“Jo tabu”, HIV në nivele shqetësuese, Dervishi: Më shumë se 100 raste të reja në vit
26/05/2019 Shpërndaje

“Jo tabu”, HIV në nivele shqetësuese, Dervishi: Më shumë se 100 raste të reja në vit

“Sëmundjet seksualisht të transmetueshme” ka qenë tema e rradhës e trajtuar në rubrikën “Jo tabu”, një kuiz argëtues dhe edukues mbi shëndetin seksual dhe riprodhues që prej 3 javësh i është bashkuar emisionit “Trokit” në INtv.

Emisioni ka startuar me sfidën e dy të rinjve të vënë përballë njëri-tjetrit, për t’ju dhënë përgjigje pyetësorëve të cilët përmes pyetjeve dhe përgjigjeve kanë për qëllim të përcjellin informacione të rëndësishme për IST, për të gjithë ndjekësit, të çfarëdolloj moshe qofshin ata.

Në vendet në zhvillim, IST dhe komplikimet e tyre renditen në 5 kategoritë e para të sëmundjeve për të cilat të rriturit kërkojnë kujdes shëndetësor.  Të ftuar në studio për të ndarë informacione të rëndësishme mbi këtë temë kanë qenë Dr Marjeta Dervishi nga Instituti i Shëndetit Publik Programi Kombëtar i HIV dhe AIDS, përgjegjëse për survejencën e HIV dhe AIDS si dhe Arjan Boçi drejtor ekzekutiv i organizatës “Stop AIDS”.

Doktoreshë Dervishi ka deklaruar se vitet e fundit në vend kemi më shumë se 100 raste të reja me HIV. “Ne jemi një vend me prevalencë të ulët të infeksionit HIV por që nuk mund të themi se HIVI nuk është problem në vendin tonë. Të dhënat që ne raportojmë janë vjetore. Dhe ndoshta mund të them që deri në fund të vitit 2018 numri i rasteve me HIV i ka kaluar 1200 raste të raportuara.  Nëse duhet të japim një shifër të saktë është deri në 1205 raste.

Trendi i infeksioneve ka qenë në rritje vitet e fundit. Është fakt që HIV ka hyrë pak me vone në Shqipëri krahasuar me vendet e rajonit dhe kjo edhe për shkak të situatës në të cilën kemi qenë. Në vitet e para numri i rasteve me HIV ishte i vogel, mund të them nje mësatare 6-7 raste në vit, pastaj numri dyfishohet dhe trefishohet dhe mund të them që vitet e fundit ne kemi këtë shifër më shumë se 100 raste të reja në vit. Duket pra tendenca në rritje”, ka deklaruar Dervishi.

Ndërkaq Arjan Boçi drejtori i organizatës “Stop AIDS” tregon se në vendin tonë ka një nivel të ulët ndërgjegjësimi dhe edukimi për testimin e hershëm të rasteve me HIV dhe kjo dëshmohet në faktin që 50% e rasteve me këtë infeksion kapen në stadin e fundit.

“Diagnostifikimi i rasteve të reja ka të bëjë dhe me rritjen e kulturës së testimit. Në përgjithëse krahasuar me vendet e tjera kultura e testimit apo e parandalimit në vendin tonë është deri diku në nivele jo të dëshirueshme. Kjo shpjegohet edhe me faktin që me numrin e rasteve që ne disagnostifikojmë çdo vit rreth 50% e tyre kapen në stadin AIDS dhe jo në stadin fillestar të HIV-it, sepse nëse do të kishin kulturë shëndetësore dhe nivel të lartë ndërgjegjësimi dhe edukimi për testimin e hershëm rastet me Hiv mund të ishin shmangur”, thotë ndër të tjera Boçi.

Përgjatë emisionit u përcollën të dhëna të rëndësishme mbi situatën e HIV, si mund të parandalohet, masat e mara, ku mund të bëhen kontrollet etj., përmes kuiceve me të rinjtë, nga të ftuarit si edhe përmes inserteve të përgatitura. Për t’u theksuar është fakti që përveç programeve dhe institucioneve në vendin tonë, ka edhe programe ndërkombëtare si Global Fund apo UNFPA, që mbështesin shërbimet për testim dhe këshillim për HIV/AIDS.

 

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.