Gjyshja e ‘hekurt’ në Farkë
23/10/2018 Shpërndaje

Gjyshja e ‘hekurt’ në Farkë

Gjyshja e ‘hekurt’ në Farkë, ende shkëlqen nën dritën e diellit…

Me duar të plasura dhe të rrudhura nga vuajtjet, shtrëngonte fort torbën që mbante mbi sup. Ishim në liqenin e Farkës, dhe ajo po afrohej të zbriste tatëpjetën për tek delet, që i kishte në kullotë. Hamideja, e moshuara nga një fshat i Tiranës është shpërngulur në Farkë me familjen shumë vite më parë për një jetë më të mirë. Burri ishte i sëmurë dhe që të mund të jetonte më gjatë, prej klimës së mirë, morën vendimin të zhvendosen në Farkë. Por fatkeqësisht nuk kaluan shumë vite dhe i shoqi, ndërroi jetë.

Barra për t’u kujdesur për famijen ra krejt mbi të. Jo se nuk e kishte më parë, por prezenca e të shoqit e ‘ndihmonte’, i jepte kurajo dhe forcë. Përgjegjësitë ju shtuan, por ajo ia doli. Ende vazhdon t’ja dalë. Me bagëtitë është marrë prej vitesh. E nis ditën duke u ngritur që në orën 6 të mëngjesit. Kryen shërbimet e nevojshme për to në shtëpi dhe bëhet gati t’i nxjerrë në kullotë, nëpër fushat e Farkës. Del në gjashtë të mëngjesit dhe shkon në 7 të darkës në shtëpi. Këtë ka bërë për mbi 20 vite, ende e bën edhe tashmë që i ka kaluar të 70-at.

Sot, fytyra e saj e rrudhur, e nxirë nga dielli i verës, dhe prej viteve të vështira tregon çdo të thotë të përballosh uraganet e jetës. Me shami të bardhë në kokë të lidhur nyje. E veshur komplet me të zeza, vazhdon të punojë për fëmijët dhe nipërit. Gjithë jetën ka punuar dhe përsëri nuk ndalet, edhe pse fëmijët i janë bërë vetë prindër. Mbi trupin e dobët dhe të imët, me njërën dorë mbante torbën që të mos i binte, tjetrën vendosur mbi ball, për të penguar rrezet e diellit, që i shndrisnin fytyrën. Në këmbë mbante veshur një palë këpucë llastiku të lidhura me rrip, për t’i shtrënguar, që të vrapojë më lehtësisht drejt gjedhëve, edhe mes gureve. Duart e vrara të fashuara me copa shamie të bardhë që i kishin marrë ngjyrën e rrobave të trupit.

Trupi i kërrusur dhe i zvogëluar, nuk e tkurr figurën e kësaj nëne, bashkëshorteje dhe gjysheje. E bën atë më madhështore në sytë e mi, dhe në sytë e të gjithë botës. As 5 minuta nuk zgjati biseda jonë. E ndrojtur dhe me sytë e qeshur që shkëlqenin, ashtu si më fliste dhe prekte në supe gjithë kohës, më bëri të përjetoj sikur po bisedoja me gjyshen time të ndjerë. Me fjalë të shkurtra, të shkëputura dhe ndoshta jo të lidhura fort mirë me njëra-tjetrën, më përgjigjej.

Pavarësisht kësaj, kam marrë përgjigjet më të plota (të ndjera) ndonjëherë nga personat që kam intervistuar, sepse ishte e sinqertë, fliste me shpirt, me sy, me trup, me duar, me këmbë. Fliste lëkura e regjur, e nxirë por sërish e qeshur. Fliste me veprat që kishte bërë dhe bënte për familjen. Gjithçka e tregonte me qenien e saj të vogël por me shpirt të madh. Rrallë takon njerëz të tillë, që të përcjellin këtë ndjesi për vetëm 5 minuta.

Gjendja ekonomike e familjes ende nuk ishte rimëkëmbur. Punonin për jetesë. Të ardhurat kryesore i përfitonin nga gjedhët, kurse djali me të cilin jetonte, herë me punë e herë pa punë, ‘ku t’i dalë’. Mes problemeve të Farkës, banorët e kësaj njësie renditën papunësinë, mungesën e ujit vaditës për tokat, ujë të pijshëm me orar të kufizuar (1-2 orë në ditë, ka raste që verës s’ka fare), rrugë të pashtruara, vjedhjen e kafshëve dhe gjedhëve etj.

Fatmirësisht asaj s’i kanë vjedhur asnjë gjedhë deri më tani. Ndoshta sepse i ruan si ‘sytë e ballit’, sepse për to ka dhënë shpirtin. Por e moshuara nuk ankohej për këto probleme si banorët e tjerë. S’i dukeshin asgjë para atyre që kishte kaluar. Dëshirë kishte të bisedonte, sepse sa herë e pyesja për diçka, përveç përgjigjes nëpër dhëmbë më dhuronte edhe një përqafim me koke, si për të kapërcyer mendimet që i vinin ndër mend. Ose për të më thënë se duhen orë/dite të tëra të dëgjosh jetën time. Iku shpejt sepse gjedhët për një moment i humbën nga sytë. Me torbë në shpinë, dhe shkop në dorë, u nis poshtë, drejt lumit të Farkës, me fytyrën e qeshur dhe mendimet që bluante në kokë pas asaj bisede (interviste) 5 minuteshe qe shkembyem bashke.

Torba peshonte fort, u bëra kurioze të mësoj çfarë i rëndonte kaq shumë, por s’e pyeta. As ajo s’e lëshoi për asnjë moment në tokë, jepte e merrte, e anuar, ta mbajë pas shpine gjate atyre 5 minutave. Dukej sikur aty kishte mbledhur të gjitha vuajtet dhe sakrificat që kishte kaluar në jetë. Prandaj i peshonin kaq fort. Sepse sado vitet kanë kaluar gjurmët kanë mbetur. Ato janë grumbulluar në zemer, në ‘thesin e kujtimeve tona’.

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.