‘Në vend të luleve, mundëso një punë’, misioni i vajzave ambicioze për të punësuar gratë
13/03/2019
0 komente
Shpërndaje

‘Në vend të luleve, mundëso një punë’, misioni i vajzave ambicioze për të punësuar gratë

Sfidat e grave për të gjetur një vend pune janë të ndryshme. Barriera kryesore që ndikon në rritjen e papunësisë te gratë në përgjithësi i atribuohet perceptimit se ato kanë përgjegjësi ndaj familjes dhe punëve në shtëpi. Mospasja e pavarësisë për të realizuar të drejtat në shumë aspekte të jetës, perveç të tjerash reflekton  edhe në mungesën e aktivizimit të tyre në tregun e punës.

“Për 8 Mars, në vend të luleve, mundëso një punë”, është nisma më e re e ndërmarrë vullnetarisht nga vajza dhe gra ambicioze me ideale të larta, të cilat janë të realizuara profesionalisht. Qëllimi kryesor i nismës që lindi në ditën e dashurisë është sensibilizimi, nxitja dhe ndërgjegjësimi i grave dhe vajzave për të dashur më shumë veten. Misioni i vajzave është i qartë dhe në vetëm 3 javë kanë arritur të punësojnë disa gra.

Fizioterapistja Erisa Mane është një nga vullnetaret e kësaj nisme, që e ka filluar aktivitetin më datë 8 Mars, në ditën ndërkombëtare të  grave dhe vajzave. Gjatë një interviste të dhënë për pozitivi.org ajo na tregon më shumë për misionin e nismës, qëllimet kryesore dhe rrugën që ndjekin për të ndihmuar gratë që të integrohen në tregun e punës. “Duke dashur e respektuar veten, ne fitojmë dinjitet dhe një pozicion më të mirë në shoqëri. Të gjitha këto, i mundëson pavarësia ekonomike, pra, puna”, thotë ndër të tjera Erisa gjatë intervistës teksa flet për nismën.

Impakti i nismës ka qenë pozitiv që në hapat e parë. Erisa tregon se janë punësuar gra jo vetëm në Tiranë, por edhe në Elbasan, kështu që misioni i tyre do të shtrihet në mbarë Shqipërinë. “Aleatët apo bashkëpunëtorët tanë më të mëdhenj sigurisht që janë bizneset, ndaj postimi i vendeve të punës te rrjetet tona sociale (eventi ose funpage ne facebook) është hapi i parë drejt punësimit të grave. Pjesë tjetër e arritjes në destinacion, është trajnimi i grave dhe referimi për te kompania. Gratë dhe vajzat i kontaktojmë me email, në të cilin na nisin CV e tyre, ose i telefonojmë dhe i takojmë përpara se t’i dërgojmë për intervistë”, rrëfen vullnetarja në intervistën e plotë për Pozitivin.

Intervista ekskluzive me Erisa Mane për pozitivi.org:

Pozitivi: Kush është Erisa për të gjithë ata që s’të njohin?

Erisa Mane: Fillimisht dua të theksoj se Erisa është një vajzë me ideale të larta që ka aktualisht 8 vite që punon vullnetarisht për kauza të ndryshme sociale, mjekësore, për çështje që lidhen me mjedisin dhe sidomos ato me mbrojtjen e të drejtave të grave. Në profesion jam fizioterapiste, punoj si lektore në Universitetin e Mjekësisë Tiranë, por dita ime quhet totalisht e plotësuar, kur kam kryer në të dhe një nga aktivitetet e sipërpërmendura.

Pozitivi: Si quhet nisma juaj dhe përse bën fjalë?

Erisa Mane: Nisma “Për 8 Mars, në vend të luleve, mundëso një punë” lindi ditën e dashurisë, dhe qëllimi i saj kryesor (nisur edhe nga emri) është sensibilizimi, nxitja dhe ndërgjegjësimi i grave dhe vajzave për të dashur më shumë veten e tyre. Duke dashur e respektuar veten, ne fitojmë dinjitet dhe një pozicion më të mirë në shoqëri. Të gjitha këto, i mundëson pavarësia ekonomike, pra, puna!

