Nderohet me medalje nga Ambasada Ruse, Marilo Meta një model suksesi për të rinjtë
18/02/2019 Shpërndaje

Nderohet me medalje nga Ambasada Ruse, Marilo Meta një model suksesi për të rinjtë

“Të vraposh pas pasionit, punës dhe suksesit me integritet…”

Marilo Meta, Presidenti i organizatës ndërkombëtare LDA, Leadership Development Association Albania & Kosova është kthyer në modelin më të mirë për të rinjtë.

Ambasadori i Rusisë në Tiranë, Aleksandër Karpushin, disa ditë më parë në një takim me aktivistin e organizatave rinore, i dorëzoi atij një medalje përkujtimore dhe një diplomë honorifike të firmosur nga Presidenti i Rusisë Vladimir Putin. I kontaktuar nga pozitivi.org Marilo tregon se ky vlerësim iu bë “për kontributin e dhënë në përgatitjen dhe zhvillimin e Festivalit të XIX-të Botëror të Rinisë dhe Studentëve në vitin 2017 në Soçi”. Ai ka qenë ideatori dhe promotori kryesor i vizitës së delegacionit të të rinjve shqiptarë në Rusi, ku vendi ynë për herë të parë u përfaqësua në Festivalin Botëror.

Marilo është vetëm 26 vjeç por ka një karrierë të sukseshme. Ka kryer studimet bachelor për Menaxhim të Teknologjisë së Informacionit, kurse masterin për Inxhinieri të Sistemeve Kompjuterike. Ka më shumë se 7 vite i angazhuar në organizata të shoqërisë civile, ka punuar në Drejtorinë Vendore të Policisë së Shkodrës, në Ministrinë e Financave dhe Ekonomisë, ndërsa së fundmi është kthyer në Tiranë, pas një eksperience një vjeçare pune në Partneritetin e Qeverisë së Hapur në Washington DC, të Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Aktualisht drejton komunitetin Trailblazer Nonprofit Albania, ku synimi është promovimi i teknologjisë, inovacionit të kompanisë numër 1CRM Amerikane, Salesforce me bazë në San Francisco, California si dhe është në krye të LDA.

26 vjeçari ka punuar për fuqizimin rinor në shkëmbimet ndërkombëtare, për të promovuar paqen, solidaritetin dhe drejtësinë sociale. Falë aktiviteteve që ka ndërmarrë me organizatën LDA, jo vetëm ka nxitur në krijimin e marrëdhënieve miqësore midis 2 komuniteteve rinore të dy vendeve Rusi-Shqipëri, por e ka promovuar Shqipërinë në sytë e të huajve.

Gjatë intervistës së dhënë për Pozitivin ndërsa ndalet te organizata LDA, tregon se “angazhohet në menaxhimin e përgjithshëm të organizatës dhe eventeve, konferencave, shkëmbimeve ndërkombëtare për fuqizimin e potencialit/lidershipit të të rinjve, zhvillimi i aftësive personale dhe profesionale tek të rinjtë”. Nëse keni ëndërruar ndonjëherë të jeni pjesë e një konference të stilit ndërkombëtar, tashmë keni mundësinë ta bëni realitet. Aktivisti tregon se më 23 Shkurt, LDA organizon samitin zinxhir LEAPin Tirana 2019 për të tretin vit rradhazi, ku do të bëjë bashkë 15 folës të suksesshëm nga fusha të ndryshme.

Intervista me Marilo Meta ekskluzive për pozitivi.org nga Beklie Koltraka:

Pozitivi: Disa ditë më parë Ambasadori i Rusisë në Tiranë, Aleksandër Karpushin të priti në një takim ku të dhuroi një medalje përkujtimore dhe një diplomë të firmosur nga Presidenti i Rusisë Vladimir Putin. Cili ishte qëllimi i këtij takimi dhe përse e morët ju atë medalje?

