Manjola, gruaja që fitoi pavarësinë: Nga shtëpiake, në profesioniste
25/03/2019 Shpërndaje

Manjola, gruaja që fitoi pavarësinë: Nga shtëpiake, në profesioniste

Nëse e përditshmja juaj brenda perimetrit të kryeqytetit duket e bukur, një pjesë e madhe e familjeve shqiptare jetojnë në kushtet e mbijetesës. Pamundësia për të punuar dhe të ardhurat e ulëta nuk mjaftojnë për të plotësuar as nevojat bazë. Mënyra e vetme për t’i ndihmuar të dalin njëherë e mirë nga skamja në të cilën jetojnë është aftësimi dhe integrimi i tyre në punë.

Një rast i tillë tipik është familja Sinani në qytetin e Lezhës. Manjola, 31 vjeç dhe i shoqi Gazmendi 33 vjeç vijnë nga një familje e varfër rome. Para disa muajsh problemet ekonomike në këtë familje ishin të mëdha, pasi të ardhurat siguroheshin vetëm nga ndihma ekonomike dhe fitimet që kryefamiljari nxirrte nga shitja dhe grumbullimi i skrapit e hekurit.

Ata janë prindër të pesë fëmijëve: Zhaklina, 13 vjeç, Samueli 12 vjeç, Ensamuela 8 vjeç, Elsaida Sinani 5 vjeç dhe Halime 2 vjeç, ku tre nga të cilët që janë në shkollë, kanë pasur probleme me frekuentimin si pasojë e pamundësisë për të mbuluar shpenzimet. 2 fëmijët e vegjël që ishin për kopësht dhe çerdhe, i mbante në shtëpi.

“Më herët e kisha të vështirë të shkolloja fëmijët për shkak të mungesës së mjeteve shkollore, kushteve ekonomike. Plus që ishte dhe kjo pjesa se ne në familje përbëhemi nga 9 persona dhe kjo puna e mentalitetit më pengonte, se unë jetoj me vjehrrën dhe vjehrrin dhe kam 5 fëmijë, plus që ishte e vështirë që ti bindja të filloja kursin”, thotë Manjola.

Ajo dhe bashkëshorti janë të pastrehë, ndaj jetojnë me prindërit e Gazmendit, në shtëpinë e tyre. Pengesat që të fillonte punë ishin disa. Si nënë me shumë fëmijë, nuk kishte mundësi të punonte, pasi veç fëmijëve duhet të kujdesej edhe për vjehrrin dhe vjehrrin. Ndërkaq ishte mentaliteti, që gratë nuk mund të punojnë, duhet të rrisin fëmijët dhe të kujdesen për punët e shtëpisë. Por projekti “Askush të mos mbetet pas” arriti të bindë Manjolën së pari, pastaj bashkëshortin e prindërit e tij, që ajo të fillojë punë. Arsimi që ka është vetëm 8 vjeçarja. Mundësitë për punë ishin të pakta për të sepse nuk kishte as një zanat.

Pas seancave këshilluese dhe ndërgjegjesuese për formim profesional apo punësim të prindërve dhe pas konsultimit me NPF, 31 vjeçarja filloi kursin për rrobaqepësi në një atelie. 6 muaj kurs i shërbyen të fitojë një profesion që do ta ushtrojë për gjithë jetën. Për të kjo ka qenë një ëndërr e hershme, e tashmë po bëhet realitet. Jeta e saj filloi të ndryshojë që kur filloi kursin. Del çdo ditë nga shtëpia, ndryshe nga më parë që rrinte e mbyllur mes katër mureve. Është bërë aktive, bashkëpunuese me koleget në kurs dhe mbi të gjitha ka një dëshirë të madhe për të mësuar. Këtë e pohon edhe drejtuesja e ateliesë ku po ndjek kursin. “Manjola është shumë punëtore, është ambientuar mjaft mirë me punën dhe ka ndryshuar shumë që nga dita e parë kur ka ardhur. Praktika do ti zgjasë 6 muaj, i kanë mbetur edhe pak, dhe ne kemi parë që ecuria e saj ka qenë e kënaqshme ndaj duam që kur të mbarojë kursin ta mbajmë në punë këtu”, thotë Lorena.

Kushtet në të cilat jetojnë nuk janë aspak të mira. Në  një apartament të vogël në një pallat të vjetër e të prishur, jetojnë dy familje. Por tashmë jeta e tyre ka ndryshuar. Njëkohësisht me Manjolën është stabilizuar edhe bashkëshorti i saj. Edhe Gazmendi është punësuar. Ai u mbeshtet me tregtimin e veshjeve. Si fillim atij iu mundësuan materiale për të filluar punën. Me vonë, pas shitjes së tyre, ka siguruar një motoçikletë, me të cilën ka mundur të sigurojë më shumë të ardhura se nga shitja dhe grumbullimi i skrapit, punë të cilën e bënte më parë.

