Barazia gjinore
15/05/2019 Shpërndaje

Barazia gjinore

Barazia gjinore është një prej vlerave thelbësore të një shoqërie demokratike. Është një nga Objektivat e Zhvillimit të Qëndrueshëm. Strategjia Kombëtare për Barazinë Gjinore dhe Eliminimin e Dhunës në Familje dhe Plani i Veprimit përbën një dokument të rëndësishëm të miratuar me Vendim të Këshillit të Ministrave.

Ligji rregullon çështjet themelore të barazisë gjinore në jetën publike, të mbrojtjes dhe trajtimit të barabartë të grave e burrave për mundësitë dhe shanset e barabarta për ushtrimin e të drejtave si dhe për pjesëmarrjen e ndihmesën e tyre në zhvillimin e të gjithë fushave të jetës shoqërore.

Sanksionimi me ligj i barazisë së të gjithë shtetasve përpara ligjit, (Neni 18 i Kushtetutës), bën që burri dhe gruaja, si subjekte të së drejtës, de jure të trajtohen njësoj, në mënyrë të barabartë dhe si pasojë të kenë edhe detyrime të njëjta. Barazia përshkon të gjithë Kushtetutën dhe ligjet e tjera.

Projekt Ligji për Barazinë Gjinore plotëson kuadrin ligjor lidhur me barazinë gjinore në arsim, punësim dhe vendim-marrje. Ai mundëson ngritjen e mekanizmave qeveritarë në hartimin e politikave për barazinë gjinore dhe parashikon matjen e ndikimit të këtyre politikave nëpërmjet vlerësimeve dhe monitorimit periodik.

Mekanizmi qeveritar që siguron barazinë gjinore. Ligji Nr. 9198 dt.01.07.2004 “Për barazinë gjinore në shoqëri”, pas ndryshimeve që pësoi në shkurt 2006, përcakton si autoritet përgjegjës për çështjet e barazisë gjinore Ministrin e Punës, Çështjeve Sociale dhe Shanseve të Barabarta. Vizioni i qeverisë së re demokratike për përparimin e gruas dhe arritjen e barazisë gjinore bëri që të përfshihen këto çështje në politikat e saj si prioritete të rëndësishme, duke vënë theksin në fuqizimin e mekanizmit qeveritar. Për këtë, në Ministrinë e Punës dhe Çështjeve Sociale e Shanseve të Barabarta u krijua Drejtoria e Politikave të Shanseve të Barabarta.

Një shoqëri e cila investon në arritjen e barazisë gjinore jo vetëm që çon në përmirësimin e jetës së vajzave dhe grave por edhe në transformimin pozitiv të mënyrës së jetuarit të djemve dhe burrave.  Prandaj, në afat të shkurtër, duke  e promovuar barazinë për disa grupe të nën-përfaqësuara, të tilla si gratë;   në arrijmë ta bëjmë komunitetin  dhe shoqërinë  më  të fortë  dhe më të pasur,  duke bërë që në afat  të gjatë të përfitojnë të gjithë anëtarët/et.

Përpjekjet e Qeverisë së Shqipërisë në drejtim të arritjes së barazisë gjinore dhe reduktimit të dhunës me bazë gjinore e dhunës në familje, e kanë përmirësuar situatën në vend dhe qëndrimet/ perceptimet në lidhje me këto çështje. Kuadri ligjor për nxitjen e zhvillimit të mëtejshëm të barazisë gjinore dhe garantimin e gëzimit të të drejtave të njeriut të të gjithë shtetasve shqiptarë, pavarësisht nga gjinia, gjithashtu është përmirësuar ndjeshëm8 , sidomos gjatë zbatimit të SKBGJ-DHBGJ&DHF 2011- 2015 dhe Planit të saj të Veprimit.

Në qeverinë e krijuar pas zgjedhjeve të përgjithshme të vitit 2013, përfaqësimi i grave është rritur në mënyrë të konsiderueshme, me 8 Ministre (ose 42%) dhe 10 Zëvendësministre (ose 34.4%). Përqindja e grave në Parlament është rritur nga 18% në 22.9% në vitin 2015 (32 gra nga 140 deputetë gjithsej)9, thuhet në Strategjinë kombëtare për barazinë gjinore dhe planin e veprimit 2016-2020.

