Djegia e mandateve të opozitës, cila ka qenë rruga e zgjidhjes në krizat politike të mëparshme
20/02/2019 Shpërndaje

Djegia e mandateve të opozitës, cila ka qenë rruga e zgjidhjes në krizat politike të mëparshme

Kreu i PD-së Lulzim Basha deklaroi sot për militantët dhe median para selisë së PD se Këshilli Kombëtar i Partisë Demokratike miratoi në unanimitet vendimin për djegien e mandateve të deputetit.

“Kam nderin dhe privilegjin t’ju bëj të ditur vendimin unanim të Këshillit Kombëtar të PD-së për djegien e mandateve parlamentare me efekt të menjëhershëm. Në këtë 20 Shkurt të vitit 2019 , 28 vite pas rrëzimit të diktaturës më të egër që ka përjetuar Europa, shqiptarët të bashkuar si asnjëherë do të kenë në krah të tyre PD. Njerëzit tanë do të jenë në krah të qytetarëve, si qytetarë të thjeshtë që kurrë më të mos vendoset një regjim diktatorial dhe që Kushtetuta dhe zgjedhjet të mos shkelen siç ka ndodhur në këto 5 vite”, tha Basha duke iu referuar dhe protestës që pritet të zhvillohet ditën e nesërme.

Më herët kryedemokrati ka theksuar se ky vendim për djegien e mandateve të deputetëve ka ardhur si mesazh i qartë nga protesta e opozitës, e cila u zhvillua të shtunën në bulevardin Dëshmorët e Kombit, me qëllim rrëzimin e qeverisë.

Megjithëse opozita duket e vendosur për ta bërë realitet djegien e mandateve gjë që e kanë shprehur ta bëjnë edhe më herët në protestat e tjera, aktorë të rëndësishëm janë shprehur kundër këtij vendimi. Këtu përmendim qëndrimin e prerë të Ambasadës së Shteteve të Bashkuara në Tiranë, dhe OSBE kundër “djegies” së mandateve nga PD dhe LSI. Prezenca e OSBE në vendin tonë ka mbështetur reagimin e Ambasadës Amerikane, e cila u bënte thirrje deputetëve mos të djegin mandatet dhe mos të bien pre e presioneve të partive opozitare.

“Një demokraci e shëndetshme kërkon një opozitë që funksionon në mënyrë konstruktive brenda institucioneve kushtetuese. Kërcënimet nga Partia Demokratike, Lëvizja Socialiste për Integrim dhe parti të tjera opozitare për të braktisur mandatet e tyre në parlament minojnë parimet bazë të demokracisë dhe sabotojnë përparimin e rëndësishëm që Shqipëria ka arritur në zbatimin e ligjit dhe qeverisjen e përgjegjshme. Shtetet e Bashkuara iu bëjnë thirrje të gjithë deputetëve të ngrihen mbi sherret politike, të refuzojnë thirrjet për të braktisur mandatet e tyre dhe të mbrojnë idealet dhe parimet që janë me rëndësi thelbësore për çdo demokraci të fortë. Nëse dështoni të bëni punën tuaj, do të zhgënjeni njerëzit të cilëve keni privilegjin tu shërbeni”, thuhej në reagimin e Ambasadës Amerikane.

Por çfarë ndodh nëse opozita djeg mandatet?

Më herët gjatë një prononcimi përpara gazetarëve ish-kryetari i KQZ Kristaq Kume ka shpjeguar çfarë ndodh kur ‘digjen’ mandatet kur diskutohej heqja dorë nga mandati i të gjithë deputetëve opozitarë dhe i kandidatëve të opozitës në listën e 2017: “Djegia e mandateve është veprim ekuivalent me dorëheqjen ndaj një mandati të caktuar.  Pra është një veprim që nuk ka asnjë ngërç ligjor. Nëse realizohet do të thotë që në Kuvendin e Shqipërisë krijohen vakanca dhe për këtë njoftohet KQZ për të plotësuar vakancat. Mënyra si ndodh më pas nuk është shprehur në Kodin Zgjedhor por për analogji mund të merret rasti i vakancës së krijuar nga një deputet i pavarur.

Që do të thotë KQZ do të thërrasë anëtarët kandidatë të PD-së në listë dhe asnjëri prej tyre nuk do të pranojë që të marrë mandatin, ky institucion duhet tia ofrojë mandatin subjektit zgjedhor me herësin më të madh që ka. Por e gjitha kjo për mendimin tim është një teknikë legjislative dhe që problemi me të cilin jemi duke u ndeshur nuk duhet të trajtohet në këtë aspekt por për efektin që ai sjell në jetën politike dhe në qeverisjen e të gjithë vendit.

