8 Marsi i zisë, kjo është Arjola vajza që proteston për gjakun e grave
08/03/2019 Shpërndaje

8 Marsi i zisë, kjo është Arjola vajza që proteston për gjakun e grave

Viti 2019 ka qenë i përgjakshëm për gratë. Afërsisht çdo 7 ditë është vrarë një grua sipas statistikave. Prandaj, nisur nga kjo situatë në të cilën ndodhet vendi ynë, një grup vajzash kanë vendosur që më 8 Mars që njihet si dita e vajzave dhe grave, të zhvillojnë një protestë në Tiranë, të quajtur “Protesta e Zisë”.

Në një intervistë të dhënë për pozitivi.org një nga organizatoret, aktivistja dhe gazetarja Arjola Hajdini tregon se kanë zgjedhur 8 Marsin sepse është një ditë shumë simbolike, që “në fakt në vendin tonë njihet si festa e nënës por në të vërtetë është dita e të drejtave të grave dhe vajzave. Tetë Marsi në histori është shënjuar me gjakun e grave feministe që kanë punuar që gratë sot të kenë të drejta të cilat ne i marrim për të mirëqena, për shembull e drejta e votës, e drejta e punës, e drejta e abortit, e drejta e divorcit etj”.

Protesta nuk simbolizon vetëm zinë por synohet dënimi i heshtjes dhe ngritja e zërit për të gjitha viktimat si pasojë e dhunës, prandaj është quajtur protesta e zisë dhe e zërit. “Detaji më interesant, më i gjetur deri më tani, po flas në kuadër të një personi që është marrë me organizimin, do të jetë veshja e cila do të jetë e zezë, për të dhënë atë simbolin e zisë, që ne po mbajmë zi realisht për gratë e vrara por jemi këtu, të forta për të penguar dhe për të vënë një lloj mburoje që gratë e tjera të paktën të mos ta provojnë këtë lloj dhune ose të kemi një mundësi për t’i mbrojtur, ta ngremë zërin dhe për ato”, thotë ndër të tjera Arjola.

Arjola përgjatë intervistës flet për protestën, mesazhet e forta që do të përmbajë, detajet identifikuese dhe mjaft simbolike që do ta përfaqësojnë, por mbi të gjitha shpreh perceptimin e saj si vajzë për këtë ditë dhe për rolin e grave në shoqërinë tonë. Edhe pse jeton në kryeqytet ajo tregon shumë episode në të cilat ndihet e rrezikuar në jetën e përditshme vetëm prej faktit se është vajzë. Flet dhe për një realitet krejt ndryshe edhe më të frikshëm, e kam fjalën për atë të vajzës rurale. Sepse ashtu siç ajo thotë “nuk mund ta shohësh Shqipërinë duke parë vetëm Tiranën”.

Duhet të shkojmë përtej saj. Protesta të tilla kanë shkuar përtej, u kanë dhënë shpresë vajzave dhe nënave që jetojnë në zona rurale. Këto ajo përmend protestën e fundit “Nuk luhet përdhunimesh” të organizuar më 10 Shkurt në lidhje me rastin e vajzës nga Kavaja që u abuzua seksualisht nga bashkëmoshatarët, dhe në këtë protestë Arjola ka qenë një nga iniciatoret. Aktivistja tregon se kësaj proteste “iu bashkua një vajzë, grua, nënë ishte zonja nga Lezha sepse ishte shumë e re në dukje dhe ka ardhur posaçërisht për protestën”.

Në këtë ditë duhet të rikthejmë vëmendjen e munguar mbi të drejtat e grave, e jo te flasim vetëm për të drejtën e jetës. Arjola e ndjen të nevojshme të protestojë për të drejtat e grave dhe këtë e ka demonstruar vazhdimisht edhe në protestat e mëparshme që ka organizuar apo ku ka marrë pjesë.

Intervista ekskluzive për pozitivi.org me Arjola Hajdini:

Pozitivi: Çfarë është protesta e zisë?

Arjola Hajdini: Protesta e Zisë ose ndryshe protesta e zërit është një protestë që organizohet për 8 Mars, në kuadër edhe të situatës në të cilën ndodhet Shqipëria kohët e fundit, duke qenë se janë vrarë tetë gra në vetëm 2-3 muaj. Pjesa tjetër është që protesta e zisë është një protestë ku synohet që gratë të ngrenë zërin jo vetëm për të drejtën e jetës që është një e drejtë kryesore që po mohohet por edhe për të drejta të tjera që ne i kemi por nuk është se zbatohen shumë në vendin tonë.

