Në rrugë, në mes të shiut, gjyshi nga Berati rrëfen lidhjen me Veliajn: Kam pirë raki sa jam dehur me të
23/10/2017 Shpërndaje

Në rrugë, në mes të shiut, gjyshi nga Berati rrëfen lidhjen me Veliajn: Kam pirë raki sa jam dehur me të

Që në orët e hershme të mëngjesit, rrebeshët e shiut binin pa u ndalur. Prej motit të keq në rrugët e Tiranës njerëzit kalonin me ngut në të gjitha anët, ndërsa një i moshuar qëndronte ulur në karrigen e vjetër. Në zonën e Astirit, pak më poshtë “Sheshit Shqiponja”, në trotuar qëndronte 82 vjeçcari Mehmet Aderraj, shkruan pozitivi.org.  Çadrën e mbante mbi krye, tezga e vogël me rigon, spec, erëza dhe fara qëndronte përpara këmbëve të tij dhe qytetarëve, e mbuluar me plastmas.

Dëgjoheshin vetëm pikat e shiut dhe zhurma e makinave që encin me shpejtësi. Pak më vonë edhe zëri i 82 vjeçarit. Mehmet Aderraj gjatë një interviste për Pozitivin tregon se është me origjinë nga Berati dhe prej gati 12 vitesh jeton në Tiranë tek djali. Po kaq vite sa ka në Tiranë aq vite ka dalë duke shitur me tezgën e tij, të vogël në Astir. Nga fshati u largua si shumica për të ardhur në qytet, duke zgjedhur Tiranën. Jetesa në Tiranë i duket e vështirë, sapo i përmenda fshatin sytë i shkëlqenin dhe zemra iu bë mal.  Ndërsa e pyes nëse është penduar që ka ikur nga Berati shprehet kështu: “Shumë fare… thoshin të parët, guri e ka peshën në vendin e tija… Kështu që Tirana është shumë e vështirë, shumë e vështirë…”.

Gjatë bisedës shpeshherë ka përmendur se djalin e ka oficer. Tashmë është 82 vjeç, ka një pension prej 150 mijë lekësh, një pjesë e të cilave i shkojnë ilaçe. Mehmeti tha për pozitivi.org se në ditë, me produktet që shet mund të fitojë 100 lekë të vjetra, pasi njerëzit nuk blejnë. Më shumë del të shtyjë kohën, sepse puna siç thotë ai të shton jetën. “Puna është e vështirë por çfarë të bëj, shtëpitë i kam me qera, marr 150 mijë lekë pesion, më duhen 30 mijë lekë të laj qeranë e shtëpisë.  Puna është e mirë. Të shton dhe jetën. Në kat të pestë ditë natë quhesh i vdekur, ndërsa këtu kalon dhe koha, marrim dhe ato 5 lekë”, tha Mehmeti për Pozitivin.
I moshuari mes kësaj kohe dhe kohës në Enverit ka zgjedhur këtë të dytën, një arsye është jetesa e lehtë.  “Atëherë ishte jeta e njeriut. Ishte 100 herë më mirë. Ziheshe me gruan, një të marrë 100 lekë në xhep, një të vajt në kulb, 3 dopjo raki, djath e vije tap-top në shtëpi. Haroje se je zënë me gruan. Sot një kafe e qelbur atje do 500 lekë”, tha 82 vjeçari.

Mirëpo në fund të bisedës, nuk qëndroi pa thënë dy fjalë për kryetarin e Bashkisë Erion Veliaj dhe familjen e tij.  Mehdiu tha për Pozitivin se ka qenë shumë afër me fshatin e stërgjyshit të Veliajt, në Berat, ndaj shumë shpesh janë dehur së bashku. Shumë shkurt, këto fjalë thotë për familjen e kryetarit: “Atë Erion Veliajn e takon ndonjëherë ti? Se andej nga unë është, i kemi pasur ngjitur fshatrat në Berat. I kam njohur stërgjyshin atij unë, kam pirë raki sa jam dehur me të. Janë familje e mirë shumë, shumë familje e mirë. Bile ai ka mbajtur 3 italianë në kohën e luftës dhe punonte bashkë me ta tokat, stërgjyshi i Erjonit”.

Gjyshi nga Berati, i urtë, i mençur por ishte dhe pak tekanjoz. Familjen e kryetarit të Bashkisë së Tiranës që e njihte shumë mirë e lavdëroi pa masë por për vetë Veliajn, teksa buzëqesh kështu  e krahason me stërgjyshin e tij. “Veliaj, as te thoji i këmbës… (qesh)”. Në ato momente shiu filloi të binte pak më me vrull, e bisedën e mbyllëm deri tek dëshira e fundit e 82 vjeçarit. “Në Berat vete shpesh se kam çunat unë atje. Kam vëllezërit, nipërit, motrën, tërë fisin e kam atje, një djalë kam këtu. Do doja të kthehesha shumë, me zemër jam atje, por s’kemi moshë më tani…”.