Ndërkaq edhe në rastin e fundit, nëse deputetët heqin dorë nga mandati, do funksionojë në të njëjtën mënyrë: Mandati i ndërprerë i deputetit i kalon kandidatit vijues të listës së të njëjtës parti politike në zonën zgjedhore përkatëse. KQZ i jep mandatin kandidatit të radhës në listën deri në shterimin e listës së kandidatëve të së njëjtës parti politike, nëse asnjë nuk pranon. Nëse asnjë nga deputetët e listës së pritjes së partive opozitare nuk do të pranojë të hyjë në Kuvend, atëherë mandati i kalon partisë së koalicionit me herësin më të lartë.

A ka pasur raste të ngjashme krizash politike më herët në vendin tonë? Si janë zgjidhur?

Gazetari Blendi Fevziu, i ftuar në emisionin ‘Tempora’ nga Sonila Meço në Ora News gjatë mbrëmjes së djeshme,tha se pas vendimit të opozitës për djegien e mandateve,  situata politike është shumë e rëndë në vend. Fevziu la të kuptohej se këtë situatë mund ta zgjidhë Presidneti i vendit Ilir Meta, duke iu referuar dhe rasteve të mëparshme kur ka pasur kriza politike dhe si është vepruar nga presidetntët e atyre kohërave.

‘Opozita po merr një goditje vet për t’u treguar ndërkombëtarëve që Edi Rama nuk është faktor stabilitetit. Do shohim çfarë roli do të luaj Presidenti. Në krizën e vitit 2006, ishte Presidenti, Alfred Moisiu që thirri palët për të shtyrë zgjedhjet nga dhjetori në shkurt.

Në vitin 2010, ishte Bamir Topi që thirri palët për të zgjidhur ngërçin ku opozita kishte bojkotuar Parlamentin. A do të tentojë Meta t’i thërrasë palët në një tryezë presidenciale dhe a do të pranojnë palët? Më herët ka funksionuar. Berisha ka pranuar të shkojë. Presidenti ka detyrimin t’i thërrasë palët’, tha Fevziu.

Blendi Fevziu përmendi rastin e 2006, kur Presidenti  Alfred Moisiu u bëri thirrje palëve të shtyjnë zgjedhjet. Kujtojmë se zgjedhjet e 18 shkurtit të vitit 2007,  u paraprinë nga një krizë e gjatë politike  e cila çoi në shtyrjen me disa muaj të ditës së zgjedhjeve. Kryetari i opozitës Edi Rama refuzoi të hynte në zgjedhje duke pretenduar në përpjekjet e mazhorancës për manipulim të procesit.  Zgjedhjet vendore ishin parashikuar të zhvilloheshin në nëtor të vitit 2006 dhe ato u shtynë për 18 shkurt 2007 pasi u arrit marrëveshja mes mazhorancës dhe opozitës.

Kriza politike në 2009 solli bojkotin e Parlamentit nga opozita. Kësaj here socialistët do të kërkonin hapjen e kutive, pasi akuzonin për manipulime të zgjedhjeve. 22 deputetët të opozitës do të futeshin në grevë urie. Ato të ngrinin edhe çadrën e tyre në bulevardin Dëshmorët e Kombit përpara kryeministrisë. Greva e Urisë së 22 deputetëve të PS-së dhe afro e 200 anëtarëve e simpatizantëve për 19 ditë në Tiranë. Ata kërkuan transparencën për zgjedhjet parlamentare të 2009. Hapja e kutive ishte lajtmotivi i thirrjes së opozitës, si dhe ato të qarkut të Fierit.

Ndërkombëtarët mendohet se ndikuan për zgjidhjen e krizës politike. Për këtë europarlamentarët e majtë dhe të djathtë arritën që të ndërmjetësonin duke detyruar PS-në të mbyllte grevën të dilnin nga çadra dhe të diskutonin me palën kundërshtare.

Ndërkaq ka qenë edhe Presidenti i asaj kohe Bamir Topi, i cili ka zhvilluar takime me ndërkombëtarët, përmendim këtu atë me ambasasadorët e KE-së dhe Spanjës, Helmut Lohan dhe Manuel Montobio, me të cilët u diskutuar për situatën politike në vend, në një kohë kur në bulevard  zhvillohej greva e urisë e deputetëve dhe mbështetësve të thjeshtë socialistë.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.