Në Shqipëri ishte ‘ngelës’, sot punon në Parlamentin gjerman: I lumtur që ia dola me forcat e mia
Historia e suksesit të një 26 vjeçari nga Fieri tregon se nëse nuk heqim dorë dhe punojmë fort, do vijë dita që cilësitë tona do të vlerësohen. Bëhet fjalë për Henri Haxhiraj, një 26-vjeçar nga Fieri i cili sot punon si bashkëpunëtor shkencor në Parlamentin gjerman.
26 vjeçari i lindur në Fier, kreu studimet bachelor në Fakultetin Ekonomik të Tiranës në vitet 2010-2014. Në atë kohë ai tregon për DW se ka qenë ngelës për shkak se arsimi nuk ka funksionuar siç duhet. Mgjithatë përgjegjësinë kryesore ia lë edhe vetes.
Në vitet 2016-2018 kreu studimet master në degën Sustainable & Environmental Management pranë Universitetit të Eberswalde-s në Gjermani. Studimet i ka financuar vetë, duke punuar si shitës, në një dyqan suvenirësh. Ai shprehet se ka qene e vështirë sepse për të punuar ka sakrifikuar shumë aktivitete sociale. Megjithatë s’ka asnjë pendesë dhe është i lumtur që ia ka dalë me forcat e tij. Në vitin 2017 kreu një praktikë në Bundestag kurse prej prillit 2018 punon si bashkëpunëtor shkencor në parlamentin gjerman.
Por nuk përfundon me kaq. I riu ka qenë edhe pjesë e botës së modelingut në vendin tonë rreth katër vite më parë. Në një intervstë për “Deutsche Welle” ai tregon për periudhën e studimeve në Shqipëri dhe jashtë. “Nuk e kam për turp të them që kam qenë ngelës gjate studimeve bachelor në Fakultetin e Ekonomisë. Padyshim qe përgjegjësia kryesore ka qenë e imja, por shume gjëra në atë Fakultet, në gjykimin tim, nuk funksionojnë siç duhet. Nga shpërndarja e informacionit, tek marrëdhënia me profesorët, tek vlerësimi, tek mësimdhënia, etj. Ne studionim me një kurrikul që analizonte biznesin e para 30 viteve dhe ato njohuri nuk ishin fare të nevojshme në tregun aktual. Megjithatë, aty kam njohur edhe profesorë te shkëlqyer, të cilët përpos kushteve te këqija, pagesës së ulët dhe burokracisë së panevojshme, kane zhvilluar një mësimdhënie shembullore”, thotë ai.
Përsa i përket studimeve në Gjermani tregon se pavarësisht vështirësive dhe sakrificave ka pasur një eksperiencë të bukur. “Si student në Gjermani kam pasur përvojën me të bukur. Studimin tim e kam financuar vetë, duke punuar si shitës, çdo javë nga 20 orë (10 të shtunave e 10 të dielave) në një dyqan suvenirësh. Ka qene goxha e vështire të gjeja kohën për gjëra të tjera dhe më është dashur të sakrifikoj shume aktivitete sociale, megjithatë nuk ndiej pendesë. Jam i lumtur që ia kam dalë me forcat e mia. Studimi akademik në Gjermani mua nuk më ka formuar vetëm në anën akademike, por më ka mësuar edhe t’i analizoj problemet e ndryshme në mënyrë të strukturuar. Gjatë studimit në Gjermani mësova edhe diçka: Kur lufton për atë qe do, mund ta arrish”.
© 2019, Pozitivi. All rights reserved.