24 administratorë në Tiranë mblidhen së bashku, në fokus përgjegjshmëria ndaj qytetarit
15/12/2018 Shpërndaje

24 administratorë në Tiranë mblidhen së bashku, në fokus përgjegjshmëria ndaj qytetarit

Për herë të parë bëhen bashkë 24 administratore të njësive administrative në Tiranë. Tema e takimit ka qenë “Përballjet e qytetarëve me pushtetarët vendorë, a rrisin përgjegjshmërinë?”, e organizuar nga Infinit Plus, në përmbyllje te projektit “Pushtetari përballë qytetarit”, që është implementuar nga Infinit dhe mbështetur nga Lëviz Albania.

I pranishëm në takim ka qenë dhe Drejtori i Përgjithshëm i Bashkëpronësisë në Bashkinë e Tiranës, Erind Bejko i cili gjatë fjalës ka theksuar se takimet mes qytetarëve dhe përfaqësuesëve të njësive kanë qenë efkase. Ndërkaq shtoi se është detyrë e administratorëve që të dëgjojnë qytetarët dhe të adresojnë problemet e tyre drejt zgjidhjes. “Mungesa e arrogancës duhet të fillojë nga  personi i parë që takoni në institucion deri tek gjithë ekipi i administratorëve dhe specialistëve”, tha mes të tjerash Bejko.

Më tej Infinit u ndal te rezultatet e projektit “Pushtetari përballë qytetarit”, një ndër ato projekte që ka synuar ballafaqimin e qytetarëve me të zgjedhurit vendorë, për të rritur llogaridhënien dhe përgjegjësinë si dhe për të dëgjuar zërin e qytetarëve.

Në takim u prezantuan edhe 6 video të realizuara në 6 njësi të ndryshme administrative në Tiranë, në Pezë, Kashar, Krrabë, Baldushk, Farkë, Ndroq, në të cilat shfaqen problematika të ngritura nga qytetarët si dhe sa prej tyre kanë marrë zgjidhje pas takimeve të zhvilluara në kuadër të projektit. Takimi më tej vijoi në formë bashkëbisedimi, ku administratorët treguan mbi punën e përditshme me qytetarët dhe eksperiencën në këtë projekt, i cili ka shërbyer si ndërlidhës me banorët e njësive.

© 2018, Pozitivi. All rights reserved.