Mësuesja e mbuluar nga Kosova synon rekordin Guinness, realizon lulen më të madhe në botë
06/09/2018 Shpërndaje

Mësuesja e mbuluar nga Kosova synon rekordin Guinness, realizon lulen më të madhe në botë

Arbnora Idrizi mësuesja nga Kosova ka realizuar lulen më të madhe në botë prej letre, vetëm për 3 orë. Rekordi aktual i kësaj luleje është 5 metra, kurse synimi i Arbnores është që ta bëjë 9 metra, duke thyer rekordin Guinness.

Ajo ka lindur në Skënderaj, por kontributin e ka dhënë ne Prishtinë dhe në Mitrovicë. Aktualisht është mësuese e hartimit të programeve të mësuesëve ne Mitrovicë dhe edukatore. Gjatë një interviste për pozitivi.org Arbnora thotë se prej 10-të vitesh merret me artin origami, të cilin e ka pasion dhe profesion të dytë. Pasi punoi portretin e komandantit legjendar Adem Jashari, besoi në aftësitë që ka, për të realizuar diçka edhe me të madhe.

Ndërkaq gjatë punës së saj si edukatore, ka realizuar aktivitetin me këtë lloj arti. “Ky art ndikon në fantazinë e fëmijëve dhe zhvillimin e tyre. Ka qenë mjaft efektive, është vërejtur zhvillimi në të gjitha fushat”, thotë Arbnora gjatë intervistës për Pozitivin.

Mbulesa për të ka qenë një zgjedhje, që s’e ka penguar të arrijë qëllimet. Vështirësive dhe paragjykimeve Arbnora u është përgjigjur duke ecur përpara. “Asnjëherë s’kam ndaluar dhe do të vazhdoj. Islami i kushton rëndësi të madhe arsimimit dhe edukimit.

Do t’i paraqes vlerat edukative dhe arsimore dhe do të vazhdoj përkundër vështirësive që kam hasur. Unë kam një synim, të mbjell frutin e dashurisë, mirësjelljes dhe këto aftësi që posedoj t’i transmetoj te femijët që janë dhurata më e bukur”, thotë mes të tjerash mësuesja gjatë intervistës.

Intervista ekskluzive me Arbnora Idrizi për pozitivi.org:

Pozitivi: Ju keni shfaqur së fundmi synimin për të ndërtuar një lule të përmasave botërore, për të hyrë në rekordin Guinness. Si u lindi dëshira për të marrë pjesë në këtë garë dhe sa kohë ka që keni filluar me punën?

Arbnora Idrizi: Unë që 10-të vite merrem me artin origami dhe e kam sfiduar veten me punime të ndryshme! Pasi punova së fundi portretin e komandantit legjendar Adem Jashari, atëherë mendova që mundem të realizoj diçka edhe me të madhe. Kështu që në prill aplikova për Guinness dhe përgjigjia pozitive erdhi në qershor. Dhe unë fillova  përgatitjet në muajin gusht.

Pozitivi: Çfarë kriteresh iu kanë vendosur në realizim e lules, që të hyni në rekordin Guiness?

Arbnora Idrizi: Ata kanë kërkuar që punimi të bëhet me një letër origami, të përcillet e gjithë puna në dëshmi. Të jenë të pranishëm profesorë arti të kualifikuar, arkitekt që bëjnë matjen. Pastaj të xhirohet i gjithë procesi. E tërë ngjarja është përfunduar brenda 3 orësh. Domethene kam arritur ta përfundoj lulen më të madhe vetëm për 3 orë. Kanë kërkuar që lulja të jetë më e madhe se rekordi aktual. Të mos dëmtohet letra gjatë procesit të punës. Kështu unë kam arritur t’u përmbahem të gjitha rregullave të kërkuara.

Përmasat e lules kanë qenë 13 m me 13 m 169 m2. Ndërsa rekordi aktual është 100 m2. Ka qenë shumë sfidues i gjithë procesi pasi është dashur 23 thyerje për të arritur lulen!

Pozitivi: Kur bëhet vlerësimi?

