Ky është Flamuri, i riu që ka lindur në Ditën e Pavarësisë
29/11/2018
0 komente
Shpërndaje

Ky është Flamuri, i riu që ka lindur në Ditën e Pavarësisë

“Ky emër dashurohet me zemër nga çdo shqiptar…”

28 Nëntori është një datë historike e bekuar për kombin tonë. Në këtë ditë janë shënuar ngjarje që kanë ndryshuar fatin e popullit, siç është shpallja e Pavarësisë së Shqipërisë nga patriotët e drejtuar nga Ismail Qemali, në 28 Nëntor të vitit 1912. Kjo ditë u zgjodh sepse në vitin 1443 heroi ynë kombëtar Gjergj Kastrioti çliroi Krujën dhe ngriti flamurin kuq e zi. Dje u shënua 106 vjetori i shpalljes së Pavarësisë, një festë e madhe për të gjithë shqiptarët.

Për Flamur Balën kjo festë ka një kuptim të dyfishtë, sepse ka ardhur në jetë më datë 28 nëntor, 29 vite më parë. Kjo e bën atë të ndihet i kënaqur dyfish. Krahas datëlindjes, emri me të cilin e pagëzuan prindërit është tepër kuptimplotë. Gjatë një interviste të dhënë për pozitivi.org Flamuri thotë se ka lindur me emër. Flamur, u quajt falë këmbënguljes së babait, i cili siç tregon 29 vjeçari ka thënë: ‘Ky lindi me emër dhe natyrisht do ia ngjisim Flamur’. I riu i është tepër mirënjohës të atit sepse ‘ky emër dashurohet me zemër nga çdo shqiptar’. Më poshtë ai tregon çdo të thotë të kesh lindur në këtë ditë, që feston çdo shqiptar.

Flamur Bala është me aftësi ndryshe por me një jetë tepër aktive. Pasi u diagnostifikua me “distrofi muskulare becker”, në moshën 15 vjeçare u detyrua të ulej në një karrige me rrota. Që në fëmijëri është marrë me punë mekanike dhe këtë pasion e ka kthyer në profesion. Prej vitesh modifikon makina për persona me aftësi të kufizuara, i shtyrë fillimisht nga nevoja personale. Jeton në qytetin e Durrësit, aty ku ka ngritur dhe biznesin. Përveç kësaj Flamuri është edhe aktivist. Gjithashtu shkruan poezi, ku gjatë një interviste të mëparshme të dhënë për Pozitivin, ka premtuar se do të botojë së shpejti dhe një libër.

Flamur Bala për pozitivi.org:

Pozitivi: Flamur ti ke ardhur në jetë në një datë historike, më 28 nëntor. Çfarë ndjesie është për ty?

Përshëndetje! Faleminderit së pari për intervistën. Po e vërtetë që kam lindur në këtë datë 29 vite më parë dhe kam lindur në vitin 1989 me 28 Nëntor. Për mua është ndjesi e veçantë pasi kjo datë është festa e çdo shqiptari dhe mua natyrisht kjo më ka kënaqur dyfish duke qenë se kam lindur si dhe është festa e Flamurit. Më ka shtyrë të jem patriot.

Pozitivi: A të bën ky fakt më shumë patriot?

Po natyrisht më ka shtyrë shumë që të jem patriot, madje më lejoni të tregoj një histori nga fëmijëria për pyetjen tuaj.
Kur isha i vogël nga 2 deri në 10 vjeç mamaja ime ma recitonte vjershën e Ismail Qemalit: Ismail Qemal he burrë ti s’u trembe kurrë, ti luftove për liri për Flamurin Kuq e Zi, kush e ngriti i pari!?
Flamur Bala ia bëja unë me shaka. Dhe më bënte krenar dhe patriot.

Pozitivi: Feston më shumë Ditën e Pavarësisë apo ditëlindjen. Apo të dyja bashkë?

Në fakt kur isha fëmijë e ndieja ditëlindjen si festë më parësore, por pasi kalova moshën delikate me hyri fryma e patriotizmit, dhe duke qenë se fillova të merrem dhe me hallet e problematikat e shqiptarëve pasi jam dhe aktivist. Natyrisht tani e pres më me qejf festën e Flamurit se sa ditëlindjen time.

Pozitivi: Si festove dje?

Të jem realist dje nuk kalova mirë, sepse kur shqiptarët nuk kalojnë mirë as unë nuk kaloj mirë. Dola për të festuar, mora motorrin tim elektrik që lëviz me të pasi jam person me aftësi ndryshe dhe lëviz me atë mjet, e mbështolla timonon me flamurin kuq e zi dhe e vura me kujdes dhe bukur nisem për tek sheshi i Durrësit për të festuar diku, ndoshta me miq apo në ndonjë aktivitet të bashkisë!

Por ç’të shoh unë i vetmi me flamur që më shihnin si “UFO”. Pra asnjë qytetar në festë dhe asnjë aktivitet nga bashkia e Durrësit. E vetmja gjë e mirë që më kënaqi ishin urimet e familjarëve, të afërmve dhe shoqërisë time, që ishin me qindra, dhe në darkë dola me familjarët e mi për ta festuar paksa dhe pse me shumë pakënaqësi nga mos festimi i shqiptarëve.

Pozitivi: Kush ta ka vënë emrin?

Unë që kur linda kam lindur me emër, sepse linda në Ditën e Flamurit dhe natyrisht falë këmbënguljes së babait tim që ka thënë ‘ky lindi me emër dhe natyrisht do ia ngjisim Flamur’, pasi motrat, vëllezërit dhe nëna kanë qenë skeptik por falë zotit babai im i ka bindur, dhe ia di shumë për nder pasi ky emër dashurohet me zemër nga çdo shqiptar.

Pozitivi: Më 28 janë shënuar disa ngjarje të mira si ngritja e flamurit nga Ismail Qemali, ditëlindja e komandantit legjendar, Adem Jasharit,  u adoptua Kushtetuta e Shqipërisë etj. A mendon se je njeri me fat që ke lindur në këtë ditë?

Është madhështore që në këtë datë ngriti flamurin Ismail Qemali në 1912, u themelua Pavarësia e mbarë Shqiptarisë, dhe natyrisht e lidh fort me shqiptarët e Kosovës dhe shqiptarët e Maqedonisë pasi janë gjaku ynë vëllezërit tanë dhe lindja në këtë datë e legjendarit Adem Jashari ma shton krenarinë dhe më jep motiv e forcë ta dua këtë datë, ta dua flamurin e t’i dua shqiptarët në mbarë Shqiptarinë.

Pozitivi: Një urim për festat…

Uroj nga zemra dhe shpirti çdo shqiptar gëzuar 28 nëntorin festën e flamurit, uroj që hallet dhe problemet të jenë sa më pak në derën e tyre. Më lejoni të shtoj diçka, i bëj thirrje çdo shqiptari që e lexon, ju lutem duajeni Shqipërinë luftoni ta ndërtojmë këtë vend, mos u përdorni nga politika qoftë e majtë apo e djathtë. Luftoni për të drejtat tuaja, protestoni, kërkoni, mos u dorëzoni kurrën e kurrës. Gëzuar! Gëzuar! Gëzuar… Me respekt Flamur Bala.

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.

Komentet

Asnjë Koment Ju mund të jeni i pari që të komentoni!

Shkruani një Koment

Të dhënat tuaja janë të sigurta! Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet dhe të dhënat tuaja nuk do të shpërndahen me persona të tretë. *