Marilo Meta: Qëllimi i ftesës në Ambasadën e Rusisë në Tiranë ishte dorëzimi i medaljes përkujtimore dhe diplomës honorifike të firmosur nga Presidenti i Federatës Ruse Z. Vladimir Putin “për kontributin e dhënë në përgatitjen dhe zhvillimin e Festivalit të XIX-të Botëror të Rinisë dhe Studentëve në vitin 2017 në Soçi”.

Si drejtues i organizatës ndërkombëtare Leadership Development Association (LDA) Albania & Kosovo, nisa bashkëpunimin dhe promovimin e vizitës së delegacionit të të rinjve shqiptarë në Rusi, ku Shqipëria për herë të parë në histori u përfaqësua në Festivalin Botëror.

Këtu nuk mund të lë pa falënderuar organizatorët e World Festival of Youth and Students 2017 për punën e tyre të palodhshme në drejtimin dhe mbarëvajtjen e festivalit më të madh botëror me plotë 30.000 pjesëmarrës nga 185 shtete të botës.

Pozitivi: Si shkoi vizita me ambasadorin?

Marilo Meta: Dua të falënderoj për mikpritjen e ngrohtë dhe vlerësimin e Ambasadorit të Federatës Ruse në Shqipëri Z. Aleksandër Karpushin dhe stafin e ambasadës. Një pritje e tillë jo vetëm që lë mbresa për një të ri por edhe e motivon atë për të patur progres në punën, karrierën e tij, duke u vlerësuar dhe mbështetur në iniciativat rinore. Dëshiroj të përmend falënderimin e përzemërt nga Ambasadori Karpushin për angazhimin tim dhe nxitjen e suksesit të mëtejshëm drejt progresit të marrëdhënieve miqësore midis komuniteteve rinore të dy vendeve tona.

Pozitivi: Si e pritët këtë vlerësin?

Marilo Meta: Si fillim dëshiroj të falënderoj për medaljen përkujtimore dhe diplomën honorifike, Presidentin e Federatës Ruse Z. Vladimir PUTIN. Për mua ishte një nder të merrja këtë vlerësim honorifik, gjë që më shtyn më tej të angazhohem dhe të punoj për fuqizimin rinor në shkëmbimet ndërkombëtare, për të promovuar paqen, solidaritetin dhe drejtësinë sociale.

Pozitivi: Ju keni qenë ideatori dhe promotori kryesor i vizitës së delegacionit të të rinjve shqiptarë në Rusi, ku Shqipëria për herë të parë u përfaqësua në Festivalin Botëror. Cili ka qenë roli juaj në këtë aktivitet?

Marilo Meta: Prej disa vitesh drejtoj organizatën ndërkombëtare LDA, të regjistruar në Shqipëri dhe Kosovë përpos 30 shteteve të tjera. Gjatë angazhimit tim në një konferencë ndërkombëtare shkëmbyem kontaktet me organizatën drejtuese Roscongress të WFYS 2017 në Rusi. Kam mbajtur lidhjet e vazhdueshme që nga muaji mars i vitit 2017, që do të thotë 7 muaj para eventit WFYS tetor 2017 në Rusi. Gjatë periudhës 7 mujore kemi bashkëpunuar për përzgjedhjen dhe përgatitjen e delegacionit Shqiptar në event. Organizata LDA mori patentën si NPC (National Preparatory Committee) për Shqipërinë. Së bashku me të rinjtë nga Lugina e Preshevës patëm një frymë shumë të mire bashkëpunimi para, gjatë dhe pas eventit, ku përfaqësuesit e LDA Albania janë ftuar në mediat e Luginës së Preshevës dhe nga Kryetari i Komunës Z.Shqipërim Arifi për vlerësim në bashkëpunimin rinor Shqipëri – Luginë e Preshevës.

Pozitivi: Çfarë keni bërë për të nxitur marrëdhënie miqësore midis 2 komuniteteve rinore të dy vendeve?