Pozitivi: Kush janë organizatorët e kësaj proteste? Si u bëtë bashkë për këtë kauzë?

Arjola Hajdini: Në protestë ka organizata, ka qytetarë, ka studentë, një mori njerëzish që ndiejnë kauzën  dhe që janë bashkuar për të dhënë mesazhin të mos heshtim më, të flasim dhe të mbajmë zi për viktimat që kemi pasur këtë vit dhe vitet e tjera.

Pozitivi: Pse keni vendosur ta zhvilloni pikërisht në këtë ditë, më 8 mars?

Arjola Hajdini: Sepse 8 Marsi është një datë shumë simbolike. Ne në Shqipëri e festojmë si ditën e nënës, që nga Komunizmi ka mbetur, por në fakt është dita e të drejtave të grave, është dita e gruas. Tetë Marsi në histori është shënjuar me gjakun e grave feministe që kanë punuar që gratë sot të kenë të drejta të cilat ne i marrim për të mirëqena, për shembull e drejta e votës, e drejta e punës, e drejta e abortit e drejta e divorcit dhe gjëra të tjera si këto, të cilat në një kohë tjetër, të paktën para 100 vitesh gratë kanë marrë të drejtën e votës. Këto gjëra janë arritur falë feminizmit dhe janë arritur falë këtyre grave që dikur kanë luftuar dhe janë vrarë që ne të kemi sot këto të drejta dhe zgjedhim të protestojmë sepse ku ka ditë më të bukur për të protestuar për të drejtat e grave sesa 8 Marsi.

Pozitivi: Do të jetë një marshim apo protestë e mirëfilltë, ku do të zhvillohet, në çfarë ore dhe sa do të zgjasë?

Arjola Hajdini: Protesta do t’i ketë të dyja elementet brenda. Do të jetë edhe protestë me thirrje, me fjalime, do të jetë edhe marshim sepse do të kalojë nga Drejtoria e Policisë në rrugën Myslym Shyri në orën 11 deri te Ministria e Mirëqenies Sociale. Do kalohet përmes një marshimi me thirrje dhe slogane të tjera të shkruara nga aktivistët.

Pozitivi: Ka ndonjë detaj që do t’ju identifikojë ose që do ta përdorni përgjatë protestës dhe çfarë simbolizon?

Arjola Hajdini: Detaji më interesant, më i gjetur deri më tani, po flas në kuadër të një personi që është marrë me organizimin, do të jetë veshja e cila do të jetë e zezë, për të dhënë atë simbolin e zisë, që ne po mbajmë zi realisht për gratë e vrara por jemi këtu, të forta për të penguar dhe për të vënë një lloj mburoje që gratë e tjera të paktën të mos ta provojnë këtë lloj dhune ose të kemi një mundësi për t’i mbrojtur, ta ngremë zërin dhe për ato.

Pozitivi: Cili është mesazhi kryesor që do të përcillni?

Arjola Hajdini: Kur flitet për gratë, për vajzat problematikat janë nga më të ndryshmet. Fillojnë që nga vrasjet, që nga dhuna në familje që prek kryesisht gratë dhe fëmijët. Vazhdojmë te dhuna seksuale, te ngacmimet në rrugë, te pyetjet jo të hijshme që mund t’u bëhen grave dhe vajzave kur shkojmë për të kërkuar një vend pune. Kështuqë në këtë pikë mendoj që problematikat janë të ndryshme dhe nuk mund të thuhet se është një mesazh që është më i rëndësishëm se tjetri, është një mesazh që është më i fortë se tjetri. Gjithsesi mesazhi kryesor që duhet të përcillet mendoj unë jo vetëm në 8 Mars, në ditë proteste por edhe në ditë të tjera është që gratë janë njerëz, gratë kanë të drejta dhe gratë ashtu si burrat mund të gabojnë nuk janë hyjni dhe që gratë ashtu si burrat janë të zgjuara, janë të afta dhe nuk kanë nevojë as të himnizohen as të përulen sikur janë qenie që vlejnë më pak  se burrat. Thjesht jemi njëlloj jemi njerëz dhe të jetojmë si të tillë.

Pozitivi: Sa pritet të jetë pjesëmarrja?

