Alb+/ Situata e fëmijëve në rrugë; Të miturit në media
03/09/2019
0 komente
Shpërndaje

Alb+/ Situata e fëmijëve në rrugë; Të miturit në media

Pasqyrimi në media i rasteve kur të miturit janë viktima të abuzimit seksual, keqtrajtimit, punësimit dhe shfrytëzimit në rrugë.

Juristët: Publikimi i të dhënave, shkelje e të drejtave të njeriut

Juristët: Detajet dhe ‘gjyqi’ publik ndikon në prezumimin e pafajësisë

Psikologët: Publikimi i të dhënave shpesh përkeqësojnë situatën, nuk japin zgjidhje

Psikologët: Detajet e panevojshme sjellin riviktimizimin e të miturve

 Tentativa për abuzim seksual me dhunë të një të miture 8-vjeç nga dy djem 13 dhe 16 vjeç në Durrës(Korrik 2019) zuri faqet kryesore të shtypit, mediave online dhe lajmet e para në mediat vizive. Kjo, jo vetëm si një rast i rëndë por sporadik po si një ngjarje e përsëritur pas atij të Kavajës(Janar –Shkurt 2019) ku një tjetër e mitur u abuzua seksualisht nga 7(ose më shumë) djem.

Po si trajtohen në media raste të tilla që janë të ndjeshme për viktimën, familjen? Ruhet etika, identiteti i personave të përfshirë në ngjarje apo e vërteta e publikimit të lajmit(klikime) prevalon mbi çdo ndjeshmëri njerëzore?

Ky monitorim u realizua për një periudhë 7 mujore, duke përfshirë pesë mediat me audiencë më dominuese në vend për të analizuar mënyrën se si trajtohen rastet e të miturve të keqtrajtuar, të abuzuar dhe të atyre që jetojnë dhe punojnë në rrugë. Mediat e monitoruara janë televizionet kombëtare “Top Channel”, “TV Klan”, Agjencia e lajmeve “Balkanweb”, televizioni informativ “Ora News” si dhe një nga gazetat më të mëdha në treg “Panorama”. Kjo përzgjedhje u bë me qëllim që të pasqyronim në mënyrë më të detajuar përmes formateve të ndryshme mediash rëndësinë që i kushtohet rasteve kur të miturit janë subjekt i dhunës apo shfytëzimit.

Analiza nis me ngjarjen e ndodhur në një zonë pranë Durrësit (19 Korrik 2019) ku një 8-vjeçare dyshohet se është abuzuar nga dy ose më shumë djem në shkollën e fshatit pasi ky institucion arsimor ishte boshatisur për shkak të përfundimit të vitit shkollor.

Në artikullin dhe në video e publikuar në agjencinë e lajmeve “Balkan web” janë ruajtur të dhënat e të miturës që u tentua të abuzohej seksualisht. Po ashtu është ruajtur dhe identiteti i agresorëve të dyshuar. Ndërkohë që në këtë ngjarje ka disa informacione të detajuara që mund të shmangeshin si: “Nuk dihen në çfarë rrethanash prindërit e gjetën vajzën në tarracën e shkollës ku e kishin çuar djemtë”(link). Detaje këto që nuk i shërbejnë opinionit publikut.

Po e njëjta ngjarje e transmetuar në televizionin informativ “Ora News” ka të dhëna të tjera përsa i takon moshës së personave që tentuan të kryenin marrëdhënie seksuale me të miturën 8-vjeçare. Sipas kësaj medie, personat e ndaluar nga policia janë 15 dhe 17 vjeç. Edhe në këtë lajm janë ruajtur të dhënat e tjera si identiteti i të miturve, por, ka një fragment në lajm ku shkruhet: “Ata e kanë lidhur vajzën dhe kanë tentuar ta përdhunojnë, por fatmirësisht sipas burimeve nuk kanë arritur” (link) .

Detajet e kësaj natyre ( mbi metodat që u përdorën ) duhen shmangur edhe për të mos krijuar më pas pasojat psikologjike te viktima e dhunës seksuale dhe në anën tjetër për të mos dhënë modele të ngjashme tek adoleshentët e tjerë.

