Varfëria e detyroi të ndërpresë universitetin, 20 vjeçarja nga Elbasani tregon si gjeti punë përmes rrjeteve sociale
23/03/2019 Shpërndaje

Varfëria e detyroi të ndërpresë universitetin, 20 vjeçarja nga Elbasani tregon si gjeti punë përmes rrjeteve sociale

Aida është 20 vjeç dhe jeton në qytetin e Elbasanit. Filloi universitetin për Gazetari por e la në gjysmë për shkak se familja nuk i përballonte dot shpenzimet. Dëshira e saj më e madhe është të bëhet mësuese letërsie, një pasion që e ushqen me shpresë çdo ditë.

“Dëshira ime më e madhe ka qenë të bëhem mëesuese letërsie ose gjuhe shqipe.  E kam patur ëndërr dhe pasion. Por jeta jo gjithmonë të jep atë çfarë ti kërkon…ashtu si dhe unë  nuk arrita ti realizoj ëndrrat e mia.  Pasi nisa universitein doja të bëhesha dhe gazetare por familja nuk më ndihmonte dot ekonomikisht për të mbaruar studimet”, thotë ajo për pozitivi.org.

Ndonëse nuk ka mundur të ndjekë rrugën e realizimit të ëndrrave,  ajo vazhdon të jetë e pasionuar pas librave, të cilët mbushin një pjesë të madhe të kohës së saj. “Lexoj shumë libra dhe mbaj mend secilin prej tyre dhe jeten e çdo poeti që kam lexuar”, shton ajo.

Braktisi universitetin por jo vullnetin për të vazhduar përpara. Një vajze në moshën e saj, i duhej të gjente një mundësi për t’u bërë e pavarur. Ëndrrat që kishte nuk ia realizoi dot familja, aq më pak me gjendjen ekonomike në të cilën ndodhen. Ajo filloi të kërkojë pune dhe pavarësisht mundësive jo të përshtatshme dhe të pakta provoi derisa ia arriti qëllimit. “Një ditë teksa mami punonte kopshtin dola në ballkon dhe teksa e shihja po mendoja përse të mos punoj edhe unë…kisha kohë që nuk isha në punë ndërkohë që dhe gjendjen financiare nuk e kishim të mjaftueshme.

Hapa facebook dhe po kërkoja mundësi pune. Kur pashë një faqe ku thuhej ‘Për 8 Mars në vend të luleve mundëso një punë’. Hapa faqen dhe nuk lexova asnjë shënim që ishte shkruar mbi faqe por klikova emrin e një vajze që kishte hapur faqen. Jonida Domenico dhe i shkruajta: Të lutem më ndihmo me një punë në Elbasan sepse kam dhe unë ëndrra dhe dëshira qe s’mi realizon dot familja. Dhe çuditërisht ajo me ka kthyer përgjigje për 5 apo 6 minuta.

Ndërkohë që nuk e prisja një përgjigje ashtu siç nuk më kanë kthyer përgjigje dhe shumë  të tjerë qe kam kontaktuar. Ajo më rekomandoi disa faqe që mundësonin punë në Elbasan. Telefonova ndoshta 10-15 biznese ose me shume, se mbaj mend.  Dhe pas shume eprpjekjeve, më në fund më telefonuan nga një dyqan pasi e kishin pranuar CV time”, tregon Aida.

Në ditët e sotme, interneti të ofron shumë informacione dhe mundësi. Aida i ka shfrytëzuar rrjetet sociale për të kërkuar punë e tashmë edhe për të punuar përmes tyre.  “Me 1 Mars fillova punë. Gjithashtu kontaktova me një faqe online me produkte. Ende nuk kam filluar punë, por po punoj me faqen dhe mbledhjen e audiencës, dhe më pas do filloj dhe me shitje online. Më parë kam kërkuar shumë herë punë, por më thonin do të të telefojmë dhe asgjë s’kanë bërë… Shpesh jam ndier  keq dhe në vështirësi. Kam punuar një vit më parë në një dyqan si shitëse, por nuk kishte lëvizje dhe ata e mbyllën biznesin. Kështu mbeta e papunë”.

Gjendja ekonomike e saj është përmirësuar. Është më e pavarur nga familja dhe arrin të mbulojë disi shpenzimet e veta. Por gjithashtu kërkon të bëjë progres dhe një ditë shpreson të bëjë punën që dëshiron. “Tashmë gjendja ime është përmirsuar, por jo në kushte të mjaftueshme pasi paguhem vetëm 150 mijë lek të vjetra. Të paktën mund të blej disa gjëra për veten.

Në Elbasan, është shumë e vështirë të punosh, pasi vete Elbasani është i dobët në ekonomi.  Gratë në këtë qytet vuajnë jashtëzakonisht shumë.  Së pari do duhet të paguhen më tepër dhe të vlerësohet puna qe bejme. Në këtë mënyrë edhe qindra gra dhe vajza të tjera do ti drejtohen atyre dy destinacioneve.

Normal tashmë do ta kem më të thjeshtë një herë të dytë për të kërkuar punë por ende vazhdoj të ëndërroj që një ditë të bëj punën që dua,  të kem një rrogë të mirë me të cilën mund të përballoj nesër jetën time e vetme”, përmbyll 20 vjeçarja nga Elbasani për Pozitivin.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.