Autikët, trajtimi vetëm “një furgon” larg
12/02/2019
0 komente
Shpërndaje

Autikët, trajtimi vetëm “një furgon” larg

Nëse ke një fëmijë me çfarëdo lloj paaftësie, si në fizik ashtu edhe mendore, në Gjirokastër ke pak mundësi për ta cuar në një qendër që do ta ndihmojë të integrohet në shoqëri. Ky qark ka shumë pak organizata që ofrojnë shërbime të tilla. Në Gjirokastër ka vetëm një shtëpi rezidente për fëmijët, por edhe ajo është jopublike, një qendër ditore që ofron shërbime për njerëzit në nevojë që më së shumti përmblidhet në dhënien falas të vaktit të drekës dhe një qendër shtetërore të autizmit. Por qarku është i madh dhe prindërit detyrohen të vijnë nga Tepelena apo Permeti vetëm për të sjellë fëmijët në këto qendra që kanë shërbime të reduktuara.

Së pari ato janë private dhe kjo u kushton prindërve shpenzime ekstra mujore, në mënyrë që fëmijët të përshtaten me paaftësinë që kanë e më pas ti hyjnë rrugës së vështirë së integrimit. Por problem më i madh për këto familje është transporti i fëmijëve deri në Gjirokastër. Dy prej tyre me fëmijë katër dhe pesë vjec që vuajnë nga çrregullime të spektrit autik, janë të detyruar të udhëtojnë nga Zagoria për të shkuar në qendrën e autizmit. Nisen që në orën pesë të mëngjesit dhe rruga vajtje-ardhje shkon pothuajse 5 orë pa llogaritur këtu kohën e qëndrimit të fëmijës në qendër. Prindërit edhe për shkak të rrugës së keqe dhe moshës së mitur të fëmijëve detyrohen të marrin taksi, duke shpenzuar 5 mijë lekë të rinj në ditë. Kjo i ka detyruar këto familje që ta reduktojnë numrin e ditëve kur sjellin fëmijët në qendër.

Nga çdo ditë që duhet të bëhet frekuentimi, ai është reduktuar në një apo maksimumi dy ditë në javë. Gjithashtu edhe koha e qëndrimit në qendër është më pak se një orë për shkak se fëmijët vijnë të lodhur e të shpërqendruar nga rruga por edhe për faktin se këto mësime për këtë kategori nuk mund të jenë të shumta sepse përthithja nga të vegjlit bëhet me vështirësi. Dhe familjes i duhet të shpenzojë ato 10 mijë lekë të rinj që jep shteti si ndihmë për këta fëmijë vetëm në një javë për dy nga rrugët që bën deri në qendrën e autizmit. Por edhe familjet e personave me aftësi të kufizuar nuk hasin më pak vështirësi. Ka vetëm një qendër për ta në qytetin e Tepelenës, “Dora e ngrohtë” edhe kjo jopublike. Sërish prindërve ju bie barra e sigurimit të transportit, pasi qendra nuk ka fonde të mjaftueshme nga donatorët për të mbuluar shpenzimet për një automjet që të merrte fëmijët në shtëpi. Ndaj edhe në këtë rast kjo detyre u mbetet prindërve.

Njëri prej tyre duhet të largohet nga puna dhe të shoqërojë fëmijën në trajtimet që merr në qendër. Por ka disa familje të cilat nuk i përmbushin kushtet për të marrë pagesën e kujdestarisë për fëmijën, ndaj shpenzimet sërish dalin nga buxheti familjar, që më së shumti në këto raste është vetëm paga e njërit nga prindërit.

Zgjidhja?

Një zgjidhje e mundshme për këta fëmijë do të ishte përfshirja në skemën që i mundëson pagesat për ata fëmijë që detyrohen të arsimohen mbi 2 kilometër larg qendrës së tyre të banimit.

Me një vendim të Korrikut të vitit 2015 Këshilli i Ministrave vendosi që veç punonjësve arsimorë, transport falas përfitojnë dhe nxënësit që zhvillojnë mësimin mbi 2 km nga banesat e tyre. Por në vendimin e ri të qeverisë është vendosur një kusht për përfitimin e transportit falas për nxënësit, se në asnjë rast nuk përfitojnë shpenzime transporti nxënësit/fëmijët që udhëtojnë mbi 2 km, nëse në vendbanimin e tyre funksionojnë institucionet arsimore publike shkollë/kopsht. Sipas këtij vendimi, në përputhje me distancat që përshkojnë nx ën ësit, përfitojnë edhe shtesë në pagën mujore; për distancën 10 deri 20 km të shkollës nga shtëpia,

Për vitin shkollor 2015-2016, punonjësve arsimorë që punojnë mbi 5 km nga vendbanimi i tyre dhe nxënësit që mësojnë jashtë vendbanimit të tyre do t’u mbulohen nga fondet publike shpenzimet e transportit. Në vendimin e qeverisë përcaktohet se: “ Po ashtu, përfitues janë edhe nxënësit që mësojnë në shkolla mbi 2 km nga vendbanimi i tyre, por me kusht që në vendbanimin e tyre të mos funksionojë asnjë institucion arsimor publik, shkollë apo kopsht. “Përballimin nga fondet publike të shpenzimeve për transportin e: nxënësve që ndjekin institucionet arsimore publike të arsimit bazë ose kopshtet publike, që udhëtojnë, nga vendbanimi përhershëm në një vendbanim tjetër, mbi 2 km larg institucioneve arsimore publike më të afërta (shkollë/kopsht); në asnjë rast nuk përfitojnë shpenzime transporti nxënësit/fëmijët që udhëtojnë mbi 2 km, nëse në vendbanimin e tyre funksionojnë institucionet arsimore publike (shkollë/kopsht).

Nxënësve që jetojnë në qendra rezidenciale të krijuara me vendim të Këshillit të Ministrave për grupe të nxënësve/fëmijëve/familjeve që vijnë nga shtresa sociale në nevojë dhe që udhëtojnë mbi 2 km larg për të ndjekur mësimin në institucionet arsimore publike më të afërta (shkollat e arsimit bazë ose kopshtet publike); nxënësve të arsimit parauniversitar me aftësi të kufizuara që gëzojnë statusin ligjor të invalidit, që nuk shikojnë, që nuk dëgjojnë, invalidit paraplegjik dhe invalidit tetraplegjik”, përcaktohet në vendimin e e  qeverisë. Në vendim parashikohet se në rastet kur njësitë arsimore vendore nuk realizojnë me sukses procedurat e prokurimit publik të shërbimit të transportit të punonjësve arsimorë dhe nxënësve, këto njësi realizojnë mbulimin e shpenzimeve për shërbimin e transportit të nxënësve përfitues drejtpërdrejt, nëpërmjet llogarive bankare, në bankat e nivelit të dytë ose pranë zyrave të Postës Shqiptare.

Efektet financiare, që rrjedhin nga zbatimi i këtij vendimi, të përballohen nga buxheti vjetor i Ministrisë së Arsimit dhe Sportit.

E njëjta rrugë përmes një mbulimi të shpenzimeve mund të krijohej si lehtësi edhe për fëmijët me aftësitë kufizuara fizike apo mendore, që kanë nevojë për trajtime të posaçme që do ti ndihmonin për tu integruar në të ardhmen.

 

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.

Komentet

Asnjë Koment Ju mund të jeni i pari që të komentoni!

Shkruani një Koment

Të dhënat tuaja janë të sigurta! Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet dhe të dhënat tuaja nuk do të shpërndahen me persona të tretë. *