Dritë shprese për folklorin, rikthehet pas 20 vitesh koreografi i njohur: Më ktheu dashuria
27/11/2018
0 komente
Shpërndaje

Dritë shprese për folklorin, rikthehet pas 20 vitesh koreografi i njohur: Më ktheu dashuria

Koreografi i njohur Skënder Haklaj, krijues i dhjetëra valleve, autor i 5 librave si dhe studiues i folklorit koreografik shqiptar është rikthyer në Shqipëri pas 20 vitesh emigrim për të mos e lënë në harresë trashëgiminë kulturore shpirtërore të kombit, mëson pozitivi.org.

Prej dekadash ka vallëzuar, ka krijuar, studiuar dhe pasuruar artin koreografik. Koreografi dhe interpretuesi brilant i “Kcimit të Malësisë”, njihet dhe si poet e mësues i talentuar, i brezit të ri, kryesisht në Tropojë dhe Tiranë. Skënder Haklaj vjen nga një taban familjar arti. Nxitje drejt artit të koreografisë për të ka qenë çiftelia dhe lahuta e të atit. Baba i tij i binte mirë lahutës dhe këndonte në formë recitative. Vdekja e të vëllait në moshë të re dhe ardhja në jetë e Skënderit, si trashëgimtar i vetëm i familjes pas 6 vajzave, ishte ngjarje e shënuar për të gjithë fisin. Kudo që ftohej i ati, duhej të shoqërohej nga i biri. Kështu Oda e Burrave ka qenë një shkollë më vete për koreografin, që se ka hasur askund deri më sot.

“Kcimi i bjeshkës me tupan” është një valle e tij që ka përcjellë jo vetëm gëzime, por dhe kushtrime e inkurajime luftrash për vatan. E shpallur tashmë “Kryevepër e trashëgimisë shpirtërore e kombit” kjo valle dhe Skënderi na kujtojnë se në këtë epokë kultura dhe trashëgimia e folklorit tonë duhet të mbrohet me patriotizëm.

Gjatë një prononcimi për pozitivi.org koreografi na tregon se pas 20 vitesh në emigrim është rikthyer në Shqipëri për të mbajtur gjallë folklorin përmes edukimit të të rinjve. E ktheu dashuria për punën dhe folklorin. Tashmë është angazhuar duke stërvitur grupe kërcimi që nga fëmijët deri tek të rinjtë dhe e ka shtrirë aktivitetin e tij mes Tiranës dhe Tropojës. Rikthimi i tij është dritë shprese për folklorin dhe ruajtjen e tij tek brezi i ri.

Skënder Haklaj për pozitivi.org:

Na tregoni pak për angazhimet e tanishme?

Kemi arritur deri në shkallën për në pragun e portës së asaj që quhet UNESCO. “Kcimi i bjeshkës me tupan” është shpallur “Kryevepër e trashëgimisë shpirtërore të kombit”. Unë kam bërë një libër studimor, “Tropoja mrekullia shpirtërore”. Po përgatisim festivalin e kcimit që bëhet çdo vit, ku do të promovoj dhe librin është studimor shekcor, i kam kushtu gjithë jetën. Aty ku trupi flet, flet gjithçka për kërcimin dhe lëvizjen në tërësi.

Unë flas kryesisht për vallen e Tropojës, nuk është valle, është paravalle. Pastaj për valle të tjera. Tani po përgatitim një takim me presidentin, për të ndërtuar një koncert recital, në Tiranë. Qëllimi është sesi duhet bazuar në origjinalitetin, në karakterin, në burim, të kërcimeve të Tropojës për të bërë një krijimtari. Me 25 maj në festival do bëj promovimin e librit që është studimor-shencor, ku flitet shkencërisht, nuk flitet me hamendje. Është i bazuar në shumë studiues të huaj. Kam lexuar në italisht rreth 86 autorë të huaj që flasin për folklorin në përgjithësi dhe për origjinën e lëvizjes, kcimit. Në veçanti duke e krahasuar me shumë gjëra që përkasin me literaturën botërore dhe origjinalitetin e artit tonë popullor, artin tonë koreografik. E kam në punim e sipër. Rri të punoj deri në 12 të natës. Jam shumë i vullnetshëm edhe me moshën që kam nuk e kam shumë problem. Unë kam atë shpirtin e punës dhe të përkrahjes të të gjithë atij që punon. Unë e dua punën, ai që do punën e do punëtorin.

Si e keni nisur karrierën tuaj?

Që me 3 shtator të 68’, por jo me atë doemosjen time, as studimore, as shkencore, as njohje teorike. Por si një vullnetar i shpirtit, çohuni të kërceni. Në 77’ u hap për herë të parë shkolla 9 mujore, në Tiranë, pranë Asnsamblit të Shtetit. Për herë të parë shteti i hapi organikat me koreograf profesionistë të vërtetë. Por duhej të kishe shkollën e mesme, aftësi krijuese, talent.

Nga ‘fatkeqësia’ e babës unë kam përfitu për me qenë i privilegjuar, me më pranu në Odën e Burrave. Sepse vëllai ka vdek i ri dhe baba mbeti pa djalë. Kur linda unë të gjithë u gëzuan. Baba ishte në moshë të thyer. Për t’i dhënë atij krah, nuk ftohej vetëm, po i thonin merre djalin me vete. Kërceja vazhdimisht nëpër Oda Burrash. Unë atje në Odën e Burrave kam përfituar një shkollë, një universitet që s’e kam gjetur ende. Pra ky është përfitimi nga ‘fatkeqësia’ e babës. S’kam pas nevojë për universitet se e kam filluar në odën e burrave. Baba i binte mirë lahutës dhe këndonte në mënyrë recitative. I binte dhe çiftelisë tepër bukur me motivet e Tropojës. Pas darke, i binte lahutës dhe çiftelisë dhe më thoshte të kërceja. Ai e ka nxitur kërcimin tim.

Pse u kthyet në Shqipëri pas 20 vitesh emigrim?

Unë nuk kam ardhur për rehati, sepse përndryshe do të rrija në Itali. Mund te shkoj te fëmijët që janë në Gjermani dhe Kaliforni të cilët më luten. Për qejf rrija në Venecia. Kështu që nuk kam ardhur për qejf pas 20 vitesh. Më ka sjellë dashuria e madhe për këtë punë, për folklorin.

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.

Komentet

Asnjë Koment Ju mund të jeni i pari që të komentoni!

Shkruani një Koment

Të dhënat tuaja janë të sigurta! Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet dhe të dhënat tuaja nuk do të shpërndahen me persona të tretë. *