Arjola Hajdini: Për pjesëmarrjen nuk mund të flasësh pa mbaruar protesta. Normalisht në kauza të tilla nuk është se pret një pjesëmarrje masive.

Pozitivi: Pse duhet që 8 Marsi ose siç njihet ndryshe nga realiteti shqiptar si festa e nënave, të quhet dita e ‘zisë’ dhe jo e luleve?

Arjola Hajdini: Për ta qartësuar, festa e nënave festohet në të gjithë botën në Maj, vendoset një datë diku nga mesi i Majit. Në 8 Mars është dita e gruas, është dita e vajzave. Është dita ku ne kujtojmë vajzat dhe gratë që janë vrarë në revolucionin feminist që ne të marrim të drejtat që kemi sot. 8 Marsi nuk është festë, nuk ka pse të romantizohet, nuk ka pse gratë e shkreta që punojnë në fasoneri 8 orë të ditës dhe marrin paga qesharake në kushte qesharake pune do gënjehen me një drekë në 8 Mars, kur ato në qoftëse do të protestonin dhe nëse do të ngriheshin për të drejtat e tyre dhe nëse ne do t’i mbështesnim këto gra që të ngrihen për të drejtat e tyre, mund të festonin, mund të hanin dreka çdo ditë dhe jo vetëm në një ditë 8 Marsi. Ideja e festës më 8 Mars personalisht mendoj se është shumë e gabuar sepse ka ditë të tjera që duhet festuar dhe ne mendojmë që duke protestuar për 8 Mars mbase ua bëjmë festë jetën grave dhe në çdo ditë tjetër jo vetëm për 8 Marsin.

Pozitivi: Çfarë është 8 Marsi për ty personalisht?

Arjola Hajdini: Për mua 8 Marsi është dita ku unë duhet të kujtoj dhe të nderoj sakrificat e grave të tjera që mua më kanë dhënë të drejtat që kam sot.

Pozitivi: A kanë zënë gratë dhe vajzat vendin që u takon në shoqërinë shqiptare sipas teje?

Arjola Hajdini: Shoqëria shqiptare është një Amerikë e vogël i them unë për arsye se Tirana, metropoli mbledh brenda vetes shumë kultura shumë tradita nga zona të ndryshme të Shqipërisë. Por nuk është se mund ta shohësh Shqipërinë duke parë Tiranën, nëse sheh një zonë rurale, vajzat në zona rurale nëse e kanë gjimnazin pak më larg shtëpisë së tyre, nëse duhet të bëjnë gjysmë ore rrugë në këmbë nuk mund të shkojnë në gjimnaz sepse babai nuk do t’i çojë në gjimnaz se mund t’i ngacmojnë e gjëra të tilla. Martohen, bëjnë fëmijë, nëse burri mund të jetë pak i dhunshëm nuk mund të largohen dot sepse janë të pashkolluara, nuk kanë pavarësi ekonomike etj. Pjesa tjetër ka vajza që janë shumë të zgjuara, të shkolluara që kanë arritur diçka. Kemi doktoresha shkencash nëpër botë që janë vajza shqiptare dhe kjo duhet thënë. Ashtu si kemi dhe këtë anën tjetër të medaljes, por që mendoj se kjo ana tjetër e medaljes, ana e errët e mentalitetit tonë ka nevojë për pak strukim, për pak përpunim dhe mbase mbase mbas 100 viteve ose 200 viteve edhe mund të bëhemi, ndonjë ditë të bukur.

Pozitivi: Gjithmonë je një fanatike e madhe kur bëhet fjalë për mbrojtjen e grave dhe vajzave. Pse jo për gjininë tjetër?

Arjola Hajdini: Unë jam fanatike për të mbrojtur të drejtat e njeriut, nuk mbroj vetëm gratë dhe vajzat. Mbroj edhe djemtë sepse mendoj se seksizmi është po i njëjtë, seksizëm, sikur gjykohet një burrë dhe një djalë për një veprim që bën sepse është burrë ose djalë ashtu siç gjykohet dhe një vajzë ose një grua për një veprim që bën se është vajzë ose grua. Çështja e feminizmit është sepse ne jetojmë në Shqipëri dhe e dimë shumë mirë se Shqipëria është një mentalitet patriakal thellësisht maskilist. Normalisht duke qenë se ne jetojmë në këtë lloj mentaliteti gratë janë më të përulura, kanë nevojë më shumë për ndihmë dhe mesa kam parë mesa kam dëgjuar njerëzit e mirë i japin dorën më të dobëtit. Kur ky i dobëti të ngrihet atëherë luftojmë të gjithë bashkë për kauza njerëzore. Kauza e grave është njerëzore, duhet të jetë kauzë e të gjithëve, të paktën për Shqipërinë në gjendjen e mjerueshme në të cilën janë gratë. Kur burrat të jenë në po të njëjtën gjendje të mjerueshme që janë gratë atëherë po do të bëhem aktiviste dhe për burrat. Po në këto kushte nuk është se kam zgjidhje tjetër, jo se nuk i dua burrat, i dua shumë burrat edhe gratë, jemi të gjithë njerëz.

