Në njësinë 5, qytetarët rrëfejnë për problematikat
09/01/2019 Shpërndaje

Në njësinë 5, qytetarët rrëfejnë për problematikat

Angazhimi i publikut në vendimarrjen e organeve të qeverisjes vendore është një vlerë e shtuar në një sistem demokratik. Në kuadër  projektit “Oyet qytetarin” u zhvilluan anketa me qytetarët e kësaj njësie me qëllim për të evidentuar problematikat që kanë banorët e kësaj njësie. Synimi final është që këto rekomandime ti bëhen prezente kandidatëve të ardhshëm të bashkisë së Tiranës dhe administratës së tanishme, për t’i orientuar drejt zgjidhjes.

Për këtë arsye ndaluam në njësinë numër 5, ku kryesisht është mbuluar zona e Vasil Shantos dhe Selitës. Një nga investimet më të mëdha të kryera në këtë njësi është zona e Liqenit Artificial të Tiranës, ku dallimi është lehtësisht i kapshëm me sy të lirë.

Përveç pemëve të famshme, që janë mbjell në çdo cep të Tiranës, liqeni është pastruar. Në funksion të tij është dhe një mol, i cili akseson qytetarin për te varkat. Ja pra ku u shtua dhe në atraksion turistik. Ende është në pikëpyetje nëse janë përdorur varkat apo jo. Janë ndërtuar korsitë e reja, brenda parkut por dhe në shëtitoren e digës, si dhe është ndërtuar parku i ri i lojërave multifunksional. Art Turbina është një investim tjetër, i cili ka sjellë shumë diskutime mes qytetarëve. Megjithatë është aty, qëndron i fortë, dhe aktualisht është Teatri i ri Kombëtar.

Investime të tjera në njësinë numër 5, të cilat i kanë kryer punë qytetarit të thjeshtë, janë ura e re pranë Unazës së Madhe, në zonën e Selitës. Gjithashtu përmendim rrugë të shtruara dhe sinjalistika të reja si korsi biçikletash, vijëzime, trafikndarëse etj. Raste konkrete janë sheshin “Frederik Shopen”, rruga “Ibrahim Rugova”, rruga “Sulejman Delvina” etj. Kryesisht pranë të gjithë njësisë janë bërë ndërhyrje në kanalizime dhe shtrime rrugësh, sinjalistikë, ndriçim dhe gjelbërim të shtuar.

Ka plot aspekte të kësaj zone, të cilat besojmë se janë lënë pas dore. Këto nuk janë mendimet tona, por fjalë aktuale të qytetarëve të njësisë 5, të cilët nëpërmjet anketës së realizuar kanë shfaqur opinionin e tyre. Anketa e ndarë në 10 pyetje me alternative cilësuese, ka marr në studim 100 qytetarët të moshave të ndryshme, mbi jetesën në komunitet dhe sa të kënaqur janë me kushtet e momentit. Në pyetjen numër 5: “Si e vlerësoni mbledhjen dhe largimin e ujërave të shiut dhe mbrojtjen nga përmbytjet në zonën tuaj?”, nga 100 persona, 15 vetë janë përgjigjur “Shumë Keq”, 25 e kanë cilësuar “Keq”, 35 kanë thënë “Mjaftueshëm”, dhe vetëm 25 persona janë përgjigjur pozitivisht me “Mirë” dhe “Shumë Mirë”. Ky problem shqetësues rritet ndjeshëm, teksa i afrohemi muajve të shirave të rrëmbyer.

Mund të përmendim specifikisht rrugën “Bedri Dedja” që ka nevojë të menjëhershme për ndërhyrje në kanalizime, dhe rrugën “Viktor Eftimiu”, që pavarësisht kanalizimeve, nuk është shtruar akoma. Rruga “Valentina Pristoli” është kthyer në njw shqetësim për kryeqytetasit. Përballë centralit, në këtë rrugë, është krijuar një grumbull plehrash, ku duket qartazi se një ndërtesë është prishur dhe ambienti nuk është pastruar. Trotuari ka nevojë për rregullim. Mbarëvajtja e pastrimit dhe plehrave është ende problem, koshat ose janë të tejmbushur ose mungojnë.

Në njësinë numër 5 janë kryer investime të mëdha në infrastrukturë dhe shërbime, kryesisht në kopshte e shkolla. Janë shtuar në numër vendparkimet dhe parqet e lojrave për fëmijë. Ama sheshi para shkollës “Besnik Sykja” ka nevojë për restaurim, dhe të vihet në funksion si parkim ose si kënd lojërash. Momentalisht ky shesh është kthyer në parkim personal për banorët e zonës. Një tjetër hapësirë të cilën mund ta mirëshfrytëzojmë për një kënd lojrash është rruga “Vëllezërit Hobdari” ku hapësira në lagje ka vetëm dy lisharëse dhe asgjë më tepër. Ky shesh mund të kthehet në një hapësirë shplodhëse për banorët dhe fëmijët. Përsa i përket çështjes së hapësirave publike, shkollave e çerdheve, të anketuarit e njësisë numër 5 janë treguar më pak të rreptë. Shumë prejt tyre shprehen të kënaqur. Të pyetur për parqe, lulishte, per shkollat e kopshtet, 53% e tyre janë përgjigjur me “Mirë” dhe “Shumë mirë”, ndërsa vetëm 15% janë shprehur të pakënaqur nga gjendja aktuale, dhe pjesa e mbetur kanë dhënë përgjigjen “Mjaftueshëm”.

*Ky shkrim është realizuar në kuadër të projektit “Pyet qytetarin” të Qendra Media dhe Cështjet Shoqërore, mbështetur nga LëvizAlbania.

 

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.