50 vjeçarja shqiptare adhuron kafshët, jeton vetëm me 7 qen dhe 6 mace prej 10 vitesh
14/09/2017 Shpërndaje

50 vjeçarja shqiptare adhuron kafshët, jeton vetëm me 7 qen dhe 6 mace prej 10 vitesh

Xhila është 50 vjeç dhe ka 10 vite që jeton vetëm me qen dhe mace në shtëpi. Prej më shumë se 20 vitesh ka jetuar në Tiranë, në zonën e Astirit. Fillimisht me bashkëshortin italian, ndërsa tashmë ka 10 vite jeton, fle dhe ha me miqtë më të mirë që i kanë mbetur, qentë dhe macet, shkruan pozitivi. Ajo ka 7 qen dhe 6 mace, të cilët e presin çdo ditë tek dera e oborrit, kur kthehet nga puna apo takimet me miqtë.

Jeton në një banesë të vogël një katëshe, me oborr të madh përpara, në të cilin gjatë ditës në çdo cep qëndron ulur një qen apo mace. Në lagje njihet me emrin “gruaja e qenve dhe maceve”. Këtë epitet e ka marrë sepse prej disa vitesh jeton me qentë dhe macet në shtëpi, madje edhe flen me to. Për disa duket diçka jo e këndshme, madje habiten dhe thonë “si ia del t’i lajë dhe ushqejë çdo ditë”.

Ndërsa të tjerë në lagje e vlerësojnë për kujdesin që tregon kundrejt kafshëve çdo ditë, pa u lodhur madje me dashurinë më të madhe. “Për mua është kënaqësia më e madhe të kujdesem për to. Nuk e di ç’do bëja nese s’do i kisha. Kam pasur më shumë por dy më ngordhën dhe një më iku, por do i shtoj prapë. Shumicën i kam rrit që të vegjël, disa i kam marrë nga rruga, kanë qenë të braktisur…”, tha Xhila për pozitivi.org.

Gjelina, shitësja e lagjes, tek e cila Xhila blen ushqime çdo ditë, tha “se ajo nuk kujdeset vetëm për qentë që ka në shtëpi”. “Janë ca qen që rrinë në rrugicën e  lagjes dhe ajo u hedh ushqim çdo ditë. Tani nuk i shqiten nga dera e hekurit tek oborri, janë mësuar me bukë dhe i rrinë aty derisa të vijë nga puna”, tha Gjelina.

Në pamje të parë Xhila duket një person i egër, me trup të shkurtër, në fytyrë i qëndrojnë disa rudha, ndërsa flokët i ka të bardha e të thinjura. Në të vërtetë ka një shpirt të madh, eshte tepër humane dhe e dashur me kafshët. Në përgjithësi është një tip që nuk shoqërohet shumë me njerëzit, kështu thotë Gjelina, e cila aty i njeh të gjithë, shkruan pozitivi.org. Mbase prej faktit që ka jetuar shumë vite me kafshë.

Shpesh herë kur shkon në dyqan apo edhe kur del shëtitje, në rroba ka të ngjitura flokët e maceve dhe qenve, të cilat janë lloj-lloj ngjyrash. Nuk i shmang dot sepse natën dhe ditën në çdo cep të shtëpisë, ‘famija e madhe” qëndron së bashku, shkruan pozitivi. Madje 50 vjeçares i pëlqejnë kaq shumë ngjyrat dhe s’e ka aspak problem të dalë me flokët e  kafshëve që mban në shtëpi, të ngjitura në rroba. Ka ditë që qentë lehin shumë, e ditë të tjera nuk u ndihet zëri në janë apo jo në atë shtëpi. Kjo ndodh kur u munon kryetarja e shtëpisë Xhila…

Një zonjë nga Kalifornia, Lynea Lattanzio, qe nga viti 1981 jeton ne shtepi me 700 mace dhe 15 qen, Xhila është shqiptare, nuk ka një numër kaqë të madh  kafshësh por i trajton ata me të njëjtën dashuri. Ka tepër dashamirës të kafshëve, njerëz që falin dashuri, ekzistojnë njerëzit që bëjnë të pamundurën për të mos u përballur me trishtimin e syve të kafshëve të braktisura. Humanizmi jo ç’do herë ka një çmim monetar, por Xhila s’e ka marrë fare parasysh këtë fakt. Ajo jo vetëm që shpenzon për të blerë ushqime për kafshët që ka në shtëpi, por është bërë dhe guzhiniere personale e 11 qenve dhe maceve. /Pozitivi.org/

© 2017, Pozitivi. All rights reserved.