Letërsia shqipe mbledh bashkë 5 universitete dhe mbi 40 studiues
16/06/2019 Shpërndaje

Letërsia shqipe mbledh bashkë 5 universitete dhe mbi 40 studiues

Për herë të parë është zhvilluar një konferencë shkencore mbi letërsinë shqipe, posaçërisht atë të viteve 1945-1990, me temë “Zhvillimi i letërsisë shqipe në vitet 1945-1990”. Në këtë konferencë janë bërë bashkë 5 universitete shqipfolëse si Departamenti i Gazetarisë dhe Komunikimit në Universitetin e Tiranës, Universitetit “Aleksandër Xhuvani” Elbasan, nga Universiteti i Prishtinës dhe Universiteti i Tetovës.
Të pranishëm në konferencën ku u fol mbi rëndësinë e letërsisë së periudhës së viteve të komunizmit dhe bashkëpunimit mes institucioneve universitare kanë qenë lektorët më të mirë të fushës nga të 5 universitetet si dhe mbi 40 studiues  nga Shqipëria, Kosova e Maqedonia e Veriut.

Takimi u zhvillua në Universitetin “Aleksander Moisiu” Durrës, nga Departamenti i Letërsisë dhe u hap me fjalën përshëndetëse të zv/rektorit Prof. Dr. Lekë Sokoli, i cili foli mbi rëndësinë, kushtet e zhvillimit dhe receptimin e kësaj letërsie.  Dekani i Fakultetit të Filologjisë Prof. Dr. Berton Sulejmani, theksoi në rëndësinë e e studimit të kësaj periudhe, ndërsa Prof. As. Dr. Mark Marku vlerësoi bashkëpunimin ndërmjet institucioneve si një pikënisje e rëndësishme për aktivitete shkencore.

I njëjti mendim, u theksua nga Dekania e Fakultetit të Edukimit, Prof. As. Dr. Griselda Abazaj, e cila shprehu dëshirën që organizimi periodik i aktiviteteve të tilla të kthehen në traditë. Konferenca u përshëndet nga Ministria e Kulturës, që nëpërmjet përfaqësueses së saj Znj. Irena Prici, vlerësoi frymën e bashkëpunimit mes institucioneve të Arsimit të Lartë dhe kontributin shkencor të studiuesve në kuadër të kësaj periudhe letrare. Kjo konferencë është mbështetur nga Crystal System.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.