Hapet edhe një shkollë shqipe në Zvicër
05/10/2019 Shpërndaje

Hapet edhe një shkollë shqipe në Zvicër

Është hapur edhe një shkollë tjetër shqipe në Schwerzenbach të Zvicërs.Shkolla është hapur të premten, ka bërë të ditur Vaxhid Sejdiu, i cili është shprehur se çdo shkollë shqipe është shumë e rëndësishme për fëmijët që jetojnë në diasporë.

“Çdo shkollë shqipe është rreze dielli për sytë e fëmijëve, të cilët me dashurinë më të madhe, me dashurinë për gjuhën e nënës mundohen ta ruajnë gjuhën amtare, shkruan albinfo, transmeton pozitivi.org. A ka gjë më të bukur se të shohësh prindër shqiptarë, të cilët me përkushtim i shoqërojnë fëmijët e tyre drejt shkollës shqipe në Uster, Volketswil, Ditelikon, Brüttisellen, Glattbrug, Effretikon, Fällanden, Fehraltorf…” është shprehur Sejdiu.

Po ashtu Sejdiu u ka bërë thirrje fëmijëve shqiptarë që jetojnë në këtë pjesë të Zvicrës që ta mësojnë gjuhën shqipe, “gjuhën e nënës”.

“Thirrja që shoqërohet me një dashuri të madhe për gjuhën dhe shkollën shqipe: “Ejani në shkollën shqipe në Schwerzenbach”, të cilën fjali e kemi përdorur edhe për shkollat e tjera shqipe, është apel i përgjithshëm, që dëshmon se fëmijët shqiptarë pa gjuhën e nënës janë “si ata zogjtë pa krahë”. Ejani, në shkollën shqipe në “Steingarten” të Schwerzenbach-it, sepse shkolla shqipe po ju pret”, ka thënë Sejdiu.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.