Ende nuk është plotësuar objektivi i rritjes së pjesëmarrjes së grave në parlament në 30%. Roli i deputeteve gra u fuqizua me krijimin e Aleancës së Grave Deputete (AGD) në 2013, një grup që inkurajon integrimin gjinor të ligjeve dhe promovimin e barazisë gjinore. Shkalla e pjesëmarrjes së fuqisë punëtore për popullsinë meshkuj dhe femra të moshës 15-64 vjeç është përkatësisht 72,2% dhe 51,3% (Meshkuj dhe Femra 2015, INSTAT).

Mes popullatës me meshkuj dhe femra ekziston një hendek prej 20,9 pikë për qind në normën e pjesëmarrjes në forcat e punës. Sipas INSTAT (2015 a), kjo do të thotë se meshkujt janë më aktivë në tregun e punës në krahasim me femrat. Objektivi i rritjes së pjesëmarrjes së forcave të punës të grave deri në 65% nuk është arritur ashtu siç pritej. Struktura e punësimit sipas statusit të punësimit tregon se 42,6% e të punësuarve janë punonjës, 31,8% janë punonjës kontribues në familje dhe 25,6% janë të vetëpunësuar (Meshkuj dhe Femra 2015, INSTAT). Midis të vetëpunësuarve dhe punonjësve, meshkujt dominojnë me përkatësisht 57,2% dhe 70,5%.

Ndërkohë, femrat kanë 1,3 herë më shumë gjasa se meshkujt që të jenë punonjëse kontribuese në familje, një situatë që i vendos ato në varësi ekonomike dhe pengon fuqizimin e tyre ekonomik. Harmonizimi i legjislacionit kombëtar me standardet dhe kërkesat ndërkombëtare është një nga angazhimet e ndërmarra nga Qeveria e Shqipërisë përmes ratifikimit të disa konventave ndërkombëtare për të drejtat e njeriut dhe veçanërisht i konventave që adresojnë në mënyrë specifike të drejtat e grave dhe vajzave.

Ky proces gjithashtu bazohet edhe në nënshkrimin e Marrëveshjes së Stabilizim-Asociimit (MSA) në vitin 2006. Barazia është një prej objektivave dhe detyrave, si dhe pjesë përbërëse e Traktatit të KE-së dhe Kartës së të Drejtave Themelore të BE-së. Detyrimet e Shqipërisë për integrimin e çështjeve gjinore rrjedhin edhe nga pesë fushat prioritare të shprehura në “Strategjinë për barazinë mes grave dhe burrave 2010 – 2015” të Komisionit Evropian10. Veprimet e ndërmarra në këtë drejtim ndikojnë në trajtimin më të mirë të nevojave gjinore të grave/ vajzave dhe burrave/djemve në shoqëri. Në këtë kuadër një tërësi ligjesh, politikash, strategjish e programesh sektoriale janë rishikuar dhe përmirësuar nga perspektiva gjinore, siç paraqiten në mënyrë të detajuar edhe në “Raportin Kombëtar për Zbatimin e Platformës për Veprim Pekin + 20”11.

Megjithatë, duhet të ndërmerren hapa të mëtejshëm, për zbatimin e suksesshëm të legjislacionit e politikave të përmirësuara. Rreziku i hartimit të politikave ose strategjive të reja të pandjeshme nga këndvështrimi gjinor duhet të shmanget, ndaj dhe përdorimi i analizës gjinore si instrument vlerësimi, përpara ndërhyrjeve të tilla për të gjitha grupet në nevojë, është domosdoshmëri. Po kështu proceset/mekanizmat e rregullta monitoruese, për të evidentuar se si janë përmbushur nevojat e grave/ vajzave dhe burrave/djemve ende mungojnë. Kjo u realizua me mbështetjen e UNFPA. #UNFPA Albania

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.