Marilo Meta: Duke përmendur periudhën 7 mujore para eventit ku kam angazhuar organizatën dhe aktivistët e organizatës në bashkëpunimin me komunitetin rinor në Rusi, kërkuam dhe rezervuam stendën e Shqipërisë në hollin e stendave në Sochi të Rusisë, bashkëpunuam me spotet rinore duke kaluar përshëndetjet nga një shtet në tjetrin. Këtu mund të përmend spotin rinor të publikuar si në Shqipëri dhe në Rusi nga organizata LDA ku falënderonim Kamerunin për kalimin e ftesës, prezantonim kulturën, traditën dhe turizmin Shqiptar dhe i kaluam ftesën Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Bashkëpunimi vazhdoi dhe u fuqizua më tej në Sochi të Rusisë, midis 30.000 pjesëmarrësve duke shkëmbuer idetë, projektet, vizionet por edhe problematikat aktuale nga të rinjtë e shteteve të ndryshme.

Pozitivi: Me aq sa kam parë je shumë aktiv në organizata rinore. Na trego më shumë për angazhimet e tua?

Marilo Meta: Kam mbi 7 vite angazhim në organizatat e shoqërisë civile, organizatat jo-fitimprurëse, duke përmendur AIESEC ku kam pasur pozicionin Vice President for Marketing, AEGEE Tirana ku mbaja pozicionin Marketing Manager dhe aktivizimin në Rotary Club Tirana dhe ANYN.

Sapo jam kthyer në Tiranë, pas një experience një vjeçare pune në Partneritetin e Qeverisë së Hapur (Open Government Partnership) në Washington DC, Shtetet e Bashkuara të Amerikës.

Aktualisht në pozicionin e Presidentit për LDA Shqipëri dhe Kosovë angazhohem në menaxhimin e përgjithshëm të organizatës dhe eventeve, konferencave, shkëmbimeve ndërkombëtare për fuqizimin e potencialit/lidershipit të të rinjve, zhvillimi i aftësive personale dhe profesionale tek të rinjtë.

Gjithashtu drejtoj komunitetin Trailblazer Nonprofit Albania, ku synimi është promovimi i teknologjisë, inovacionit të kompanisë numër 1CRM Amerikane, Salesforce me bazë në San Francisco, California.

Pozitivi: Di që jeni duke u marrë me një konferencë të njohur si LEAP që fjalë për fjalë do të thotë mësim (Learn), angazhim (Engage), veprim (Act), përparim (Progress). Na trego më shumë për këtë projekt, si funksionon, cfarë qëllimi ka?

Marilo Meta: Konferencat apo samitet LEAP kanë si qëllim të shprehin nëpërmjet të ftuarve inovacionin në fushat e ndryshme veçanërisht teknologjinë dhe fushën e biznesit për këtë arsye fjalimet LEAP mbahen nga njerëz që synojne të motivojnë, të sjellin ndryshim dhe mbi të gjitha të krijojnë një ambient debati midis dy mijë të ftuarve studentë, liderave të komuniteteve respektive, pjesëmarrësve nga organizata të shteteve të ndryshme dhe sipërmarrësve të rinj.

Me 23 Shkurt në Tirana Business Park, do të organizojmë samitin zinxhir LEAPin Tirana 2019 për të tretin vit rradhazi, kemi një panel prej 15 folës që janë njerëz të suksesshëm në fushat e diplomacisë, inovationit, teknologjisë, sipërmarrjes, gazetarisë etj, dhe një pritshmëri prej 300-350 pjesëmarrës. Më 12 Mars në Universitetin e Prishtinë LDA Kosova do të organizojë samitin 1-ditor LEAPin Prishtina i të njëjtit format me samitin LEAPin Tirana. LEAPin Tirana më tej do të shërbejë për përzgjedhjen e delegacionit Shqiptar, LEAPin Prishtina për përzgjedhjen e delegacionit Kosovar dhe të të rinjve nga Lugina Preshevës në samitit 3-ditorë LEAP në Zagreb, Kroaci.

