fokus” të përbërë nga 30 studentë, përfaqësues të universiteteve të ndryshme publike për të krijuar një bërthamë që do të mbajë aktivizmin studetor gjallë duke reaguar dhe publikuar herë pas here të dhëna mbi problemet e studentëve. Nga ana tjetër me këtë grupim kemi nisur një seri trajnimesh profesionale mbi korrupsionin, transparencën, fuqizimin ligjor dhe monitorimin profesional të shërbimeve studentore në mënyrë që këta studentë të ndikojnë cilësisht në parandalimin e korrupsionit në universitetin e tyre duke e filluar këtë luftë së pari nga vetja e tyre e më pas tek shokët dhe studentët e tjerë.

Përvec trajnimeve, po me këta studentë kemi nisur një fushatë ndërgjegjësuese duke vizituar dhe diskutuar me institucionet që kanë rol në adresimin e problemeve që nxorri protesta e studentëve duke dorëzuar edhe faktet ap oprovat që ne disponojmë për pedagogë të vecantë apo përgjegjës të vecantë për situatën në arsim.

Pozitivi: Si duhet të funksionojë sistemi universitar, që të jetë në shërbim të studentëve dhe konform rregulloreve?

Rigels Xhemollari: Kohët e fundit kam dëgjuar të shprehen pedagogë, organizata dhe analistë mbi ligjin e  arsimit të lartë dhe ri-reformimin e sistemit arsimor. Qëndresa e ka shprehur edhe më parë dhe i qëndron filozofisë se sistemi përmirësohet duke pasur studentë të fortë, të informuar dhe që i kërkojnë llogari çdo ditë rektorit dhe dekanit. Cilado qoftë forma e organizimit të universitetit roli i studentit duhet të jetë qendror jo vetëm si përfitues dhe kërkues i të drejtave por edhe si pjesëmarrrës në qeverisjen e universitetit. Një nisëm që ne parashikojmë të ndërrmarim javët në vijim është propozimi drejtuar komisionit parlamentar të edukimit të rritjes së peshës së votës së studentëve në zgjedhjet akademike nga 10 në 20 %. Kjo do të rrisë peshën elektorale por automatikisht edhe fuqinë e studentëve brenda auditorëve.

Pozitivi: Si mund të luftohet korrupsioni? Ndoshta dhe ndonjë këshillë për qytetarët.

Rigels Xhemollari: Korrupsioni këto 28 vite është shndërruar në një kulturë në vendin tonë jo vetëm në sistemin arsimor por edhe në atë shëndetësor, administratën publike e me radhë. Por ky fenomen nëse kurohet në sistemin arsimor mund të sjellë efekte të shumëfishta pozitive edhe tek fushat e tjera pasi në universitet edukohen zyrtarët e së ardhmes. Lufta e parë fillon me veten, me studentin me shokun dhe pasi studentët të arrijnë të edukohen se ky fenomen shkatërron gjithë ekonomine, shoqërinë dhe të ardhmen e tyre do të zgjedhë për t’u reshtuar tek të ndershmit. Lufta ndaj korrupsionit nuk ndodh brenda një nate, duhen kohë, energji dhe politika specifike për të adresuar çdo rast dhe për të denoncuar shembuj konkretë. Këshilla ime për cdo qytetar është të bëjë detyrat e shtëpisë duke edukuar fëmijën me ndjenjën e dinjitetit dhe krenarisë të të punuarit me ndershmëri.

Pozitivi: A po monitoron ose a pritet të denoncojë Qëndresa në vazhdim ndonjë skandal të ngjashëm me korrupsionin në universitete? Nëse po mbi çfarë?

Rigels Xhemollari: Qëndresa Qytetare aktualisht po monitoron menaxhimin financiar të 7 universiteteve gjatë vitit akademik 2018 – 2019 duke përfshirë edhe periudhën gjatë së cilës studentët protestuan dhe brenda muajit mars do të dalim me nje raport paraprak. Ndërsa sa i takon politikave dhe masave qeveritare, në muajin janar kemi nisur monitorimin e “Paktit për Universitetin” në të gjitha termat përmbajtësorë dhe afatet që ky pakt parashikon. Nga ecuria e deritanishme shohim që disa politika janë ndërmarrë nën efektin e protestës dhe po shfaqin problematika në zbatim.

Pozitivi: Ndalojmë pak tek “Qëndresa Qytetare”. Kur është themeluar si organizatë dhe çfarë qëllimesh ka?