Pozitivi: A je ndierë e rrezikuar, e diskriminuar prej gjinisë ti si vajzë ndonjëherë në shoqërinë tonë? Si?

Arjola Hajdini: Ka shumë episode në të cilat ti rrezikohesh sepse je vajzë. Fillon që nga momenti që ty të duhet të kthehesh në shtëpi natën vonë mbas pune ose mbasi ke dalë me miqtë dhe të duhet ti mbash çelësat në një pozicion sulmi që në qoftëse dikush larg qoftë do të të sulmojë, ta sulmosh ti. Pastaj vazhdon në vendin e punës ku mund të kesh flirtime, ngacmime të cilat mund të të çojnë deri në largimin nga puna sepse mund të bëhen edhe të papërballueshme. Vazhdojmë pastaj me ngacmime në rrjete sociale me u bë kjo të flasë për këtë e shumë e shumë etiketime të tjera që ti i merr sepse gjenitali jot nuk e ka madhështinë e atij mashkullor. Kështuqë është normale besoj për çdo vajzë që ti ketë këto gjëra, jam mësuar tani, nuk duhet të ishim mësuar po ja që mësohet njeriu.

Pozitivi: Prej sa kohësh je bërë pjesë e shoqërisë civile?

Arjola Hajdini: Nuk është se e konsideroj veten pjesë të shoqërisë civile, mendoj se të gjithë ne jemi sadopak qytetarë, të gjithë kemi ato kauzat që i ndiejmë, që i ndjekim. Nuk ka një kohë në të cilën mund të them që jam bërë pjesë e shoqërisë civile, mund të them 2-3 vite përpara kur fillova realisht ta kuptoj si ishte gjendja në Shqipëri. Por që tamam tamam ka qenë vrasja e Ariela Muratit që më bëri të kuptoj shumë mbi mentalitetin, mbi mënyrën si mendojnë njerëzit dhe mbi mënyrën sesi këtu viktimat qahen ditën dhe qeshen natën.

Pozitivi: Përveç kësaj proteste ti je angazhuar edhe në organizimin e disa protestave të tjera. Cilat kanë qenë konkretisht dhe me çfarë kauze? Sa mendon se kanë sensibilizuar opinionin publik?

Arjola Hajdini: Po, kam qenë në dy protesta të tjera. Është protesta e qershorit kundër vrasjes së vajzave dhe grave në vazhdimësi të ngjarjeve të ndodhura gjatë verës ku brenda ditës u vra Xhulieta Çuni në “Don Bosko” dhe Adriana Shaholli në Durrës. Protesta kishte për synim ngritjen e zërit ndaj femicidit sepse ishte e papranueshme që brenda ditës të ekzekutoheshin 2 gra në mënyrë aq makabre. Ndërsa protesta tjetër që ka qenë një marshim i heshtur “Nuk luhet përdhunimesh” është zhvilluar në date 10 Shkurt, ka qenë në lidhje me rastin e Kavajës vajza që u abuzua seksualisht nga bashkëmoshatarët. Kjo protestë ka pasur për qëllim mosromantizimin e dhunës seksuale dhe mosnormalizimin e saj, nxitur kjo edhe nga disa deklarata që synonin dashur pa dashur, duke synuar njerëzit që të bëjnë filozofin e ku ta di unë, që ti hedhin fajin vajzës sepse ishte 13 vjeç sepse nuk lejohet të krijojë pëlqime e gjëra të tjera, që synojnë në fund të ditës të fajësojnë viktimën dhe të nxjerrin të larë fajtorin.

