Mjekët drejt Gjermanisë, Rama ‘josh’ të larguarit
20/02/2019
0 komente
Shpërndaje

Mjekët drejt Gjermanisë, Rama ‘josh’ të larguarit

Kryeministri Edi Rama po merr masa për të ndaluar fenomenin e largimit të mjekëve dhe infermierëve drejt Gjermanisë. Ditën e djeshme në një takim me qytetarët e Pukës, Rama dha lajmin e mirë, ndërsa u bëri thirrje mjekëve dhe infermierëve të mos largohen, të qëndrojnë në Shqipëri sepse do të paguhen njësoj siç paguhen në Gjermani, të gjithë ata që specializohen dhe pranojnë të punojnë jashtë Tiranës.

‘Plus kësaj ne kemi vendosur edhe një shumë, një bonus për të gjithë specialistët që pranojnë të dalin nga Tirana, të punojnë jashtë Tiranës, që është i barabartë me pagën që do të merrnin po të punonin mjekë në Gjermani. Domethënë, është faktikisht 2 milion, plus rrogën. Dhe kjo e ka ndihmuar, madje kemi edhe 10-12 raste që kanë ardhur mjekë nga jashtë për të punuar këtu, mjekë shqiptarë kuptohet. Pra kjo është një çështje e trashëguar, por do të rikuperohet shumë shpejt’, theksoi kryeministri.

Fenomeni i largimit të mjekëve nga Shqipëria ka filluar prej kohësh, por është bërë masiv sidomos gjatë dy viteve të fundit. Të larguar rezultojnë kryesisht mjekët e rinj, pa ose me pak përvojë, të cilët joshen nga ofertat për specializim dhe punësim në Gjermani.

Shoqata e Infermierëve ka dekaruar në 2018 shifra alarmante për mjekët e larguar dhe për ata që presin të largohen. “Në Gjermani kanë ikur rreth 2.500 infermierë aktualisht, që nga koha e portalit. Gjithashtu ne kemi informacion se rreth 2.000 të tjerë janë në proces për të ikur. 2.500 janë që nga janari deri në qershor. Shumica e tyre janë profesionistë që kanë vite punë, nuk është se janë të sapodiplomuar. Profilet që kërkohen më tepër janë kujdesi në familje, në spitalet gereatrike, që e ka më të theksuar Gjermania, Pediatria dhe Reanimacioni”, ka deklaruar, president i Shoqatës së Infermierëve Elson Jaçaj.

Kryeministri përveçse ka premtuar rritje rroge, si një mënyrë për të joshur të larguarit të kthehen, për të kundërshtuar ata që thonë se mjekët po ikin ende, ka sjellë shembuj të kthimit të tyre në vend. “Kemi ata që derdhin lot krokodili se po na largohen mjekë dhe infermierë. Por Urgjenca sot drejtohet pikërisht nga një mjek i kthyer nga jashtë për të reformuar këtë sistem dhe që është protagonisti kryesor i këtij transformimi. Janë 4 mijë infermierë që duan të hyjnë në sistem dhe janë në Shqipëri, jo në Gjermani, janë në portal, por ndryshe ngasa ka ndodhur për 25 vjet, nuk hyn më në punë përmes partisë e parasë, por përmes pikëve të fituara në testimin kombëtar të infermierëve.

Pas janarit do kemi 300 mjekë të rinj specialistë të cilët po ashtu në bazë të meritës dhe rezultateve do të mund të zgjedhin se ku dhe nëse duan të kontribuojnë. Për të gjithë ata që do kontribuojnë në ato zona që janë jashtë zonave të tyre të banimit, do marrin aq sa do merrnin nëse do ta fillonin punën në Gjermani”, ka thënë kryeministri Rama  në prezantimin e flotës së re prej 32 autoambulancash që iu shtuan Qendrës Universitare Spitalore.

Aktualisht janë shfaqur problemet e para me personelin në spitale dhe qendra ambulatore, por nëse largimi vijon me këto ritme në të ardhmen situata shihet më problematike. Vetë mjekët e larguar drejt Gjermanisë nuk kanë preferuar të flasin për arsyet, por kanë lënë të kuptojmë se bëhet fjalë për çështje ekonomike.

