Bujqësia në kushte mbijetese, 4.5 mln USD në mbështetje të fermave të vogla
27/02/2019
0 komente
Shpërndaje

Bujqësia në kushte mbijetese, 4.5 mln USD në mbështetje të fermave të vogla

Zhvillimi i sektorit të bujqësisë vazhdimisht prezantohet si një prioritet i pushtetit vendor dhe lokal, megjithatë ende mbetet një sfidë. Sa ka arritur Shqipëria ta zhvillojë këtë sektor? Bujqësia në vendin tonë ende shihet si një aktivitet mbijetese, për shkak se ky sektor është zhvilluar me ritme të ngadalta. Mungojnë investimet, në disa fshatra toka ende punohet me parmendë që tërhiqet nga kafshë, për të shmangur kostot.

Qindra familje fermerësh kanë shpallur falimentin, në disa fshatra të vendit. Mungesa e tregjeve dhe pamundësia për të shitur produktet, i ka detyruar fermerët t’i hedhin produktet. Kjo ka sjellë dhe falimentim e shumë prej tyre, dhe orientimin drejt emigracionit. Edhe Organizata e Ushqimit dhe Bujqësisë së Kombeve të Bashkuara (FAO) evidenton si shqetësim varfërinë që mbizotëron në fshatra dhe varësinë e tyre ndaj emigracionit, ndërsa kërkon përdorim më të mirë të fondeve në funksion të zhvillimit rural.

Ky sektor ndikon në rrijten e zhvillimit ekonomik dhe zbutjen e papunësisë. Sot më shumë se kurrë ka nevojë të zhvillohet, përmes investimeve nga ana e pushtetit lokal, vendor dhe prej mekanizmave të tjera. Ministria e Bujqësisë bën me dije se do të përdorë një fond prej 4.5 milionë dollarësh për fermerët e vegjël dhe diversifikimin e bujqësisë në tre vitet e ardhshme, përmes këshillimit për të përmirësuar mundësinë e tyre për thithjen e granteve që jepen nga Bashkimi Europian dhe qeveria shqiptare.

Ky është dhe qëllimi i marrëveshjes së nënshkruar midis FAO-s dhe Ministrisë së Bujqësisë. Programi do të zbatohet në vitet 2019-2021. Por një tjetër problematikë aktuale e fermerëve është informaliteti i lartë, i cili bën që një pjesë e tyre të jenë të përjashtuar nga grantet që u jepen në mbështetje.

Po t’u referohemi vendeve europiane përsa i përket zhvillimit bujqësor, nuk flitet për mbijetesë apo raste sporadike suksesi, por për një model të suksesshëm sektori që qëndron si një shtyllë e rëndësishme në ekonomi, ku veçanërisht eksportet janë të konsoliduara. Në vendin tonë është krejt e kundërta, sepse tashmë flitet për mbijetesën e bujqësisë. Organizata joqeveritare që merren më bujqësi japin vlerësime të ndryshme, sa i përket investimeve.  Ndërsa fermerët ngrenë alarmin. Ata thonë se çmimet për punimin, plehrat kimike, farërat dhe gjithçka tjetër nuk kanë ndryshuar. Produktet nuk shiten dhe aq më pak  të eksportohen.

Aktualisht fermerët janë në momentet e përgatitjes së serave për mbjelljet e reja. Vitet e fundit kostot për ta kanë qenë të larta krahasuar me shitjet. Një serë që i përket familjes Çelmeta në fshatin e Pezës në Tiranë, prej vitesh prodhon produkte të cilat i shet brenda vendit. Në këtë serë është bërë një investim 20 vjeçar, tregojnë vëllezërit gjatë një prononcimi për pozitivi.org. Që prej vitit 1991 jeta e Eduard dhe Gazmir Çelmeta është e përkushtuar e gjitha në bujqësi, por vështirësia më e madhe si atëherë edhe sot vijon të mbetet mungesa e një tregu.

Vëllezërit kanë dy sera të përmasave të mëdha, dhe njihen ndër fermerët më aktivë në Pezë. Peza, është një zonë e Tiranës që jeton me bujqësi dhe investimet në këtë fushë janë mjaft të domosdoshme, shprehen fermerët e tjerë që janë të punësuar në serën e familjes Çelmeta. Dy zonja të punësuara në këtë sferë, tregojnë se kjo është e vetmja mundësi ku ata integrohen në punë, megjithëse me sezone.

Ndërsa flasin për vështirësitë që kanë në punë dhe përfitimet që marrin ata shprehen se kanë ardhur duke u përkeqësuar nga viti në vit. “Punoj pa orar, vijmë herët gjatë verës, vijmë në 5 e gjysmë 6 deri nga ora nëntë dhe dhjetë. Kurse pasdite vijmë më vonë se është shumë vapë dhe rrimë. Ngrihemi në 1 të natës, për ti shitur. Ka dhe raste që nuk shiten. Detyrohemi ti hedhin ose ti shesim me ulje në vend që të çojmë dëm gjithë mundin. Shpenzimet për të mjellat janë të mëdha por kjo është e vetmja mundësi punësimi për familjen tonë, skemi ku të gjenerojmë të ardhura në mënyrë tjetër”, thotë Eduardi për pozitivi.org.

Vëllai tjetër Gazmiri thotë se investimet nga ana e qeverisë në bujqësi do të ndikonin patjetër në zhvillimin e këtij sektori. Ai kërkon që ndër të tjera, të shihet mundësia për hapjen e një tregu të ri ose një pike grumbullimi. “Ne si fermerë kërkojmë të hapet një treg tjetër se atëherë do të fillojë konkurenca. Kur ka konkurencë ka dhe produkte më të mira. Të bëhet një pikë shumice, mallin që e dërgojmë ta kemi të garantuar që shitet, kurse te tregu nëse shitet mirë, nëse nuk shitet do e kthesh mallin mbrapsht. Kështu ne e hedhim shpeshherë ose e ulim çmimin shumë saqë mezi mbulojmë kostot. Patjeter qe investimet nga Ministria e Bujqesise do ta ndihmonin kete sektor te dale nga kriza ku eshte aktualisht. Jo vetem ne [or te gjithe fermeret e tjere ne Peze kane ardhur duke ulur numrin rendimentin e prodhimeve, sepse ska investime, nuk shiten produketet, s’ka treg”, thotë ai.

Vështirësia  më e madhe për bujqësinë është tregu. Kërkesa dhe thirrje për investime janë bërë jo vetëm nga këta dy vëllezër që ia kanë kushtuar jetën bujqësisë, por  edhe nga shumë fermerë të tjerë të cilët shpresojnë të ringrihet sërish ky sektor, që e kanë të vetmin burim jetese. Eduardi dhe vëllai i tij Gazmiri janë optimistë, shpresojnë që do të ketë më shumë investime dhe zhvillim në të ardhmen.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.

Komentet

Asnjë Koment Ju mund të jeni i pari që të komentoni!

Shkruani një Koment

Të dhënat tuaja janë të sigurta! Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet dhe të dhënat tuaja nuk do të shpërndahen me persona të tretë. *