Pozitivi: Sipas jush cilat janë çështjet më problematike në vendin tonë që prekin të rinjtë?

Marilo Meta: Çështje problematike sipas mendimit tim ka shumë, por ndër më të prekshmet mund të listoja mungesën e meritokracisë që automatikisht i demotivon dhe i shpie në negativitet dhe pragmatizëm të rinjtë, mundësitë e punësimit janë në nivele të ulëta, aktivimit rinor po ashtu nuk është akoma ai optimali, mungesa e këshillimit dhe aftësimit profesional

Pozitivi: Si e shikon angazhimin e të rinjve në shoqërinë civile?

Marilo Meta: Angazhimi i të rinjve në rang vendi është i ulët, vetëm në Tiranë ndjehet më shumë, në qarqet e tjera është tej mase i vakët ky angazhim. Duke mos pasur shumë angazhim duke krijuar ndjenjë indolence të rinjtë nuk po mbështesin parimet e tyre dhe të përcjellin mesazh/kërkes drejtësie.

Po i përgjigjem pyetjes me një retorikë…

Fenomeni i parazitizmit dhe indiferentizmit!

Kafenet shtohen dhe stërmbushen dita ditës. Ekonomia pëson rënie, cinizmi dhe materializmi rriten, duke shformuar vlerat më të mira të traditës së këtij populli. Sa herë mendoj pse vallë po rritet ky fenomen, jemi ne një popull dembel, apo nuk na jepet mundësia dhe qëndrojmë indiferent ndaj jetës që na rrethon? Pse atëherë qëndrojmë indiferent ndaj këtij problemi? Pse preferojmë të qëndrojmë me orë të tëra në kafene dhe të mos vishemi me ideale progresi?

Pozitivi: Çfarë planesh keni në të ardhmen?

Marilo Meta: Vizionin e LDA-së: Realizimi i potencialit të të rinjve, duke i motivuar ata që të bëhen udhëheqës dhe të krijojne ndryshim në komunitetin e tyre në mënyrë që të zgjidhin problemet komplekse të shoqërive tona është vizioni im.

Pozitivi: Të vraposh pas pasionit, punës dhe suksesit, a është kjo një moto e juaja ?

Marilo Meta: Të vraposh pas pasionit, punës dhe suksesit me integritet dhe me ideale paqeje, solidariteti, drejtësie dhe prosperiteti.

Pozitivi; Cilat janë synimet e tua, a bëhet fjalë për angazhim në politikë?

Marilo Meta: Do vazhdoj të punoj me organizatën e shoqërisë civile, sepse të rinjtë kanë sot më shumë se kurrë nevojë për të përparuar, janë brezat e së ardhmes dhe duhet të japim ne kontributin maksimal për ta, për brezat në vijim.

Nuk mund të mënjanoj mundësinë e përfshirjes në politikë, por dua të them që deri më sot nuk jam angazhuar asnjëherë në politikë dhe angazhimi do të jetë gjithmonë në rastin që mund të më jepet mundësia të përfshihem si figurë e pastër.

Pozitivi: Një mesazh për të rinjtë?

Marilo Meta: I bëj thirrje të rinjve të angazhohen në organizatat rinore që kanë qëllim fuqizimin e tyre dhe jo fitimet pragmatiste, të zhvillojnë aftësitë personale dhe profesionale, të bëjnë shkëmbime ndërkombëtare duke zgjeruar kulturën, dijen dhe të marrin praktikat më të mira nga vendet e ndryshme, të mbështesin dhe ndihmojnë njëri-tjetrin me parime progresive për të ardhmen e këtij vendi. Realizoi Beklie Koltraka

Video 1Video 2Video 3

© 2019 – 2020, Pozitivi. All rights reserved.