“Falë projektit kemi marrë shumë shërbime. Për momentin bashkëshorti është në punë dhe unë në kurs. Falë ndërmjetësimit të tyre, unë arrita të filloj kursin. Mua më është mundësuar të punoj në atelie dhe më është dhuruar edhe një makinë qepëse. Sido që të vijë puna, edhe nëse nuk filloj punë këtu në atelie, do të punoj në shtëpi me makinën time. Në këtë mënyrë kam mundësi të rigjeneroj jetën ekonomike të fëmijëve dhe të familjes time. Më herët e kam pasur shumë më të vështirë. Jeta për mua tashmë është më ndryshe, nuk jam më e mbyllur mes 4 mureve”, thotë Manjola.

Ne fillim, Manjola ka qenë dyshuese për mundësinë që po i ofrohej, pyeste veten nëse kjo do ti nxirrte nga situata e vështirë në të cilën ndodheshin. Por pasi iu premtua që do të ketë edhe një vend punë për të nëse ia merr dorën zanatit, e filloi kursin, gjë që rezultoi të ishte një nga ëndrrat e saj. “Të qep ka qenë një pasion i imi i hershëm, pavarësisht se s’kam pasur mundesi ta ndjek, se si kam pasur fëmijët në çerdhe e kopësht.  Deri tani me kursin jam përshtatur shumë mirë sepse siç thashë ka qenë qenë pasion për mua pasur prej vitesh. Falë projektit “Askush të mos mbetet pas” më është bërë realitet kjo ëndërr. Pëveçse mu realizua një dëshirë, tashmë kam dhe një profesion”, thotë ajo.

Mbështetja që ka ofruar qendra e formimit profesional e ka nxitur me tej dëshirën dhe entuziazmin e saj për të shfrytëzuar të gjithë potencialin që ka. Manjola arriti ta dojë këtë kurs dhe të impenjohet gjithnjë e më shumë. Tashmë, ajo është e bindur se rrobaqepësia është pasion dhe do të punësohet për të vënë në punë aftësitë kreative dhe për të qenë një grua e pavarur nga të tjerët.

“Dua ta pranoj se në fillim kam qenë dyshuese. Mendoja se s’do më vlejë as kursi, për të dalë nga gjendja ku jemi. Por pas kësaj eksperience kam ndryshuar mendim. Tanimë jam më e hapur. Nuk jam më një femër e mbyllur në shtëpi si me parë. Një femër nuk duhet të rrije vetëm e mbyllur në shtëpi, duhet të kërkojë të drejtat e saj, të jetë e pavarur nga të tjerët, të jetë e punësuar”, shton ajo.

Duke qenë se Manjola dhe Gazmendi kanë 5 fëmijë, puna ishte domosdoshmëri, për t’i rritur. 5 fëmijët janë në moshë për shkollë, kopësht dhe çerdhe. Kur ata merrnin vetëm ndihmën ekonomike, ajo s’u mjaftonte për të plotësuar nevojat bazike për të gjithë fëmijët. Prandaj 3 prej tyre, nuk kishin frekuentim të rregullt në shkollë. Këtë e kishin vërejtur edhe mësuesit e fëmijëve, të cilët e kishin ngritur si problematikë në drejtorinë e shkollës por edhe me familjarët e fëmijëve. Pas bisedave dhe takimeve te shumta edhe fëmijët janë ndërgjegjësuar per rëndësinë e shkollës dhe kanë përmirësuar frekuentimin e saj.

Vështirësitë filluan të zvogëlohen për këtë familje me ndihmën e shumë aktorëve lokale dhe jo vetëm. 2 fëmijët  e vegjël Elsaida 5 vjeç dhe Halime 2 vjeç, me ndihmën e Shërbimit Social në Bashkinë Lezhë, janë regjistruar në kopësht dhe çerdhe. 3 të tjerët tanimë që babai i tyre siguron të ardhura, shkojnë rregullisht në shkollë. Ata janë paisur me mjetet që u duhen nga projekti.

Si rrjedhojë edhe Manjola, pasi u dha zgjidhje problemeve të mëdha në famlije, ia doli ta ndiqte kursin dhe të përfitonte maksimunin prej tij. Me punësimin e dy kryefamiljarëve të ardhurat janë më të larta se dikur kur merrnin vetëm ndihmën ekonomike, e cila s’ju mjaftonte për asgjë 9 anëtarëve të familjes. “Unë tani si qytetare dhe familjare nuk jam më në pozita pritëse siç kam qenë më parë di ku të trokas ku të kërkoj ndihmë për familjen time dhe për fëmijët e mi”, përmbyll kryefamiljarja. Shembulli i kësaj familje, që në vend të ndihmës ekonomike sot kanë fituar punën dhe një perspektivë të re për veten e familjen e tyre, është një nga sfidat më të suksesshme që duhet të ndiqet për të ndihmuar familjet e varfra t’ja dalin.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.