Rigels Xhemollari: Qëndresa Qytetare është themeluar në fund të vitit 2016 nga një grup profesionistësh të rinj dhe ka në fokus fuqizimin e qytetarit në shoqëri në funksion të përmirësimit të qeverisjes, forcimit të strukturave komunitare dhe promovimit të aktivizmit në Shqipëri. Për të arritur këtë qëllim qëndresa është përqëndruar në 4 fusha specifike me ndikim tek zhvillimi social – ekonomik i vendit që janë arsimi, kultura, mjedisi dhe komunisteti.

Pozitivi: Ju keni disa objektiva kryesore, cilat janë dhe sa mendoni se keni pasur sukses për ti realizuar që nga fillimi?

Rigels Xhemollari: Gjatë këtyre dy viteve kemi arritur të ngremë në nivel debati disa çështje të ndjeshme dhe të rëndësishme për qytetarët duke filluar nga ndërgjegjësimi për menaxhimin e mbetjeve në shkolla dhe edukimin e nxënësve me kulturën e ndërmjetësimit. Gjithashtu gjatë vitit të kaluar depozituam në Këshillin Bashkiak Tiranë një iniciativë qytetare për parandalimin e zhurmave me 200 firma nga banorët në kuadër të nismës “Pa Zhurmë”.

Pozitivi: Na tregoni pak më shumë për veten. Cili ka qenë rrugëtimi juaj përpara se të arrini të drejtoni këtë organizatë?

Rigels Xhemollari: Kam lindur dhe jam rritur në qytetin e Pogradecit, më pas studimet universitare për drejtësi i kam ndjekur në Universitetin e Shkodrës. Për katër vite kam shërbyer si lektor me kohë të pjesshme në Universitetin “Aleksandër Moisiu” të Durrësit në lëndën e kriminalogjisë. Nga periudha e studimeve e deri më sot nuk kam hequr dorë ansjë ditë nga aktivizmi dhe reagimi qytetar, herë si përfaqësues i shoqërisë civile e herë si pedagog. Prej vitit 2014 kam punuar si ekspert i jashtëm në disa organizata ndërkombëtare dhe vendase si Friedrich Ebert Stiftung, Konrad Adenauer, Leviz Albania dhe Instituti i Studimeve Politike në fusha si rinia, arsimi, zgjedhjet dhe korrupsioni.

Pozitivi: A jua ka bërë më të lehtë apo më të vështirë sistemi në Shqipëri për të realizuar qëllimet tuaja dhe arritjet në karrierë?

Rigels Xhemollari: Mundësia për të bërë karrierë në kryeqytet për çdo të ri që vjen nga qytete apo rrethina të tjera është thuajse i pamundur, pasi përballet me fenomene demotivuese si pabarazia, nepotizmi apo favorizimi i fëmijëve të politikanëve. Por në rastin tim ka ndodhur që dobësitë t’i kthej në forcë duke ju përkushtuar me vullnet çdo iniciative personale dhe duke mos u demoralizuar pas refuzimeve të njëpasnjëshme nga punëdhënës apo mbështetës të kauzave të propozuara. Suksesi shpesh buron nga qëndrueshmëria dhe vendosmëria në rrugën që nis dhe jo më kot ne sot jemi përkrah qëndrestarëve!

Keni përmendur favorizimin e fëmijëvë të politikanëve dhe suksesin e lidhur me fatin e një politikani. A ka pasur ndonjë tetantivë nga politika për t’ju përfshirë edhe ju?

Kur kam permendur fëmijët e politikanëve i jam referuar listës së bursave që shteti ynë mbështet për studime në universitetet më të mira në botë, dhe nëse i hedh një sy asaj liste do gjesh mbiemrat e deputeteve të parlamentit dhe zyrtarëve të lartë sikur vetëm ata të ishin të denjë, të aftë dhe ekselentët e vendit tonë.

Nuk besoj se i kam lënë hapësira partive apo eksponenteve për të pasur oferta ose kërkesa për të qenë pjesë e formacioneve politike pasi në retoriken dhe karrieren time kam qenë i qartë dhe i prerë që partite kanë përgjegjësinë më të madhe për situatën ku ndodhet vendi dhe arsimi sot.

Pozitivi: Prej sa kohësh jeni pjesë e shoqërisë civile? A ka qenë e vështirë për ju që sot të arrini të udhëhiqni një organizatë të tillë?

Rigels Xhemollari: Në vitin 2011 kam nisur angazhimin tim në shoqërinë civile si Koordinator i Parlamentit Rinor duke organizuar maturantë dhe studentë në protesta për arsimin, punësimin, të drejtën e votës dhe çështjet që shqetësonin në atë kohë rininë shqiptare. Eksperienca e gjatë qoftë në nivel ekspertize apo aktivizmi dhe njohja me individë të cilët ndanin të njëjtat parime dhe qëllime na i lehtësoi punën për të krijuar Qëndresën Qytetare. Ne funksionojmë të barabratë dhe të pavarur nga njeri tjetri për rolet që kemi brenda organizatës, por fakti që unë jam njohës i ligjeve dhe kam një eksperiencë të gjatë në fushën e OJF-ve më është besuar edhe përfaqësimi i qendrës duke më besuar pozicionin e Drejtorit Ekzekutiv.