Arbnora Idrizi: Tani jam duke mbledhur të gjitha dëshmitë për t’i dërguar. Posa t’i dërgoj fillon procesi i shqyrtimit nga stafi i menaxhmentit te rekordit. Brenda 6 deri 12 javë zgjat përgjigjia nëse unë kam arritur apo jo ta thej atë rekord. Unë jam e vetmja konkurente për momentin që po synoj rekordin!

Pozitivi: Thatë se prej vitesh merreni me artin origami. Na tregoni pak më shumë për këtë lloj arti dhe cilat janë punimet më të pëlqyera që keni bërë ndër vite? Është më shumë pasion për ju apo profesion?

Arbnora Idrizi: Unë që 10-të vite punoj në kopshët edukatore por edhe kam pasur kopështin tim privat! Gjatë punës time me fëmijë kam realizuar aktivitetin me këtë lloj arti. Ky art ndikon në fantazinë e fëmijëve dhe zhvillimin e tyre. Unë e kam si profesion të dytë. Mund të veçoj ekspoziten time me 125 punime origami dhe portretin e komandantit legjendar Adem Jashari. Ky art është i veçantë sepse i tërë procesi fillon dhe mbaron me një letër. Nëse dëshironi të shikoni më shumë punime të miat i gjeni edhe në chanellin tim në yotube Diella Crafts.

Pozitivi: Sa efektive ka qenë të punosh me fëmijët me këtë lloj arti? Sa të tërhequr dhe të interesuar kanë qenë, përgjatë punës tuaj në këto vite?

Arbnora Idrizi: Ka qenë mjaft efektive,  është vërejtur zhvillim në të gjitha fushat. Kam përdor metoda të ndryshme që kanë tërhequr femijët. Gjatë punës është rritur fantazia e fëmijës është zhvilluar në të folur në të shprehur, të gjitha fushat. Nje ndër rastet e veçanta ka qenë kur kam punuar këpucët nga letra dhe kishim si teme rëndësinë e veshmbathjes. Atëherë fëmijët filluan t’i provonin ti mbathnin ato, ishin tërheqëse per ta!

Ka shumë gjëra të bukura dhe interesante që më ngjallin nostalgji. Fëmijeve ua kam zbukuruar çdo ditë aktivitetin me gjëra interesante.

Pozitivi: Pretendimi i rekordit Guinness është hera e parë që ju merrni pjesë në një konkurs apo ka pasur dhe raste të tjera?

Arbnora Idrizi: Kjo është hera e parë që konkuroj dhe ata posa kanë parë gjithë punën time ekspozitat e dëshmitë e tjera kanë pranuar. Edhe po shpresoj në rezultat!

Pozitivi: Nëse i keni ndjekur herë pas here debatet qe janë bërë për vajzat dhe zonjat e mbuluara, shpesh e kanë konsideruar mbulesen si një privim i të drejtave të tyre. Çfarë mendoni ju personalisht, a ju ka penguar fakti që jeni me shami të realizoni veten dhe qëllimet  tuaja? Pra a ka qene pengesë mbulesa në hapat që keni hedhur?

Arbnora Idrizi: Paragjykimet mendoj janë shkak i mos arsimimit dhe edukimit të disa individëve në vendin tonë. Shpresoj të vetëdijësohen të gjithë dhe të mesohen me faktin se nëse kemi një shami s’do të thotë që kemi trurin e mbuluar. Asnjëherë s’kam ndaluar dhe do të vazhdoj. Islami i kushton rëndësi të madhe arsimimit dhe edukimit.

Do t’i paraqes vlerat edukative dhe arsimore dhe do të vazhdoj përkundër vështirësive që kam hasur. Unë kam një synim, të mbjell frutin e dashurisë, mirësjelljes dhe këto aftësi që posedoj t’i transmetoj te femijët që janë dhurata më e bukur. Me përkushtim të madh jap kontribut në punën që bëj.

Shpresoj që njerëzit do të vetëdijësohen dhe do t’na pranojnë të barabartë në shoqëri dhe nuk do të na shohin me syrin kritik dhe paragjykues!

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.