Pozitivi: Sa vajza e keni ndërmarrë këtë nismë dhe si u bëtë bashkë?

Erisa Mane: Rrugëtimi ynë i përbashkët nisi në rrjetet sociale, ekzaktësisht në një event të krijuar nga ideatorja, Jonida, një vajzë modeste me kreativitet brilant. Të parat që e përqafuan, janë aktualish edhe ato që i dedikojnë më shumë kohë nismës. Dua t’i përmend të gjitha, nisur që nga grupi në të cilin përfshihem edhe vetë, i cili merret me databasën dhe postimet online: Albina, Mirza, Drane; tre vajza të mrekullueshme dhe shumë të organizuara në menaxhimin e rasteve dhe hedhjen e të dhënave në system. Grupi që shpërndan informacionin në periferi përbëhet nga: Greta, Mirjeta, Rajna, Lirie, Elona; të cilat punojnë me shumë vullnet në zona të ndryshme të Tiranës. Grupi i tretë menaxhon kërkesa dhe oferta pune të caktuara dhe në të bën pjesë: Emi, Vale, Edlira, Mimoza dhe Jolanda; vajza dhe gra motivuese për punëkërkueset.

Pozitivi: Cila ishte shtysa e parë që ju bëri të angazhoheni vullnetarisht dhe çfarë objektivash kryesore keni?

Erisa Mane: Misioni kryesor i nismës ishte realisht shtysa më e madhe. Ne jemi mbledhur për të ndihmuar njëra tjetrën, dhe nuk ka kënaqësi më të madhe se sa emocionet pozitive që merr në fund të ditës nga gratë që punësohen. Objektivat variojnë nga afatshkurtra deri te ato afatgjata, duke përfshirë këtu shpërndarjen e informacionit, ndërgjegjësimin e grave dhe vajzave, edukimin dhe trajnimin e tyre me grupe sipas niveleve për të pasur një intervistë pune të suksesshme, ndërmjetësimin dhe sigurisht qëllimi final është punësimi i tyre.

Pozitivi: Prej sa kohësh merresh me punë vullnetare? Çfarë kënaqësie të jep?

Erisa Mane: Në fakt, jo më kot u prezantova duke fokusuar punën vullnetare. Ajo më karakterizon dhe më qartëson të gjitha dyshimet që mund të kem në një periudhë të caktuar. Përpos përfitimeve emocionale, unë e shoh vullnetarizmin si një platformë e mirë, e cila të ndihmon të formohesh personalisht dhe profesionalisht. Kontaktet që krijon, idetë që ndan, informacionet, energjia pozitive e grupit, të bëjnë të njohësh disa anë të tuat, që as vet nuk e dije se i kishe. Në këtë nismë madje, jam përfshirë aq shumë fizikisht dhe emocionalisht, sa më duket sikur gratë dhe vajzat bashkëpunuese i njoh prej një jete. Në momentin që bëj dikë të lumtur, ndihmoj dikë vullnetarisht, gjej paqe shpirtërore. Më thuaj, duhen më shumë arsye, kur kemi kryesoren?

Pozitivi: Kur ka filluar rrugëtimi juaj për nismën? Nga kush mbeshteteni?

Erisa Mane: Aktualisht kemi tre javë që punojmë intensivisht. Mbështetja dhe përkrahja ka qënë masive nga të gjithë, prandaj gjej rastin të falenderoj të gjitha kompanitë, bizneset, organizatat, individë me impakt të lartë në publik dhe median që ishin aty që në hapat tona të para.

Pozitivi: Më 8 Mars keni zhvilluar një panair. Na trego trego si shkoi, çfarë ndodhi atë ditë?