Pozitivi: Cilat mendoni janë arritjet tuaja personale (dhe jo vetëm) më të mëdha?

Rigels Xhemollari: Në Shqipëri, sidomos kohët e fundit opinioni social është toksik për këdo që kërkon të krijojë, ndërmarrë apo shprehë një vullnet përtej politikës dhe lajmit të ditës. Prandaj mendoj se arritja më e madhe qoftë në planin personal por edhe në atë kolektiv me kolegët e Qëndresës është krijimi i një profili dhe zëri qytetar të pavarur dhe të lirë nga dominanca e partive politike dhe mbetjeve të mentalitetit komunist gjatë këtij tranzicioni të tejzgjatur.

Pozitivi: Si e shihni të ardhmen pak më të largët se kjo e afërmja, ku e mendoni veten?

Rigels Xhemollari: Të flasësh për të ardhmen është njëlloj si të shprehësh dëshira ose të shohësh endërr, pasi veta jeta e njeriut është një ndodhi e papritur. Por për një diçka jam i sigurt, nuk do të largohem nga Shqipëria dhe do të ndërtoj të ardhmen në këtë vend, me ose pa mirëqënie, me ose pa demokraci dhe do të përpiqem të jem në krahun e të mirëve në historinë e ndërtimit dhe zhvillimit të këtij vendi.

Pozitivi: Sa është fuqizuar Qëndresa me kalimin e kohës, çfarë strukture ka dhe cilës grupmoshë i përkasin anëtarët? Çfarë kërkoni nga qytetarët?

Rigels Xhemollari: Ne e kemi nisur me 1% mundësi për të pasur sukses me Qëndresën dhe kështu do të vazhdojmë të besojmë, jo vetëm për shkak se rruga është e vështirë por edhe se në qendër të filozofisë sonë është rezistenca dhe konsistenca. Pjesë aktive e jona përgjtihësisht janë studentë dhe të rinj profesionistë të cilët kontribuojnë cilësisht në aktivitetin tonë me informacion, ide, projekte dhe aksion konkret. Përgjithësisht jemi të fokusuar tek të rinjtë me vlera dhe dinjitet që i bëjnë ballë sistemit dhe fenomeneve negative në shoqrëi.

Pozitivi: Jeni në krye të një lëvizje që kërkon të fuqizojë  qytetarin. Sa i fortë është qytetari përballë pushtetarit, sipas jush?

Rigels Xhemollari: Formula e suksesit në cdo shoqëri demokratike është kjo; “sa më i fortë të jetë qytetari aq më shumë përmirësohet qeverisja, sa më shumë llogari kërkohet aq më pak mundësi për të vjedhur dhe sa më shumë marrim pjesë në zgjedhje dhe vendimmarrje aq më shumë përmirësohet vendimmarrja.” Fatkeqësisht modeli i suksesit i sërvirur në Shqipërinë e tranzicionit ka qënë i lidhur me fatin e një politikani të suksesshëm, pikërisht këtë synojmë të ndryshojmë, ta kërkojmë suksesin brenda vetes dhe të sfidojmë me qytetari dhe guxim.

Qëndresa Qytetare është dhe do të jetë hapësira për ata shqiptarë që besojnë tek pushteti i qytetarit dhe që janë të vendosur për të mos qenë pjesë e sistemit politik. Të jesh një qytetar me pushtet është më mirë se të pretendosh karrigen e një pushtetari.

Pozitivi: Ju padyshim që mund të konsideroheni një model për t’u ndjekur nga të rinjtë dhe qytetarët. Çfarë mesazhi keni për t’u dhënë?

Rigels Xhemollari: Faleminderit për komplimentin dhe vëmendjen kushtuar iniciativave tona në shoqërinë shqiptare. Nëpërmjet kësaj interviste keni bërë pikërisht detyrën që do i ngarkoja edhe çdo të riu shqiptar, keni hedhur sytë nga diçka pozitive që po ndodh dhe të gjithë duhet të shohim, vlerësojmë dhe lartësojmë të mirën, të ndershmen dhe gjërat pozitive që i ndodhin shoqërisë sonë, për ti kthyer ato në modele dhe për ti ndjekur në rrugën drejt karrierës. Do i ftoja të rinjtë shqiptarë që të sillen si qëndrestarë përballë korrupsionit, abuzimeve, emigrimit dhe fenomeneve negative që pengojnë sot zhvillimin e vendit.

 

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.