Televizioni Kombetar “Top Channel” raporton për këtë ngjarje, duke iu referuar deklaratës së policies, se informacioni ka qenë i cunguar me qëllim që ngjarja të mbetet e fshehtë. Fotoja e përdorur në artikull është foto ilustruese ndërsa në tekst janë dhënë inicialet e personave të ndaluar nga policia (link).

Në të përditshmen Panorama shkruhet për këtë ngjarje se dyshohet se e mitura është përdhunuar nga 5 persona. Ruhet identiteti i viktimës, nuk janë publikuar të dhëna dhe imazhet( link).

Një vështrim i shpejtë mbi mediat e tjera:

Mediat e tjera përtej atyre që janë përzgjedhur në monitorim hapen me tituj që në gazetari cilësohen si bombastikë, por për publikun e gjerë japin një impakt negativ, të panevojshëm dhe tërësisht të shmangshëm. Disa prej tyre po i citojmë më poshtë:

www.politico.al

“Tronditet Durrësi, 8 vjeçarja përdhunohet në grup” (link).

www.blitz.al

“Shokuese në Durrës, 8 vjeçarja përdhunohet në ambjentet e shkollës”  ( link)

www.boldnwes.al

Skandal në Durrës ( link).

www.albeu.com

Rrënqethëse në Durrës (link).

Titujt dhe detajet që kanë të bëjnë më mënyrën se si është tentuar të abuzohet me vajzën janë jo vetëm shkelje etike, por sjellin pasoja direkte edhe në shëndetin mendor të viktimës, familjes. Por gjithashtu, mund të krijojnë dhe modele për raste të ngjashme. Në anën tjetër duke dhënë detaje të vendit të ngjarjes siç është shkolla dhe duke marrë në konsideratë edhe ngjarje të mëparshme krijojnë një ide në shoqëri që institucionet arsimore në vend janë të pasigurta. Kjo jo vetëm që është një shqetësim për autoritet e vendit, por ngjarje të tilla mund të shndërrohen edhe si arsye që prindërit të mos lejojnë vazhdimin e shkollimit për fëmijët, kryesisht për vajzat adoleshente. Fenomen i ndeshur kryesisht në zonat rurale.

Për juristin Jordan Daci, angazhuar profesionalisht si avokat dhe me eksperiencë të gjatë akademike në fushën e të Drejtave të Njeriut ka disa problematika të ndeshura në pasqyrimin mediatik të çështjeve ku të miturit dhunohen. Me bërjen e rastit mediatik dhe ku gjithësecili argumententon dhe del në përfundime mund të ndikojnë në vendimet e marra në gjyqësor. Theksi në këtë rast vihet në nevojën urgjente për të ruajtur të dhënat personale. Juristi Daci mendon se “Mbrojtja e të drejtave të viktimës është qëllimi për të mos e riviktimizuar atë”. Publikimi i të dhënave në media si identiteti, pamjet filmike si dhe detaje të ngjarjeve sipas avokatit lënë pasoja të parikuperueshme psiko-sociale tek të miturit. “Ka publikim të dhënash dhe kjo është shkelje e të drejtave të njeriut për shkak se cënohen të dhënat personale”.

Ndërsa psikologia Aurela Agalliu shpreh shqetësimin për mediatizimin e një ngjarjeje të tillë: “Ngjarje tronditese e ditëve të fundit ajo e vajzës 8- vjeçare e cila ishte preh e dhunës dhe abuzimit seksual nga adoleshentët e shkollës që frekuentonte, lënë gjurmë të thella dhe trondisin opinionin shqiptar. Publikimi i ngjarjeve të tilla shkakton probleme të shumta të cilat e rëndojnë situatën dhe nuk ofrojnë zgjidhje. Duke pranuar se pjesërisht pushteti i medias, ndihmon në marrjen e masave ndaj dhunueseve, duhet marrë në konsideratë se në një kontekst si Shqiperia, të dhunuarit apo abuzuarit hasen me format e ndryshme të etiketimit moral. Një peshë e rëndë mbi individin dhe mënyrën e përceptimit për të kapërcyer veshtirësitë dhe pasojat traumatike qe e shoqërojnë pas ngjarjes. Se dyti, permendim faktorin e riviktimizimit. Gjasat janë edhe më të lartë kur identiteti bëhet publik dhe i njohur për audiencën, sidomos në rastet kur të abuzuarit janë të mitur, kjo mund te sjell rënien serish viktimë e një ngjarje të njëjtë”.

