Kur të rritesh, bëhu “mami”!
28/09/2019
0 komente
Shpërndaje

Kur të rritesh, bëhu “mami”!

Fëmijët e çdo brezi, mbase të shtyrë pak nga prindërit apo gjyshërit, nuk i shpëtojnë dot pyetjes “Çfarë do të bëhesh kur rritesh?”. Thënë kjo, të rrallë janë ata që, të paktën një herë të vetme,  nuk e kanë shprehur mendimin e tyre mbi profesionin e të ardhmes. Por, në morinë e dëshirës për t’u bërë “inxhinier”, “mjek”, “polic”, “balerinë”, “këngëtare” apo “gazetare” a keni dëgjuar ndonjë fëmijë të thotë dua të bëhem “infermiere”?! Besoj se jo! Unë të paktën asnjëhere, për më tepër nëse kjo “infermiere”, do të zgjidhte të punonte në maternitet dhe aty do të quhej “mami”.

Në fakt, vetëm pas eksperiencës personale të sjelljes në jetë të një fëmijë, njeriu nis të kuptojë dhe të shohë me një sy tjetër, aspekte të jetës që më herët nuk i konsideronte. E tillë është edhe puna e palodhur, me mjaft përgjegjësi dhe shpesh herë shumë pak e vlerësuar e mamive. Ky mendim i imi dhe i mijëra nënave në botë me siguri, u faktua edhe më shumë në orën 16.04 të datës 21 Shtator 2019.

Mamitë Marksida Fezaj dhe Andia Hoxha

Për Marksida Fezaj dhe Andia Hoxhën ajo e shtunë, ishte një ditë e zakonshme pune, mes vështirësive dhe stresit që ka reanimacioni i bebeve në Spitalin Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”.  Dy mamitë, ishin në turnin e radhës kur toka u lëkund dhe paniku përfshiu këdo në Tiranë. Marksida, e cila punon prej 12 vitesh në repartin e kujdesit intensiv në katin e tretë të maternitetit,  tregon se inkubatorët lëvizën nga vendi, pothuajse si çdo gjë tjetër rrotull. “Një xham u thye dhe mendimi i parë në atë moment të tërmetit, ishte mos të lëviznim nga vendi” tregon mamija Fezaj.  Në reanimacion ndodheshin 6 foshnje, 5 prej të cilave në inkubatorë, por me oksigjen ambienti dhe vetëm një foshnje e lindur pak më shumë se 1800 gramë, ndodhej në apart, pra me nevojë për frymëmarrje artificiale. “Kur ra tërmeti i dytë, nuk e menduam më gjatë. Bashkë me mjeke Shahen organizuam zbritjen e menjëherëshme të bebeve”, tregon Marksida.

Ndërsa për maminë tjetër Andian, eksperienca e asaj ditë ishte edhe më e vështirë. Mamia e re, me vetëm 6 muaj punë në këtë repart tregon se, nuk e kishte menduar kurrë që do të përballej me një vështirësi të tillë. “Kur u thye xhami jam shqetësuar shumë. Vrapova të shoh se mos kishte rënë mbi bebat. Pasi u sigurova që foshnjet ishin mirë, u organizuam me koleget dhe nisëm zbritjen e tyre nga kati i tretë” rrëfen mami Andia.

Marksida tregon për “Pozitivi.org” se pasi zbritën 5 bebet që ishin më mirë, ajo u ngjit për të parë foshnjen që ndodhej në apart. “ Babai i bebit, rrinte para derës së reanimacionit dhe me lot në sy na tha se çdo të bëhej me foshnjen e tij. U kujdesëm ta qetësonim dhe i thamë se, nuk do ta linim vetëm bebin në asnjë moment. Kështu, bashkë me doktoreshë Shahen vendosëm t’i hiqnim për pak minuta aparaturën e oksigjenit, pasi e dinim se mund të rezistonte dhe e zbritëm menjëherë në katin e parë, ku gjithashtu kemi oksigjen. Vendosëm më pas të rrinim aty në katin e parë për pak kohë, pasi do të ishte më e lehtë për ne, nësë tërmeti do të vijonte.” tregon ende e emocionuar mami Marksida.  “Në ato momente kuptuam që çfarëdo që të ndodhte, ne do të ishim aty, nuk mund t’i braktisnim foshnjet dhe se ajo ishte detyra jonë kryesore.” shton Andia. Mamitë bashkë me mjeken e turnit qëndruan atë mbrëmje edhe përgjatë natës, si pjesë e një shërbimi të përforcuar. Ato tregojnë se për to, ka qenë një natë e gjatë, mes merakut për familjen e tyre dhe bebeve për të cilat kujdeseshin. “Qëllimi ynë ishte të ruanim foshnjet, ndaj nuk kishte më vend për panik” tregojnë infermieret.

Qetësia që solli eksperienca e mjekes

Dy mamitë, Marksida dhe Andia nuk rreshtin së përmenduri emrin e mjekes neonatologe Dr. Shahe Isufi.  Ato tregojnë se qetësia e saj, në momentet e tërmetit, bëri që bebet të tranferoheshin jashtë, me mjaft lehtësi dhe pa nevojë për panik. Modeste për të rrëfyer mbi eksperiencën e asaj ditë, doktoreshë Isufi e cila ka 20 vite eksperiencë, nuk ka shumë dëshirë të tregojë me detaje atë ngjarje, por me buzëqeshje shprehet se thjesht ka bërë detyrën. “Ne kishim problem një bebe që ishte në aparat dhe kishte nevojë për oksigjen. Aty ku e kaluam në katin e parë nuk e linim dot gjatë, sepse nuk kishte aparat specifik . Na rrinte mendja tek ai fëmijë, që  të mos na shkonte dëm gjithë kjo punë e mrekullueshme.” Mjekja e përfundon tregimin e saj të shkurtër duke thënë se “Edhe sikur të ndodhë prapë, ne prapë këtë punë do të bëjmë, si unë dhe gjithkush tjetër në maternitet”.

Reparti i reanimacionit të foshnjeve

Rreth 60 foshnja prematurë, trajtohen çdo muaj në repartin e reanimacionit të Spitalit Universitar Obstetrik Gjinekologjik “Mbretëresha Geraldinë”. Sipas stafit këto bebe qëndrojnë nga 1 deri në 2 muaj nën kujdesin intensiv të mamive dhe mjekëve neonatë. “Të gjitha foshnjet janë delikate, por bebet premature duan një kujdes mjaft të veçantë. Ato janë shumë të ndjeshme dhe një moment të shkëputesh nga ta, e ndjejnë menjëherë”, tregon mami Marksida Fezaj. Stafi që përkujdeset çdo ditë të vitit për këto foshnje, si gjatë festave apo rasteve të vështira, siç ishte tërmeti, rrëfejnë se kënaqësia më e madhe për ta, është dita kur i përcjellin këto bebe të shëndetëshme në shtëpitë e tyre dhe emocioni që shohin në sytë e prindërve.   

© 2019, Pozitivi. All rights reserved.

Komentet

Asnjë Koment Ju mund të jeni i pari që të komentoni!

Shkruani një Koment

Të dhënat tuaja janë të sigurta! Adresa juaj e emailit nuk do të publikohet dhe të dhënat tuaja nuk do të shpërndahen me persona të tretë. *