Largimi masiv i shqiptarëve, ul numrin e drejtuesëve të automjeteve
15/05/2019 Shpërndaje

Largimi masiv i shqiptarëve, ul numrin e drejtuesëve të automjeteve

Qendra e vendit ka diferencë të madhe me rajonet e tjera sa i përket numrit të lartë të automjeteve për banorë.  Sipas të dhënave të INSTAT, Tirana, Durrësi dhe Vlora kanë numrin më të lartë të automjeteve për banorë, ku vetëm në vitin 2017 Tirana numëroi 233 automjete për 1000 banorë, sa dyfishi i makinave për 100 banorë në qarkun e Dibrës.

Mirëpo në vitet e fundit numri i drejtuesëve të mjeteve nuk ka ardhur duke u rritur me ritmet e mëparshme. Për të drejtuar një automjet duhet të pajisesh me leje drejtimi. Vitet e fundit numri i njerëzve që kërkojnë të marrin leje të drejtimit në Tiranë ka rënë, sipas autoshkollës Andi.

Drejtuesi i autoshkollës Ridi Zerja, tregon për pozitivi.org se sipas të dhënave numri i njerëzve që kërkojnë të marrin patentë ka rënë në përqindje të lartë vitet e fundit. “Disa vite më parë kemi pasur goxha klientë dhe punë. Numri i personave që kërkonin të merrnin leje drejtimi ka qenë tepër i lartë krahasuar me tani. Tashmë ka më pak kërkesa. Shkaqet janë të ndryshme, por që kryesisht lidhet edhe me fluksin e lartë të emigrimit të shqiptarëve jashtë vendit”, thotë ai.

Arsyeja kryesore është emigrimi. Vetëm në 7 vitet e fundit janë larguar nga vendi 330 mijë shqiptarë. Sipas INSTAT pavarësisht se në vitet e fundit, shqiptarët që prej vitesh kanë jetuar jashtë po kthehen, sërish numri i atyre që largohen është më i lartë.

Edhe pse emigrimi po sjell pasoja të mëdha demografike dhe rënie të shtesës natyrore të popullsisë, mund të themi se lajmi i mirë në këtë mes është që nuk ka shtim të numrit të makinave, të cilat janë shkaktare të shumë shqetësimeve për njerëzit në jetën e përditshme në kryeqytet dhe jo vetëm. Në vitet e ardhshme shpresojmë të ketë më pak makina, më pak trafik, më pak ndotje të ajrit, më pak stres.

Autoshkollë “Andi” e cila operon në dy zona të ndryshme në Tiranë, në Zonën e “Unazës së Re” dhe në zonën e “Don Boskos”, na tregon detaje interesante sa i përket kursit për marrjen e lejes së drejtimit. Pavarësisht opinionit të përgjithshëm ku thuhet se vazjat dhe gratë nuk mund të jenë shofere të mira, nga eksperienca e tij për më shumë se 10 vite me këtë punë drejtuesi i autoshkollës tregon se vajzat arrijnë ta mësojnë më shpejt makinën se gjinia tjetër. Për të marrë patentën duhen kaluar 2 provime dhe kryesisht vështirësitë më të mëdha hasen në testin e teorisë, pasi aty rezulton të ketë më shumë ngelës.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.