Erisa Mane: Finalizimi i punës parapërgatitore, që përkon edhe me fillimin e punës së madhe reale ishte 8 Marsi, dita e gruas. Ne organizuam një minipanair pune, në sheshin Skënderbej, nga ora 09:00 deri në orën 16:00, të përbërë nga 15 tavolina rrumbullake të mbuluara me mbulesë të verdhë si ngjyra e mimozave. Disa biznese dhe organizata të cilat ofronin shume vende pune dhe trajnime falas, ishin pjesëmarrëse dhe komunikuan me punëkërkueset. Në çdo tavolinë qëndronim nga dy vullnetare dhe i ndihmonim gratë dhe vajzat të plotësonin formularët, të cilët ishin mbi 300 dhe momentalisht jemi duke i organizuar. Baneri ynë përmbante tre fjalë “Punë, Dinjitet, Progres”, për të shpjeguar forcën që ka një vend pune, apo pavarësia ekonomike, në jetën dhe dinjitetin e gruas, si dhe progresin e shoqërisë në tërësi. Feedbacku ishte shumë pozitiv. Ne iu përmbajtëm një programi që kishim krijuar, i cili përfshinte fjalimet tona, foninë muzikore, median prezente, familjarizimi me punë kërkueset si dhe përcjellja e një mesazhi sensibilizues.

Pozitivi: Si po i ndihmon gratë kjo nismë? Cila është rruga që ndiqni?

Erisa Mane: Nisma sapo ka startuar dhe janë punësuar disa gra dhe vajza, jo vetëm në Tiranë, por edhe në Elbasan, kështuqë misioni ynë i ardhshëm përkon me përhapjen e nismës në mbarë Shqipërinë. Aleatët apo bashkëpunëtorët tanë më të mëdhenj sigurisht që janë bizneset, ndaj postimi i vendeve të punës te rrjetet tona sociale (eventi ose funpage ne facebook) është hapi i parë drejt punësimit të grave. Pjesë tjetër e arritjes në destinacion, është trajnimi i grave dhe referimi për te kompania. Gratë dhe vajzat i kontaktojmë me email, në të cilin na nisin CV e tyre (mundesopune@gmail.com), ose i telefonojmë dhe i takojmë përpara se t’i dërgojmë për intervistë.

Pozitivi: Sa sukses keni pasur deri më tani? Sa gra keni punësuar? Na trego pak më shumë për rastet

Erisa Mane: Impakti i nismës është parë që në ditët e saj të para. Janë punësuar part time tre gra sanitare dhe full time një vajzë shitëse dhe një punonjëse sociale. Vajzat na falënderuan për mundësinë që i dhamë, por në fakt ne ndihemi mirë që po realizojmë misionin parësor. Presim përgjigje nga disa kompani që kanë intervistuar vajza dhe gra por akoma nuk kanë rekrutuar dikë.

Pozitivi: Cilës moshë i përkasin gratë dhe çfarë arsimi kanë përgjithësisht?

Erisa Mane: Duke parë të dhënat tona, po studiojmë target grupet. Në fakt, kemi nga të gjitha profesionet ama dallohen dy ndarje të mëdha: gra dhe vajza të paarsimuara, me profesione sanitare, rrobaqepëse e kujdestare dhe grupi tjetër: gra me një arsim të lartë dhe një CV shumë të mirë. Ndonjëherë stepemi, ndalemi dhe pyesim veten: A do ia dalim dot të arrijmë t’i punësojmë të gjjitha dhe ashtu siç duhet? Përgjigja, për fat të mirë është: “Po!”, sepse përveç vullnetit, dëshirës dhe punës sonë të madhe, ne përditë na shtohen kompani, biznese e fabrika që na kërkojnë persona të kualifikuar, përveç atyre profesioneve që tashmë i kemi seleksionuar e sistemuar disi.

Pozitivi: Si i targetoni, domethënë si arrini te gratë e papuna? Vetëm në Tiranë apo dhe nëpër rrethe do e shtrini aktivitetin vullnetar?

