Mësuesi i vitit, pasioni e rikthen sërish në Shqipëri
15/04/2019 Shpërndaje

Mësuesi i vitit, pasioni e rikthen sërish në Shqipëri

Admir Dizdari është shpallur “Mësues i vitit” në Durrës, nga Drejtoria Arsimore Rajonale Durrës. Dizdari ka përfunduar studimet e larta të Kulturës Fizike te Akademia e Sporteve. Ka garuar dhe ende vazhdon të garojë në disiplinën e hedhjes së diskut, në atletikë. Aktualisht prej dy vitesh, pas një shkëputje, është shpallur kampion kombëtar për flakjen e diskut. Ai është mësues i shkollës së mesme sportive “Benardina Qeraxhia” ku operon në fushat e atletikës ndërsa stërvit ekipin e vrapimeve të mesme dhe të gjata në shkollë.

Që pas vitit 2000 ka punuar si mësues i edukimit fizik. Disa vite u shkëput për të jetuar jashtë shtetit. U kthye dhe pasi konkuroi filloi përsëri punë si mësues në shkollën “Benardina Qeraxhia”, ku punonte përpara se të largohej. Largimi erdhi për arsye personale. Megjithatë nuk u shkëput nga sporti. Filloi një shkollë tjetër për edukim si dhe ka garuar për ekipin e qytetit ku jetonte, në disiplinën e hedhjes së diskut. U regjistrua që në momentin e parë sa mbërriti dhe prej 7 vitesh sa ka jetuar atje, ka qenë aktiv në ekipin Asi Banka Toscana Firence.

Sporti më shumë se profesion është pasion për të dhe këtë pasion u rikthye ta jetësojë në vendlindje. Aktivitetet sportive i ka nisur shumë i vogël, duke notuar që në moshën 9 vjeçare. Me ndryshimet në infrasktrukturë, pishina e qytetit në Durrës u bë e papërdorshme dhe Dizdari nga noti kaloi në atletikë. Megjithatë edhe tani noton rregullisht.  Preferon ti miksojë duke kaluar njëherë nga noti, te atletika e hedhja e diskut. #YouthVoice #UNFPA

Sportisti premton se do të vazhdojë të jetë aktiv, duke u stërvitur dhe garuar sa të ketë frymë e mundësi. Ai jo vetëm që jep mësim por shërben edhe si shembull pozitiv për gjeneratat e reja në sport. Bashkëpunimi me të rinjtë që kanë vendosur të ndjekin rrugën e sportit ndërtohet në disa mënyra. Arsimtari thotë se ata kanë nevojë për pak më tepër stimulim, kjo për shkak  se atraksionet e botës së sotme prej të cilave është i rrethuar nxënësi, e bëjnë të jetë më i lëkundur.

Atletika përveçse është sfiduese kërkon dhe sakrifica. Vitet e fundit ka rënë edhe numri i garuesëve në atletikë prandaj mësuesit janë mjeti më i mirë për të stimuluar nxënësit. Dizdari u kthye për të frymëzuar talentet e reja dhe për të ushtruar profesionin e tij në vendlindje. “Motivimi është i ndryshëm. Së pari shembulli personal. Duke u treguar raste konkrete të sportistëve të tjerë. Duke u treguar benefitet e sportit në përgjithësi. Edhe kur kemi pushime mundohemi të vijmë në shkollë, të stërvitemi, ndoshta jo me ritmin e përditshëm por mundohemi ti mbajmë aktivë. Ana tjetër është ana sociale. Sporti është shumë i bukur”.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.