Pa marrë parasysh kushtet dhe punët që u duhet të bëjnë, paga bazë në Shqipëri për një infermier ështe 40 mijë lekë, për mjekët 65-70 mijë lekë. Ndërsa në Gjermani pagat për infermierët janë 1800 euro, kurse për mjekët 2800-3000 euro.

Pozitivi.org ka kontaktuar mjekun Nuredin Sadikaj, i cili është kthyer së fundmi në Shqipëri, për të dhënë kontributin e tij si mjek. Ai ka lindur në Cekran të Fierit dhe ka punuar si mjek për 21 vite me rradhë derisa vendosi të emigrojë në Itali për arsye familjare. Prej vitit 1998 jeton me familjen në Itali dhe e ka ushtruar profesionin e mjekut për 20 vite të tjera me pasion të madh në shtetin fqinj.

Deklarata e kryeministrit Rama për rritje rroge, sipas mjekut Sadiku do të ketë impakt pozitiv në kthimin e të larguarve. “Patjetër qe do të ndikojë pozitivish ky premtim sipas mendimit tim. Së pari Shqipëria është një vend në zhvillim dhe këtë zhvillim do ta bëjnë e përsosin shqiptarët. Paralelisht me rritjen e rrogave të mjekëve duhet të ketë një program të detajuar nga shteti për zhvillimin e ekonomisë në të gjitha fushat dhe të vendosi urgjentisht siguracionet e shëndetit për popullin që të përballojnë shpenzimet mjekësore”, tha Sadiku për Pozitivin. Ndërkaq pohon se  largimi i mjekëve drejt shteteve të tjera, ka si faktor kryesor standartet e larta të jetesës, rrogat më të mira, sidomos kur bëhet fjalë për një vend të zhvilluar si Gjermania.

Mjeku Sadikaj ka një eksperiencë të gjatë pune në Itali dhe ndërsa krahason kushtet e punës dhe pagat për mjekët e të dyja vendeve, thekson se Shqipëria është shumë larg. “Faktikisht është shumë larg  si në kushtet e punës dhe në pagesë. Nje mjek shqiptar sot paguhet sa 1/10 e pagesës së mjekut në Itali.

Dhe për sa i përket sistemit shëndetësor gjithashtu siç e përmenda dhe më lart , siguracioni i shëndetit duhet të mbulojë shpenzimet mjeksore e si rrjedhojë ndihma mjeksore merret më shpejt si në shtet e në privat dhe riaftësimi i pacientit për punë bëhet më shpejt. Doja të theksoj që ky është një problem social që meriton të vihet në jetë ku do të sjellë paralelisht dhe më pak humbje ekonomike”, shton Sadikaj.

Por nëse do të jetonte aktualisht në vendin tonë, a do të zgjidhte të largohej siç kanë bërë një numër i madh i mjekëve sot? Ja si përgjigjet mjeku 51 vjeçar nga Fieri: “Faktikisht unë jam kthyer në Shqipëri mbas 20 vitesh që punova në Itali, dhe punoj me kontratë në një spital privat. Nuk do të largohesha (pa një arsye madhore).  Ju sugjeroj kolegëve të kthehen ndërsa shtetit të rrisë investimet në fushën e shëndetësisë”.

Në të vërtetë vlen për t’u theksuar se Sadiku nuk e ka harruar vendlindjen. Ka jetuar dhe punuar prej vitesh jashtë vendit ndërsa kohët e fundit është kthyer në Shqipëri, përveçse për të punuar në një spital privat, edhe duke dhuruar paisje për spitale në kushte të këqija, në shenjë idealizmi për t’i shërbyer vendit të tij.

Në tetor të 2018 ka dhuruar 60 shtretër, 60 dyshekë e 60 komodina për Spitalin Civil Rajonal Fier. Kurse në gusht të 2017, Sadikaj dhuroi një autoambulancë në spitalin “Et’hem Kapllanaj”, e cila më parë mungonte. Që kur ka parë gjendjen e spitaleve premtoi se do të kthehej sërish dhe ia ka dalë ta mbajë premtimin.

