Heronjtë shqiptarë, në shtetet fqinje
02/01/2019 Shpërndaje

Heronjtë shqiptarë, në shtetet fqinje

Ditët e fundit 2 shqiptarë janë nderuar për gjestet humane që kanë bërë në 2 shtetet fqinje Itali dhe Greqi. Sot është bërë ceremonia e dhënies së shtetësisë greke emigrantit shqiptar 35 vjeçarit Gani Xheka që shpëtoi dhjetëra njerëz nga zjarret vrastare në Mati të Atikës në verën e vitit 2018. Shtetas grekë bashkë me shqiptarin janë bërë edhe dy egjiptianë që punojnë si peshkatarë në Nea Makri. Shteti grek në shenjë mirënjohje të thellë për aktet heroike të emigrantëve në këtë tragjedi të madhe, e ka konsideruar si minimale dhënien e shtetësisë.

Ndërkaq një tjetër shqiptar, Gazmend Hysenaj 35-vjeç nga Fieri ka marrë vëmendjen e mediave italiane sepse ka vënë jetën e tij në rrezik për të shpëtuar të tjerët. Hysenaj ka tentuar të shpëtojë fqinjët e tij të bllokuar nën rrënojat e tërmetit 4.8 ballë i shkaktuar nga vullkani “Etna”.  Ngjarja ndodhi në qytezën Zafferana Etnea dhe fraksioni i saj Fleri ku banonte dhe shqiptari, ishte më i prekuri.

“La Repubblica” përshkruan përpjekjet e fierakut dhe banorëve të tjerë që u shndërruan në heronj të ditës. Sipas mediave 35 vjeçari me profesion murator ka vrapuar për të shpëtuar fqinjët sapo ka dëgjuar ulërimat e tyre.

Në qytezën e Flerit ndodhen rreth 186 janë emigrantë shqiptarë.  35 vjeçari dhe disa banorë të tjerë janë quajtur ‘heronj të rastësishëm të Flerit, qytezës më të goditur nga tërmeti. Në zemër të natës, të mbijetuar nga lëkundja e fortë sizmike, vrapuan të shpëtojnë fqinj, miq e familjarë’.

Gazmendi rrëfen për gazetën italiane se është zgjuar në mes të natës nga të qarat e fëmijëve dhe ulërimat e komshiut. Kështu i tregon ai momentet e tmerrit kur shumë banorë kishin mbetur në gërmadha.

“Janë momente që s’ mbarojnë kurrë. Mora gruan e tre fëmijët në krah e i nxora në rrugë me shpejtësi. Por fqinji vazhdonte të thërriste, “më shpëtoni, ndihmë, kam mbetur i bllokuar në gërmadha. Porta e banesës së tij ishte e bllokuar. U mundova ta hap duke e shtyrë me trup por ishte e pamundur. Në atë moment një tjetër lëkundje tërmeti na trembi. Mora tulla e gurë të rrëzuar që gjeta përreth e fillova ta shkatërroj portën, munda të shpërthej e të ndihmoj fqinjin tim të dalë i gjallë nga gërmadhat e banesë”, tregon Gazmend Hysenaj për “La Repubblica”.

Gazmendi mbërriti në Itali një vit më parë për një jetë më të mirë së bashku me familjen. Ndihma që u dha fqinjëve që rrezikonin jetën e ka bërë atë të futet në grupin e heronjve.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.