Për pjesën e sensibilizmit. Në protestën e fundit kemi pasur një vajzë, grua, nënë ishte zonja nga Lezha sepse ishte shumë e re në dukje dhe ka ardhur posaçërisht për protestën. Në raste të tilla ty të mjafton një individ i tillë që sensibilizohet dhe merr rrugën e vjen sepse thjesht e ndjen kauzën dhe ti aty e kupton se mbase mund të jesh lodhur për tre ditë dhe mbase s’i ke arritur të gjitha pritshmëritë e mundshme po thjesht një njeri i tillë të mbush dhe të mjafton në fund të ditës.

Pozitivi: Zakonisht në protestat ku ke marrë pjesë dhe në ato që ke organizuar në mbrojtje të të drejtave të grave, pjesëmarrësit cilës gjini i përkasin më shumë dhe a mendon se protestohet sa duhet për gratë/vajzat?

Arjola Hajdini: Ka diçka shumë interesante se pjesëmarrja të paktën në protestat që kam organizuar ose në protestat ku kam qenë pjesë, ka gati barazim në prezencën e burrave dhe grave dhe kjo është një shenjë shumë e mirë sepse tregon emancipimin edhe të gjinisë tjetër. Padyshim nuk mendoj se feminizmi ose gratë mbrohen vetëm nga gratë. Mendoj se gratë mbrohen nga njerëzit e mirë dhe sa mirë që i kemi këto çuna dhe djem kaq të mirë që na mbrojnë dhe dalin në protesta krah nesh.

Pozitivi: Çfarë mendon se ka nevojë të bëhet më shumë për gratë dhe vajzat, nga shoqëria dhe institucionet?

Arjola Hajdini: Personalisht mendoj se problemin më të madh gratë dhe vajzat në Shqipëri e kanë absolutisht nga mentaliteti. Por mentaliteti është një gjë që kërkon shumë punë të rregullohet por që normalisht mund të merren masa dhe për këtë. Për shembull një ide e imja është që Ministria e Arsimit në bashkëpunim me një institucion tjetër ose me organizatat për mbrojtjen e të drejtave të grave, që janë diku te 48, mund të bashkëpunojnë të ngrenë grupe të shkojnë në zona rurale, të flasin me prindër dhe të vendoset feminizmi si kurrikul nëpër shkolla. Ka shumë mënyra që mund ta fillojnë edukimin dalëngadalë derisa të arrijmë në nje stad të pranueshëm dhe për jetën e vajzave dhe të grave këtu, por që të bëhet kjo do pak kohë, ëshë si një lloj evolucioni le të themi. Sa i takon institucioneve mendoj se duhet të ngrihet pak raportimi. Domethënë në spitale kur shkon një grua e dhunuar mjeku duhet të bëjë detyrën e tij ligjiore dhe humane të marrë policinë në telefon dhe gruas duhet t’i bëhet një lloj terapie dhe t’i sigurohet një mbështetje absolutiosht që mos ta tërheqë denoncimin, sepse shumë nga gratë e vrara janë gra që kanë bërë denoncime dhe i kanë tërhequr denoncimet për njëmijë arsye, duke filluar që nga gjendja ekonomike, nga turpi, morali e gjëra të tjera që kanë të bëjnë shumë dhe me traditën.

Por duke qenë se ne për traditën dhe për pjesën e patriakatit nuk është se mund të punojmë në nivele afatshkurtra por duhet të punojmë në nivele afatgjata, institucionet, shteti duhet të bëjë diçka më të shpejtë. Për shembull ka strehimore shtetërore për gratë e dhunuara por kanë vetëm 40 shtretër. Në këtë moment shtetit i lind e detyra që të krijojë diçka me kapacitet më të madh sepse numri i grave të dhunuara është shumë më i lartë se aq. Pjesa tjetër urdhrat e mbrojtjes. Një grua merr urdhër mrojtje 50 metër distancë, që i bie një shtëpi, dy dhoma e kuzhinë diçka e tillë.

Nëse e mbani mend rastin e Liljana Rukos, ajo jetonte në shtëpi me ish-burrin e saj dhe kishte një urdhër mbrojtje dhe përfudoi e hedhur nga dritarja e banjos. Urdhrat e mbrojtjes duhet të jenë jo kaq qesharak sepse është shumë qesharake të jetosh në një shtëpi me dhunuesin me një urdhër mbrojtje dhe të përfundosh e hedhur nga dritarja. Duhet të ashpërsohet ligji për dhunuesit, për personat që ushtrojnë dhunë familjare, gjithashtu edhe për personat që dhunojnë seksualisht gratë ose që i vrasin gratë në fund të ditës.

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.