Kërkoi punë për vete, u gjeti punë mijëra tjerëve
30/07/2019 Shpërndaje

Kërkoi punë për vete, u gjeti punë mijëra tjerëve

Prej vitit 2000 Gentian Pagarusha rekruton fuqi punëtore në Zvicër dhe prej 2007 drejton kompaninë e rekrutimit. Ai ka dy zyra pune, një në qytetin e Cyrihut për punësim dhe një tjetër në Luzern, për këshillimin e kompanive.

Gentian Pagarusha është me prejardhje nga Prishtina dhe jeton në Zvicër.

Prej vitit 2007 ai drejton një kompani që merret me rekrutimin e punëtorëve dhe po ashtu këshillon ndërmarrësit e rinj. Gentiani ka dy zyra pune, një në qytetin e Cyrihut dhe një tjetër në Luzern. Për të tash punojnë rreth 95 punëtorë, numër ky që rritet gjatë sezonit të verës.

“Më shumë kemi punë me sektorin e ndërtimtarisë dhe industrisë, sidomos në montim e po ashtu edhe në transport”, tregon Pagarusha për albinfo.ch.

Ai thekson më tutje se kohëve të fundit si në Zvicër ashtu edhe në gjithë Evropën është vështirë të gjenden punëtorë për këto profesione që konsiderohen të rënda. Për këtë arsye thotë se më së shumti punojnë me punëtorë nga Polonia.

“Nëse një punëtori polak, p.sh një `moleri` me përvojë i ofron pagë 32.50 franga bruto për orë, ai pranon. Por një zviceran ose shqiptar që ka kryer këtu shkollimin, nuk vjen me ato të holla. Ata nuk pranojnë të punojnë me më pak se 35 franga orën. Ndërsa punëtoret e thjeshtë paguhen 31 franga për orë. Kohëve të fundit ka një bum në ndërtimtari, prandaj në Zvicër ashtu si dhe në gjithë Evropën perëndimore ka mungesë të punëtorëve. Shumë pak të rinj shkojnë për zanatet si ndërtimtaria, më shumë janë fokusuar në profesione të reja p.sh djali im është i fokusuar të krijojë një kanal në Youtube, të cilin mund ta menaxhojë vetë”, thekson Pagarusha.

Ai përmend se me këtë problem po përballet edhe Kosova. “Për shembull, nëse në Kosovë i kërkon dhjetë zdrukthëtarë të kualifikuar, nuk mund t`i gjesh. Në përgjithësi, për punëtorë të kualifikuar ka mungesë gjithandej, edhe ne Zvicër. Në punën tonë ndodh që ndonjë partner i yni na thërret të mërkurën dhe kërkon që t’ia gjejmë disa punëtorë për të hënën, gjë që është e vështirë të përmbushet. Ose ka raste kur ti i gjen punëtorët, ai thotë se po më duhen më pak sish…”.

Ikja nga Kosova nga regjimi serb dhe realiteti zviceran

Gentiani në Zvicër ka ardhur në moshën 10 vjeçare. Si shumica e kosovarëve edhe ai së bashku me familje u detyrua ta lërë Kosovën për një vend më të sigurt. Babai i tij ishte oficer në ushtrinë e ish-Jugosllavisë. E gjithë familja Pagarusha shihej me sy të keq nga regjimi serb kështu që u detyruan të largoheshin.

Prindërit e Gentianit kanë punuar si punëtorë shëndetësorë në Kosovë si dhe për disa vite në Libi. Por në Zvicër nuk kanë mundur ta ushtronin profesionin e tyre për shkak të gjuhës.

“Kur erdhëm këtu, unë fatmirësisht e kam ditur anglishten, që e kam mësuar si fëmijë, në Libi. Por fillimi në Zvicër ka qenë shumë i vështirë. Në atë kohë kemi jetuar me ndihmat që na ofronte Caritasi por më pas jemi përshtatur dhe prindërit kanë gjetur shumë shpejt punë. Kanë punuar në shtëpi të pleqve por jo në profesionet e tyre (babai, laborant medicinal i mikrobiologjisë dhe nëna, infermiere), thotë  ai.

“Poezia që më kthen në realitet”

Gentiani tregon se si kur e ka nisur shkollën, ka pasur vështirësi për shkak të gjuhës. “E mbaj mend se si kemi hequr deri sa e kemi mësuar një poezi të shkollës së bashku me nënën time. Të dy kemi qarë nga sikleti pasi nuk e dinim gjuhën. Unë poezinë e mësova përmendësh. Kur shkova në shkollë unë dola e recitova poezinë, por mësuesi në anglisht më tha se nuk është dashur ta mësoja përmendësh, ngase ai na kishte thënë se vetëm duhet lexuar, por unë nuk e kisha kuptuar. U tregova prindërve për këtë ngjarje. Ka qenë inat i madh por më ka shërbyer pastaj si mësim i jetës sime”, thekson Pagarusha.

“Në zyrë ende e kam atë poezi. Nëna ma ka dhënë atë duke më thënë se kjo tregon për mundin e bërë atë kohë, i cili tash është duke t`u shpaguar. Dhe sa herë e shikoj, më kthen në kohë dhe marr vullnet për  të shkuar përpara, sepse ajo më tregona se rruga kur kam filluar ka qenë nga zeroja”, thekson ai./Alb.info.ch/


© 2019, Pozitivi. All rights reserved.