Durrësi, qyteti që po ‘braktis’ studentët
03/11/2018 Shpërndaje

Durrësi, qyteti që po ‘braktis’ studentët

Durrësi qyteti i 2 me numrin më të lartë të popullsisë në Shqipëri siç duket nuk është vendi i preferuar për të rinjtë. Por shumë studentë janë të detyruar të shpërngulen nga zona të ndryshme të vendit për të ndjekur universitetin. Sipas të rinjve ky qytet nuk ofron shërbimet dhe mundësitë e nevojshme për një student.

Gjatë një trajnimi të zhvilluar me të rinjtë e Durrësit në kuadër të projektit “Lëviz për të Votuar” nga “Qendra për Trashëgimi dhe Edukim”, mbi 50 të rinj studentë ngritën një sërë shqetësimesh. Qyteti i Durrësit ka nevojë për një konvikt studentor. Mungesa e një të tilli ka rritur shpenzimet për ta. Abonetë e studentit janë një tjetër problematikë. Përveçse në numër të kufizuar, ato pak abone studenti nuk përfundojnë në duart e tyre.

“Abone nuk shpërndahen në rregull, i shpërndajnë kur t’u teket.  Ato gjendet pa vërtetim sepse nuk jepen për studentët. Edhe orari kur merret aboneja është i papërshtatshëm sepse duhet me prit deri në dy të natës rradhën. Unë mendoj se duhet të krijohet një rregull që të shpërndahen nëpër shkolla, kush dëshiron të marrë. Të krijohet një sistem më i mirë shpërndarje që të adresohen tek studentët”, thotë një student i Gjuhës dhe Letërsisë në Universitetin e Durrës, i ardhur nga Kukësi për të studiuar.

Ermiri, një tjetër student, banues në Durrës, thotë se kjo problematikë ka qenë prej kohësh: “Nuk është problemi se studentët duhet të presin që të marrin, por studentët presin dhe nuk marrin. Nga 300 që vendosen, 200 hiqen anash dhe 100 shpërndahen, pra nuk llogariten t’u jepen studentëve”.

Shpenzimet për studentët si për të ardhurit nga qytete të tjera vendit apo nga Durrësi, janë të larta. Punësimi është një dritare për të përballuar jetesën. Një mundësi e tillë në Durrës sipas të rinjve nuk është e mundur.

“Ne studentët në Durrës e kemi të vështirë të gjejmë punë. Edhe pse na duhet që të përballojmë shpenzimet. Studentit i duhet me se s’bën të punojë që të heqë shpenzimet. Në Durrës e shoh problem një mundësi të tillë.  Kur duhet të gjesh një punë që të përgjysmosh problemet e tua nuk mundesh për vet orarin e shkollës por edhe sepse s’ka punë pa orare të plota. Vetëm qeraja e një studenti është aq e lartë, pa llogaritur pjesën e librave dhe të tjera. Minimumi të kishim librat falas”, thotë e reja nga Lushnja.

Të rinjtë shprehen se për shkak të pamundësive ekonomike dhe mundësive të kufizuara për punë, shumë studentë edhe janë detyruar ta ndërpresin universitetin në mes. “Po ka pasur plot raste. Kam një shoqe që vitin e dytë nuk e vazhdoi. Mundësitë e punësimit janë shumë të ulëta, krahasuar me Tiranën për shembull.

E vetmja mundësi pune është shitëse. Nga stacioni i tenit deri te zona Veneciane ka dyqane që kërkojnë shitëse. Problemi është mospërshtatje e të rinjve me këto pozicione. Problem janë oraret më shumë”, shtojnë të rinjtë.

Fluski i lartë i studentëve nuk përballohet nga urbanët, të cilët janë të kufizuar në numër. Kjo  ka sjellë vonesë për në mësim, edhe humbje të provimeve apo vitit për shkak të mungesave. “Dua të hap problemin e pjesës së urbanëve. Për shembull, unë e kam shtëpinë 5 minuta larg universitetit me autobus dhe unë ose duhet të dal në orën 7 e gjysmë në  stacion ose duhet të shkoj me vonesë sepse me urbanët nuk ndalojnë. Këtë e vërej edhe tek të tjerët por unë sidomos sepse jam te stacioni i parafundit. Autobusët janë aq plotë dhe nuk ndalojnë.

Problemi është me ardhjen e studentëve të Currilave 3-fish dhe ka fluks dhe jo aq sa duhet autobusë që t’i përballojnë. Kjo i penalizon studentët qoftë në mungesa, duke humbur një lëndë apo një vit studimi. Dhe e dyta edhe për provime, jo të gjithë e kanë mundësinë të jenë afër universitetit dhe të shkojnë në këmbë të jenë afër univeristetit, jo të gjithë kanë makinë dhe si pasojë humbasin. Problemi nuk është te fakti që ne presim 20 minuta por se çfarë sjell kjo pritje pastaj, që mund ti bëjë studentët të humbin vitin, lëndën, mësimin”, thotë Edlira një tjetër studente.

 

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.