Media dhe përfshirja e të miturve

 Në shtatë muajt e parë të këtij viti, në media kanë munguar analizat dhe trajtimet e thelluara për problematikat që ndeshin fëmijët që jetojnë, punojnë, shfytëzohen në situatë rruge. Zhvillimet politike, kriza institucionale, dalja e opozitës nga parlamenti dhe përplasjet publike të Presidentit të Republikës  me mazhorancën dominuan hapësirën mediatike duke mos lënë mundësi për trajtim të rasteve të fëmijëve që jetojnë e punojnë në rrugë si dhe të atyre që janë viktima të shfytëzimit fizik apo seksual.

Dy janë momentet për t`u evidentuar në këtë analizë të paraqitjes së kronikave, dokumentarëve mediatike apo artikujve në media me subjekt të miturit. Fëmijët e gjejnë veten në faqet e para të gazetave, në titujt kryesor të mediave online ose në headlines e lajmeve kur janë viktima të dhunës dhe abuzimeve seksuale ose kur jetojnë vetëm ose me familjen në kushte të varfërisë ekstreme.

Për rastin e parë, ngjarja që tronditi opinionin publik duke konstatuar më vonë edhe shkelje të etikës profesionale përmes detajeve dhe imazheve të transmetuara gjerësisht ishte rasti i Kavajës, ku një e mitur (13 vjeç) u dhunua seksualisht nga 8 djem bashkëmoshatarë të saj.

Në lajmet e para mediat iu referuan statusit me rrjetin social Fcb të një politikani (ish-Kryeminstri Berisha) duke publikuar denoncimin pa u thelluar dhe pa konfirmuar më tej ngjarjen edhe përse flitej për një rast të ndjeshëm; për një vajzë të mitur në një qytet të vogël të Shqipërisë. Më pas ngjarja dhe pasqyrimi mediatike u thellua me tej përmes dëshmive, intervistave me familjen dhe ndërimi i skemës së mënyrës se kishte ndodhur abuzimi(link) transmetuar në një ndër emisionet më të rëndësishëm në vend në një televizion kombëtar. Përmes detajeve, skemave të ndërtuar dhe transmetimi me imazh i intervistave të prindërve të viktimës së abuzimit seksual u cënua privatësia, u shkel etika si ekspozon ndaj paragjykimeve personin dhe familjen e përfshirë në ngjarje(link).

Gjithashtu, duke dhënë detaje dhe duke vazhduar më tej në ndjekjen e ngjarjes, rasti është trajtuar jo si ngjarje sporadike(tronditëse për familjen dhe opinion publik) por si një alarm që kjo ngjarje ndodh edhe në shkolla të tjera të vendit( link).

Juristi Jordan Daci argumenton se: “Edhe në këtë rast janë shekulur të drejtat e njeriut përmes publikimit të të dhënave dhe pamjeve. Por në anën tjetër, edhe në raport me agresorët ka probleme me prezumimin e pafajësisë duke u bërë gjyq publik personave të dyshuar dhe duke ndikuar më pas në vendimet e gjykatave. Ka dhe një tjetër pasojë në këtë drejtim, agresorët në këtë rast janë më të prirur që nesër në kuadër të këtyre gjykimeve dhe presioneve sociale mund të kryejnë sërish vrepa penale. Ndaj është i nevojshëm edhe mirë edukimi i tyre në institucionet e edukimit”.