Rrëfimi i Mehmet Aderraj, 82 vjeçarit nga Berati për pozitivi.org:

Unë jam 81 vjeç dhe kam pasur djalin në shkollën e oficerave. Tirana ka qenë shumë e vogël por në kohën e demokracisë ikën nga fshati njerëzit, e braktisën fshatin të gjithë.

P: Nga cili vend jeni?

Mehmet: Unë jam nga Berati. U braktis fshati i gjithë atëherë, të gjithë shkuan Tiranë-Durrës, ka ngelur e shkretë toka andej.

P: Prej sa kohësh dilni këtu?

Mehmet: Po bëj nja 12 vite. Në zonën e Astirit. Kam blerë dyqan mishi këtu, por punë s’ka. Hodhi djali 150 milionë lekë djali e bleu dyqanin dhe i ka vënë kycin dhe ka vajt yzmetçar tani punon. S’ka punë, mbaroi puna.

P: Çfarë shisni këtu, tek kjo tezga e vogël që mbani në rrugë?

Mehmet: Rigon, spec, erëza, kështu gjërash…

P: Po edhe kur bie shi dilni, çdoherë?

Mehmet: Jo kur bie shi nuk dal, ndonjëherë edhe mundet… sot më gënjeu koha. S’kemi çfarë bëjmë, dalim nga halli.

P: A blejnë njerëzit?

Mehmet: Jo jo, por kur bëjmë jalla i bëfsha 1 mijë lekë (të vjetra) në ditë. Hiç fare… Shpitë i kam me qera, po bëjmë nja 8-9 vjet që ka dhënë paratë djali, por pllati s’ka mbaruar ende.

P: Jeni penduar që keni ardh nga Berati?

Mehmet: Shumë fare… thoshin të parët, guri e ka peshën në vendin e tija… Kështu që Tirana është shumë e vështirë, shumë e vështirë…

P: Shqetësime nga Bashkia keni pasur?

Mehmet: Për vete marrin 2-3 milionë në muaj e sa vjedhin, e ne s’na lënë…

P: Ku keni punuar më herët?

Mehmet: Kam punuar në ndërmarrje Bujqësore ngjitur me Beratin, në Iznov. Atëherë ishte jeta e njeriut. Ishte 100 herë më mirë.

P: Pse ishte më mirë atëherë?

Mehmet: Ziheshe me gruan, një të marrë 100 lekë në xhep, një të vajt në kulb, 3 dopjo raki, djath e vije tap-top në shtëpi. Haroje se je zënë me gruan. Sot një kafe e qelbur atje do 500 lekë. U sëmura para një jave dhe më çoi djali në spital, te “Nënë Tereza”, me kartat që marr ilaçet. Për 2 orë e gjysmë 54 mijë lekë më morën, jetë është kjo! Në kohën e Everit më plasi  stomaku në 73-in, u operova në Berat.

Më dhanë 3 muaj raport, atëherë mirë që më solli djali në Spitalin Ushtarak se ishte oficer, pastaj më dhanë 3 muaj raport. U operova para 2 vjetësh nuk e di sa miliona kanë shkuar. Më hoqën nja 1 metër zorrë, u bënë 2 vjet e gjysmë dhe prap u sëmura… Po pse shtet është ky. Me qenë shtet e me qenë burra këta nga Fatos Nano dhe deri tek i fundit Edi Rama nuk do ketë vend si i joni në botë, se Shqipëria është Flori, është e pasur, se çfarë do ti miniera. Apo s’kemi dete, s’kemi ujë, s’kemi pyje… S’kemi shtet janë të tërë hajdutë.  Gjermania lindore ka qenë parti komuniste dhe është kthyer 99 me neve bashkë, si Gjermania tani s’ka, pse? Se këtu s’ka shtet.

Atë Erion Veliajn e takon ndonjëherë ti? Se andej nga unë është, i kemi pasur ngjitur fshatrat në Berat. I kam njohur stërgjyshin atij unë, kam pirë raki sa jam dehur me të. Janë familje e mirë shumë, shumë familje e mirë. Bile ai ka mbajtur 3 italianë në kohën e luftës dhe punonte bashkë me ta tokat, stërgjyshi i Erjonit. Shumë të mirë e punëtorë.

P: Po Veliaj si iu duket, i ka ngjarë stërgjyshit?

Mehmet: Veliaj, as te thoji i këmbës… (qesh)

P: Për sa kohë do vazhdoni të dilni këtu, të shisni në rrugë?

Mehmet: Puna është e vështirë por çfarë të bëj, shtëpitë i kam me qera, marr 150 mijë lekë pesion, më duhen 30 mijë lekë të laj qeranë e shtëpisë.  Puna është e mirë. Të shton dhe jetën. Në kat të pestë ditë natë quhesh i vdekur, ndërsa këtu kalon dhe koha, marrin dhe ato 5 lekë.

P: Po në Berat shkon shpesh?

Mehmet: Në Berat vete shpesh se kam çunat unë atje. Kam vëllezërit, nipërit, motrën, tërë fisin e kam atje, një djalë kam këtu. Do doja të kthehesha shumë, me zemër jam atje, por s’kemi moshë më tani…

 

 

© 2017, Pozitivi. All rights reserved.