Azilet, zgjidhje më e shtrenjtë se një kujdestar
13/02/2019
0 komente
Shpërndaje

Azilet, zgjidhje më e shtrenjtë se një kujdestar

Me kërrusjen që më shumë se mosha, ja ka dhënë jeta 76 vjeçari SH.LL. është bërë tashmë bujtës i vjetër i shtëpisë së të moshuarve në Fier. Ai ka mbi 10 vjet që jeton në këtë ambjent së bashku me të tjerë të moshuar. Historia e këtij të moshuari zuri fill pas humbjes së bashkëshortes. Dy fëmijët e tij ishin martuar dhe ai mbeti i vetëm në shtëpinë që kishte në qytetin e Fierit. Mund të jetonte i qetë aty, pa pasur nevojën të strehohej në një shtëpi të moshuarish rrethuar nga të panjohur. Por 76 vjeçarit i duhej ndihmë duke nisur nga nevojat e përditshme për gatim, larje e pastrim. Ndaj në kushtet kur nuk kishte një person që të përkujdesej për të, vendosi të bënte një marrëveshje me djalin. I moshuari shiti shtëpinë, duke i dhënë këtë pjesë të pasurisë të birit në këmbim të jetesës në familjen e tij. Por pas shitjes së shtëpisë, i biri u largua jashtë vendit, duke mos e marrë të atin me vete.

Një dekadë më parë SH.LL ju drejtua derës së azilit në Fier për të kaluar aty vitet e tjera të jetës. Me djalin dhe vajzen e tij nuk ka më asnjë komunikim, madje as nuk e di se ku jetojnë aktualisht. Jeta e këtij 76 vjeçari do të ishte ndryshe, nëse ai nuk do të shiste banesën me shpresën e jetës me të birin. Por për të bërë këtë ai duhet të sigurohej më parë se përveç pensionit, shteti do ti oftonte edhe një person që të përkudesej për nevojat e moshës. Kur e pyet sot të moshuarin SH. LL. ai nuk ka asnjë dyshim se nëse do të kishte një grua që do ti shërbente, e punësuar nga shteti, ai do të vazhdonte të jetonte në shtëpinë e tij dhe jo në një azil. Pavarësisht përpjekjeve për të modernizuar këto shtëpi, sërish kushtet lënë shumë për të dëshiruar. Dhomat janë shumë të vogla, të mbushura me lagështirë dhe tualeti është i përbashkët nga një në kat. Madje ata që jetojnë çdo ditë në këto shtëpi mund të të rendisin edhe shumë të tjera.

Në fund të fundit, asgjë nuk mund të jetë si shtëpia. Por të moshuarit shkojnë në këto shtëpi sepse kanë nevojë për shërbimet, përfshirë dhe atë shëndetësor. Për shkak të moshës së thyer ata kanë më shumë nevojë për këtë shërbim, pasi janë të sëmurë kronikë në një zinxhir diagnozash. Jetesa këtu i detyron që 40% të pensionit ta derdhin në buxhetin e shtetit, ndërsa me pjesën tjetër mund të blejnë fruta apo pije që azili nuk i ofron. Shumica i përdor qoftë edhe për të pirë një kafe me miqtë, jashtë ambjenteve ku kalojnë vitet e fundit të jetës. Si ky 76 vjeçar në shtëpinë e të moshuarve në Fier, ka edhe 53 persona të tjerë. Historit e tyre janë sa të ndryshme aq edhe të ngjashme. I bashkon fakti se janë të vetëm, disa të braktisur nga fëmijët, disa njeri pa njeri sepse nuk janë martuar. Kujt i ka rënë ndonjëherë rasti të vizitojë një shtëpi të moshuarish, edhe duke hequr mënjanë pjesën e kushteve që ka aty, më së shumti brenda vetes ka ndjerë dhembshuri për mënyrën sesi po kalojnë këta njerëz vitet e fundit të jetës.

Shtëpia e të moshuarve

Shtëpia e të moshuarve në Fier ka kapacitet për 60 persona ndonëse atje jetojnë aktualisht vetëm 54. Megjithatë kjo nuk do të thotë se nuk ka kërkesa. Fluksi I kërkesave është I lartë pasi ka shumë të moshuar të cilët detyrohen të kërkojnë kujdes nga stafi I kësaj shtëpië edhe pse janë vetë me shtëpi dhe me pensione nga shteti, pra plotësojnë kushtet minimale për të siguruar vetë jetesën. Por duke iu shtuar pashmangshmërisht sëmundjet me kalimin e moshës ata vuajnë për shërbim shëndetësor. Me fjalë të tjera në rast se do tiu mundësohej një pagesë për një kujdestar për ta, ose tiu ofrohej ky shërbim përmes punonjësve të  vënë në dispozicion nga shteti ata nuk do të kishin nevojë të jetonin në shtëpitë e përbashkëta.

Në këto shtëpi të moshuarit kanë 24 orë shërbim rezidencial, pra punonjësit paguhen me 3 turne (siç janë 20 punonjësit e shtëpisë në Fier), ndërkohë që iu ofrojnë  aktivitete social-kulturore dhe shërbimin e lavanterise. Por nëse një I moshuar do të kishte një kujdestar disa orë në ditë mund të kalonte vetëm orët e argetimit  ose të siguronte vetëm vaktin e drekës në këto shtëpi. Aktualisht shërbimi ofrohet ose 24 ore ose nuk ofrohet aspak për këta të moshuar.  Dikush që ka nevojë për përkujdesje të pjesshme është i detyruar ta kërkojë atë të plotë pasi në të kundërt mbetet pa asnjë ndihmë.  Një zgjidhje e propozuar edhe më parë mund të ishte hapja e qendrave ditore  ose ofrimi I shërbimeve pranë shtëpive.

Aktualisht pensionistët e sistemuar në shtëpitë e të moshuarve 40 % të pensionit e derdhin në buxhetin e shtetit. Në tërë sistemin e shërbimeve rezidenciale trajtohen gjithsej 480 të moshuar, nga të cilët 300 janë në qendrat publike dhe 180 në qendrat jo publike. Aktualisht i tërë sistemi i përkujdesit social për të moshuarit përbëhet nga institucione rezidenciale publike dhe jo publike. Shtëpitë e të moshuarve publike janë në Tiranë, Shkodër, Kavajë, Fier, Gjirokastër, Poliçan. Gjithashtu është Qendra Ditore Polivalente në Kamëz dhe disa qendra të trajtimit rezidencial të të moshuarve që janë jo publike.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.

Komentet

Asnjë Koment Ju mund të jeni i pari që të komentoni!

Shkruani një Koment

Të dhënat tuaja janë të sigurta! Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet dhe të dhënat tuaja nuk do të shpërndahen me persona të tretë. *