Fatimja, futbollistja e re që sfidon djemtë në fushë dhe jetë
22/04/2019 Shpërndaje

Fatimja, futbollistja e re që sfidon djemtë në fushë dhe jetë

Fatime Nezha është 17 vjeç dhe ka marrë hijen e një djali. Me flokë të shkurtra, me topin e futbollit që s’i ndahet nga këmba, vëthin e vendosur në njërin vesh dhe rrobat e gjera, kështu e sheh çdo ditë këtë të re në fushën e futbollit, e barabartë me djemtë e ekipit në të cilin luan.

Që e vogël i kanë pëlqyer sportet e forta, sportet e meshkujve. Të luajë futboll ka nisur në klasën e 5. “E kam filluar që në klasë të 5. Aq shumë u apasionova pas futbollit saqë pastaj në klasë të 9 fillova të lë edhe mësimin dhe luaja futboll me çdo klasë që kishte fiskulturë”. Tashmë prej dy vitesh stërvitet në ekipin Teuta. Prej performancës së saj të mirë e kërkojnë shumë ekipe të tjera.

Aktualisht studion në gjimnazin sportiv “Benardina Qeraxhiu”. Në të gjithë shkollën sportive, e përbërë prej më shumë se 400 nxënësish, gjithsej mund të jenë 3 vajza që merren me futboll. Në fillim Fatimja u vendos para një zgjedhjeje, shkollën ose futbollin. Por ajo u zotua, se shkollën mund ta braktisë por futbollin kurrë. Prandaj iu mundësuan të dyja.

Ndonëse në vendin tonë ka pak vajza futbolliste sepse konsiderohet më shumë si sport për meshkujt Fatimja ndihet e barabartë në fushë dhe s’do ta braktisë kurrë. “Unë për vete se kam problem të luaj futboll, kam luajtur me shumë ekipe. Mua më pëlqen shumë çdo lloj sporti. Gjithmonë i kam shkuar sportit nga pas, jo biçikleta, jo makina, jo futbolli. Unë e dua futbollin. E kam shumë qejf dhe sdo ta lë ndonjëherë. Vetëm po më la futbolli mua”.

Sporti e ka ndryshuar, saqë tashmë edhe në jetën e përditshme shoqërohet me djem. Me djemtë flet për sportin, futbollin ndërsa me vajzat e ka më të vështirë të përshtatet. Në fushë ndihet e barabartë, madje shpesh edhe e sfidon gjininë tjetër. Ka guxim, si trembet topit, e përballon fushën dhe ndeshjen deri në fund. E veçanta e saj është se luan futboll me ekipe djemsh më tepër dhe më pak me vajzat.

Të vendosësh të ndryshosh stilin e jetesës, si Fatimja, në shoqërinë tonë shpesh ndeshesh me paragjykime. Ka dalë kundër rregullave të shoqërisë tonë patriakale, por familjen e ka pasur gjithmonë mbështetje. Futbollin e ka vendosur mbi gjithçka. Mbi traditën, paragjykimet vrastare të shoqërisë dhe të vetë moshatareve të saj. Dhe në fakt po ia del të thyejë tabutë e të shkojë drejt suksesit. Në një konkurs jashtë vendit 17 vjeçarja ka marrë çmimin futbollistja më e mirë, në 2013.

Në përditshmë ka një jetë intensive. Pas një ndeshje futbolli ndihet shumë e motivuar, të bëjë gjithçka. Tregon se shpesh shkon në lokalin e këngëtarit të njohur të rrepit, Noizyt, sepse është një fanse e madhe e muzikës së tij. I di të gjitha tekstet përmendësh. “Shkoj e takoj Noizin te lokali se jam fans i tij. Kur shkoj te loakli ai qesh, sepse më ka parë shumë herë. I dëgjoj çdo këngë. Kam vënë re se kemi pasione të përbashkëta, luan kalçeto edhe unë luaj, ai pëlqen gjithashtu futbollin, ai ka pasion grushtin dhe unë grushtin (qesh)”.

Zgjedhja e saj ka qenë të ndjekë hapat e djemve. “Unë ndjek hapat e çunave dhe jo të gocave. Sepse smë pëlqejnë vajzat, sepse me vajzat mund të bësh muhabete të tilla, jo më pëlqen ky djali dhe smë pëlqen. Kurse me djemtë ke muhabete sherri. Shoqëria ime është e përbërë nga djemtë, vajza mund të kem shumë pak shoqe, më shumë vetëm i përshëndes dhe kaq.

Mesazhi i Fatimes për të rinjtë: Mesazhi që dua të jap për të rinjtë është të ndjekin pasionin dhe të largohen nga çdo rrugë e keqe. Kurse për gocat lëreni dashurinë dhe shkoni te sporti. (qesh)

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.