 Së dyti, kur fëmijët e gjejnë veten në pamjet kryesore në mediat e shkruara, vizive janë ato kur fëmijët dhe prindërit e tyre kërkojnë ndihmën për të dalë nga gjendja e varfërsisë. Kryesisht kronikat dhe emisionet telvizive ku kanë subjekt fëmijët që jetojnë në varfëri janë ndërtuar me qëllim ndërgjegjësimi të opinionit publik për të kontribuar me të ardhurat për të ndihmuar në strehimin e tyre( link). Por edhe në këtë rast ka problemet etike dhe rrisqe serioze që mund të jenë kërcënim për vetë jetën e të miturve. Konkretisht, nëse fëmijët jetojnë të vetëm dhe në varfëri ektreme duke treguar detajet e vendbanimit të tyre, shfaqja me fytyrë e të miturve nxit riskun që të jenë më lehtë pre e abuzimeve nga persona të ndryshëm të cilët mësojnë përmes medias që këto familje jetojnë mes varfërisë dhe në zona të izoluara. Këto janë më pas edhe kategoritë më të synuara për trafikim qeniesh njerëzore duke u nisur nga kushtet e vështira të jetës që bëjnë.

Edhe përse nisur nga mendimi pozitiv për të qenë më pranë familjeve që kanë nevojë si dhe për t’i garantuar arsimin  apo strehim, emisione me karakter social, duhet të tregojnë një vëmendje më të madhe për fshehje të identitetit të fëmijëve si edhe imazheve të tyre( link). Gjithashtu, rekomandohet edhe tjetërsimi i zërit përmes montazhit me qëllim mos identifikimi i tyre nga persona të cilët mund të ushtrojnë agresion ose të kenë ndikim negativ në familjet me të ardhura të pakta, me probleme shëndetësore apo në varfëri ekstreme (link) .

Në këtë pikë juristi Daci mendon se pasqyrime të tilla ndikojnë ndjeshëm në aspektin psiko-sociale të të mitueve. “Ata rrezikojnë të abuzohen, të ndihen të përulur përballë paragjykimeve sociale”.

Përfundime dhe rekomandime:

  • Media ka ende përpjekje për të bërë në fushën e mbrojtjes së të drejtave të njeriut, kryesisht për fëmijët.
  • Duhet të ruhen të dhënat e tyre pavarësisht detyrës për të raportuar të vërtetën që në fakt është misioni i medias.
  • Mungojnë analizat, trajtesat e zgjeruara për të shpejeguar shkaqet dhe për të adresuar më shumë problemet deri në dhënien e zgjidhjes.
  • Ka prirje për të mediatizuar gjithçka dhe për të komentuar mbi ngjarjen duke fajësuar prindërit, mësuesit apo edhe vetë viktimën.
  • Detajet e ngjarjeve duhet të ruhen edhe nga institucionet që japin informacion si policia apo dhe vetë gjykatat që merren me gjykimin e çështjes.

Por pavarësisht situatës që kërkon vëmendje të autoriteteve qëndrore, vendore, policisë dhe organizateve në mbrojtje të drejtave të tyre, media ka shënuar dhe hapa progresiv. Gazetarët e çështjeve sociale, kryesisht ata që kanë dhe eksperiencë më të madhe si reporter janë më të prirur të zbatojnë etikën duke mbuluar imazhin e fëmijëve, duke dhënë vetëm iniciatet në rast se i mituri është përfshirë në një situatë në konflik me ligjin apo është viktimë e shfrytëzimit për punë apo abuzimit seksual.

Ajo që i mungon sot medias shqiptare është një përpjekje për vet korrigjim, duke pasur parasysh faktin se kur flasim për ngjarje delikate me dhunë, abuzime apo shfrytëzime të çfarëdo lloji, nuk flasim thjesht dhe vetëm për statistika, por pë jetë njerëzore që më shumë se vet ngjarja mund ti damkosë për gjithë jetën, bërja e saj mediatike. 

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.

Komentet

Asnjë Koment Ju mund të jeni i pari që të komentoni!

Shkruani një Koment

Të dhënat tuaja janë të sigurta! Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet dhe të dhënat tuaja nuk do të shpërndahen me persona të tretë. *