4 fëmijë të talentuar nisin ‘punë’ në një furrë buke në Tiranë
Ndoshta është hera e parë që shikoni një staf në moshë kaq të vogël në një furrë buke. Katër fëmijë të veshur me uniformë dhe gati për punë, këtë përshtypje të përcjellin këto foto të shkrepura brenda Furrë Buke Pira, në Tiranë.
Pozitivi.org mëson se dy vëllezërit Esti dhe Eldi janë janë njëri në klasë të dytë tjetri në klasë të tretë, kurse Ejmi motra e tyre, më e madhja nga fëmijët, është në klasë të 5. Më i rritur në moshë është Elgo, kushëriri i tyre që sapo ka mbaruar klasën e 9.
2 vëllezërit dhe motra kanë vendosur që gjatë verës të kalojnë më shumë kohë në furrën e babait të tyre kur janë të lirë sepse u duket argëtuese. Ndërsa Elgo si më i rritur që është punon me kohë të pjesshme nën mbikëqyrjen e dajës. Këtë vendim e mori sepse dëshiron që të mësohet me punë, e pak vite më vonë t’i mbulojë vetë të gjitha shpenzimet e shkollës dhe të përditshmërisë.
Mes punonjësve të tjerë të kësaj furre që janë të shumtë në numër, padyshim që më simpatikët janë ata të katërt. Ndoshta nuk bëjnë ndonjë punë të madhe por dëshira dhe vullneti që kanë për t’u angazhuar që në këtë moshë, është për t’u admiruar. Megjithatë edhe pse është verë ata nuk e kalojnë kohën vetëm në furrë por merren dhe me aktivitete të tjera. Pozitivi.org mëson se Ejmi është një nxënëse e shkëlqyer në shkollë, më e mira në klasën e saj.
Edhe pse shkolla ka përfunduar, gjatë verës ajo vazhdon të ndjekë kursin e anglishtes, kursin e pikturës dhe të muzikës. Ka zë shumë të bukur dhe i pëlqen të pikturojë. Qoftë në shtëpi apo kudo të shkojë vazhdon ta kalojë kohën duke ushtruar këto pasione. Sigurisht që pas nuk mbeten as vogëlushët, të cilët përpiqen të ecin në hapat e motrës.
© 2018, Pozitivi. All rights reserved.