Pavarësist kontributit të tij, për të përmirësuar sistemin shëndetësor dhe kushtet e mjekëve në vendin tonë duhet të ndërhyjë shteti, thote Sadikaj. Kryeministri e ka premtuar një gjë të tillë, por sipas mjekut këtë do ta vërtetojë koha, pasi nuk mjafton vetëm dëshira e mirë e kryeministrit por duhen planifikuar në bilancin ekonomiko-financiar të shtetit.

Nuredin Sadikaj për pozitivi.org:

Pozitivi: Mjekët shqiptarë po largohen masivisht kohët e fundit, sidomos drejt Gjermanisë. Pse po ndodh kjo sipas jush, si e komentoni këtë situatë?

Nuredin Sadikaj: Më vjen keq kur e degjoj por arsyet mund të jenë të ndryshme. Mendoj për një jetë më të mirë në një vend të zhvilluar si Gjermania me standarde të larta jetese, ku dhe rrogat janë të larta.

Pozitivi: Kryeministri Rama po bën perpjekje për t’i ‘kthyer’ pas mjeket, ndërsa u bëri thirrje të mos largohen duke premtuar se për ata mjeke qe specializohen dhe qe punojne larg  zones se banimit paga do të behet sa në Gjermani. A mund te ndikojë ky vendim në kthimin e mjekëve dhe infermierëve të larguar, dhe të atyre që kanë ndërmend të largohen?

Nuredin Sadikaj: Patjetër qe do të ndikojë pozitivisht ky premtim sipas mendimit tim. Së pari Shqipëria është një vend në zhvillim dhe këtë zhvillim do ta bëjnë e përsosin shqiptarët. Paralelisht me rritjen e rrogave të mjekëve duhet të ketë një program të detajuar nga shteti për zhvillimin e ekonomisë në të gjitha fushat dhe të vendosi urgjentisht siguracionet e shëndetit për popullin që të përballojnë shpenzimet mjekësore.

Pozitivi: A besoni  se do e mbajë kryeminstri këtë premtim?

Nuredin Sadikaj: Koha do ta tregojë. Se nuk mjafton dëshira e mirë e kryeministrit por besoj që duhet të mbështetet dhe në bilancin ekonomiko-financiar të shtetit për të cilin nuk jam në gjendje të përgjigjem. Nuk e njoh buxhetin e shtetit.

Pozitivi: Ju keni vite që punoni në Itali si mjek. Kur bëni një krahasim të kushteve të punës dhe pagës për një mjek në Itali, pra të vetes tuaj, me një mjek në Shqipëri, si e shikoni gjendjen, a është shumë larg sistemi ynë shëndetësor?

Nuredin Sadikaj: Faktikisht është shumë larg  si në kushtet e punës dhe në pagesë. Nje mjek shqiptar sot paguhet sa 1/10 e pagesës së mjekut në Itali.

Dhe për sa i përket sistemit shëndetësor gjithashtu siç e përmenda dhe më lart , siguracioni i shëndetit duhet të mbulojë shpenzimet mjeksore e si rrjedhojë ndihma mjeksore merret më shpejt si në shtet e në privat dhe riaftësimi i pacientit për punë bëhet më shpejt. Doja të theksoj që ky është një problem social që meriton të vihet në jetë ku do të sjellë paralelisht dhe më pak humbje ekonomike.

Pozitivi: Nëse do të jetonit dhe punonit në Shqipëri si mjek, a do të zgjidhnit të largoheshit siç bëjnë pjesa më e madhe sot? A do t’i sugjeronit mjekëve të kthehen në Shqipëri?

Nuredin Sadikaj: Faktikisht unë jam kthyer në Shqipëri mbas 20 vitesh që punova në Itali, dhe kam nje kontratë në një spital privat. Nuk do të largohesha (pa një arsye madhore).  Ju sugjeroj kolegëve të kthehen ndërsa shtetit të rrisë investimet në fushën e shëndetësisë.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.

Komentet

Asnjë Koment Ju mund të jeni i pari që të komentoni!

Shkruani një Koment

Të dhënat tuaja janë të sigurta! Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet dhe të dhënat tuaja nuk do të shpërndahen me persona të tretë. *