Erisa Mane: Për momentin kemi punuar me zonën e Kasharit, Saukut, Kominatit dhe po vazhdojmë deri në zonën e Kamzës. Hasim vështirësi dhe problematika të ndryshme me gratë dhe marrëdhënien e tyre me punën. Fokusi kryesor janë pikërisht këto gra, tek të cilat informacioni nuk shkon veç përmes rrjeteve sociale. Gjithashtu nevojitet një bisedë e gjatë me to, që të arrihen objektivat e nismës.

 Pozitivi: A ka pasur raste që ju kanë kontaktuar?

Erisa Mane: Po, përgjithësisht, para panairit, ku u plotësuan formularët hardcopy, të gjitha kontaktet i kishim online. Tani vazhdojmë me të dyja mënyrat, dhe rezultojnë shumë efektive dhe efiçente.

Pozitivi: Jeni shprehur se si qëllim kryesor keni sensibilizimin e grave që të kërkojnë punë. Në cilat zona e shihni sensibilizimin si më problematike?

Erisa Mane: Problematika në pjesën e arsimit apo profesionalizmit të grave dhe ndonjëherë edhe mungesa e dëshirës për punë, shihen te zona e Bregut të Lumit, ndërkohë që në fshatrat e vogla rreth kryeqytetit vecojmë një motivim të ulët e mungesë vetëbesimi te gratë dhe vajzat. Disiplinat e problemeve në këto zona janë të shumta dhe të ndryshme, por mendoj se punësimi i grave, do të sillte efekte pozitive edhe në zgjidhjen e ngërçeve sociale.

Pozitivi: A keni pasur mbështetje nga aktorë ose personazhë të caktuar me impakt publik?

Erisa Mane: Kemi pasur mbështetjen morale të shumë artistëve, por dua të përmend ata që ishin me ne që ditët e para, dhe madje që bëjnë pjesë në grupet tona të komunikimit: Rajna Kovaci, Edlira Çepani, Ema Andrea, Aulona Musta dhe te tjera që na shkruajnë herë pas here.

Pozitivi: Cilat jane sfidat dhe vështirësitë që hasin gratë për t’u përfshirë në tregun e punës sipas teje?

Erisa Mane: Mendoj se në krye të listës qëndron mentaliteti. Vetëm ai i sjell radhë sfidat dhe vështirësitë për kërkimin e punës, realizimin e intervistave dhe vetë procesin e punësimit të gruas. Ne duam të ndërhyjmë edhe te ndryshimi i këtyre mendësive që pengojnë femrën të jetë e pavarur ekonomikisht.

Pozitivi: Cilat janë planet e ardhmshme për nismën, çfarë do presim?  

Erisa Mane: Grupi drejtues i nismës, pasi konsulohet me të gjitha grupet e punës, ri-update-on një strukturë për vazhdimësinë e suksesshme të çdo disipline ku ne operojmë. Tani po merremi me trajnimin e grave dhe vajzave, punësimin e tyre si dhe shpërndarjen e informacionit në periferi duke organizuar aktivitete si “Gratë ecin”, në të cilin mblidhemi vullnetarisht për të bërë ecje, hiking, piknik larg Tiranës. Në të gjitha vendet ku do të shkojmë do të takojmë gra t’i informojmë dhe do të shpërndajmë dhe ngjisim postera e fletëpalosje kudo. Objektiv tjetër është plotësimi i formularëve dhe kontakti me bizneset për vende pune të lira, në mënyrë që kur të ripërsërisim panairin, të bëjmë një rezyme sa më produktive të kohës në të cilën po angazhohemi tani. Dua të rikujtoj se grupit mund ti bashkohet çdo vajzë dhe grua e cila ka kohë dhe dëshirë të ndihmojë vullnetarisht vajza dhe gra të tjera për tu punësuar. Na kontaktoni në email ose rrjete sociale.

 

 

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.

Komentet

Asnjë Koment Ju mund të jeni i pari që të komentoni!

Shkruani një Koment

Të dhënat tuaja janë të sigurta! Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet dhe të dhënat tuaja nuk do të shpërndahen me persona të tretë. *